• |
ide | kryesore

Plotësimi i vakancave në Gjykatën Kushtetuese, Meta shpall listën e aplikantëve (Emrat)

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Presidenti Ilir Meta ka shpallur listën e aplikantëve për plotësimin e vakancës në Gjykatën Kushtetuese.

Kreu i shtetit i ka përcjellë KED, 10 kandidatë, me qëllim plotësimin e “Vakancës së parakohshme”, të krijuar për shkak të përfundimit përpara kohe të mandatit të ish-gjyqtarit Besnik Imeraj.

Aplikantët që i dërgohen Këshillit të Emërimeve në Drejtësi janë Aleksadër Toma, ltin Binaj, Aldona Sylaj, Ardita Buna (Alsula), Eugen Papandile, Ilir Haznedari, Klajdi Mone, Orkida Totojani, Përparim Kalo dhe Shaqir Hasanaj.

Kreu i shtetit i bën thirrje KED-it të vijojë po menjëherë procesin për verifikimin e të gjitha kandidaturave për plotësimin e këtij vendi vakant, sipas ligjit.

Njoftimi i Presidencës
SHPALLJE E LISTËS SË APLIKANTËVE PËR PLOTËSIMIN E “VAKANCËS SË PARAKOHËSHME” NË GJYKATËN KUSHTETUESE

Institucioni i Presidentit të Republikës, bën me dije se:

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta, pasi u njoh me njoftimin Nr. 268 Prot. Datë 18.09.2020 dhe Vendimin Nr. 29 Datë 16.09.2020, të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED), administruar me Nr. 3188 Prot., Datë 21.09.2020, konstatoi se:

Në përfundim të procedurave të verifikimit të kandidaturave nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, për plotësimin e vendit vakant gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese “Vakancë e parakohshme”, e krijuar nga përfundimi përpara kohe i mandatit të ish-gjyqtarit Besnik Imeraj, e shpallur fillimisht për aplikim nga Presidenti i Republikës me Dekretin nr.10723, datë 07.02.2018 dhe rishpallur me Dekretin nr. 11291, datë 27.09.2019, rezultoi se në garë për plotësimin e këtij vendi vakant nuk mbeti asnjë kandidat i kualifikuar.

Ndodhur në këto kushte, pasi vlerësoi njoftimin e përcjellë nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, Presidenti i Republikës, me qëllim ndjekjen pa vonesë të procedurave të kërkuara nga Kushtetuta dhe ligji për plotësimin e kësaj “Vakance të parakohshme” në Gjykatën Kushtetuese, në cilësinë e organit të emërtesës, me Dekretin nr. 11742, datë 24.09.2020, miratoi menjëherë:

– Rishpalljen e procedurës së aplikimit (për të tretën herë) për plotësimin e vendit vakant gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë me qëllim plotësimin e “Vakancës së parakohshme”, të krijuar për shkak të përfundimit përpara kohe të mandatit të ish-gjyqtarit Besnik Imeraj.

Kjo shpallje për aplikim ka qenë e publikuar për 20-ditë radhazi në faqen zyrtare të internetit të Institucionit të Presidentit të Republikës, si dhe në shtypin e shkruar, në Fletoren Zyrtare, në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare, si dhe në gjithë mjetet e tjera të informimit publik përfshi dhe mediat audiovizive.

Pas përfundimit të afatit të rishpalljes për aplikim për këtë vend vakant (14.10.2020), rezulton se për plotësimin e këtij vendi vakant kanë aplikuar dhe kanë shprehur interesin shtetasit e mëposhtëm:

1. Z.Aleksadër Toma
2. Z.Altin Binaj
3. Znj.Aldona Sylaj
4. Znj.Ardita Buna (Alsula)
5. Z.Eugen Papandile
6. Z.Ilir Haznedari
7. Z.Klajdi Mone
8. Znj.Orkida Totojani
9. Z.Përparim Kalo
10. Z.Shaqir Hasanaj

Lista e aplikantëve të mësipërm, së bashku me dokumentacionin e dorëzuar prej tyre, do t’i përcillet menjëherë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi me qëllim që ky organ të vijojë po menjëherë procesin për verifikimin e të gjitha kandidaturave për plotësimin e këtij vendi vakant, sipas ligjit.

Presidenti i Republikës, përsërit edhe një herë thirrrjen për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, që:

– me administrimin e listës së personave që kanë shprehur interesin për plotësimin e vendit vakant të ish-gjyqtarit Besnik Imeraj, të fillojë menjëherë nga puna me mbledhjen e dokumentacionit përkatës për të verifikuar sa më parë kandidaturat, duke bërë me dije çdo pengesë që mund të ndeshë gjatë procesit të mbledhjes dhe/ose përpunimit të informacionit për këtë qëllim.

Ndërkohë Presidenti i Republikës i rikujton KED-së se, për plotësimin e vendit vakant të ish-gjyqtarit Besnik Muçi, që aktualisht KED ka në proces,

– të punojë pa ndërprerje, që të përfundojë sa më parë e sipas ligjit, shqyrtimin e kandidaturave;

– të angazhohet me të gjitha kapacitetet për vlerësimin dhe pikëzimin e kandidatëve të cilëve u lejohet kandidimi; dhe

– t`i propozojë Presidentit listën e kandidatëve për plotësimin e kësaj vakance, sipas Kushtetutës dhe ligjit.

Presidenti i Republikës përsërit edhe një herë thirrjen ndaj Këshillit të Lartë Gjyqësor që të punojë në mënyrë të pandërprerë në drejtim të verifikimit dhe vlerësimit të kandidaturave për plotësimin e të gjitha vendeve vakante në Gjykatën e Lartë, që jo vetëm duhet të jetë plotësisht funksionale sa më shpejt për shqyrtimin e çështjeve të mbartura, por kjo Gjykatë duhet të jetë funksionale për të emëruar dhe 3 anëtarët e tjerë të Gjykatës Kushtetuese.

Presidenti i Republikës, i bën thirrje gjithashtu të gjitha institucioneve shtetërore të angazhohen me të gjitha kapacitetet dhe me përgjegjshmëri për t’i siguruar në kohën e duhur Këshillit të Emërimeve në Drejtësi informacionin e kërkuar prej tij për verifikimin e kandidatëve.

Gjykata Kushtetuese duhet të jetë sa më shpejt plotësisht funksionale me të 9 anëtarët e saj, në mënyrë që gjatë shqyrtimit të çështjeve, kjo trupë gjyqësore të mos ndeshet me asnjë pengesë proceduriale që bën të pamundur marrjen e vendimeve për themelin e pretendimeve kushtetuese të ngritura nga palët.



1 Comment

  1. Muhammad Obaidul Karim eshte shqiptari nga Bangladeshi.

    Meta i dha 1140 ha ne Topoje te Fierit investim qe nuk e beri kurre.

    Bujar Nishani nen ndikimin e Metes dhe E.Panaritit i dha nenshtetesine shqiptare per vetem 64 oresh qendrimi ne token shqiptare,edhe pse dyshohet se ishte nje pastrues i parave edhe te organizatave terroriste islamike.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *