• |
ide | kryesore

40 vjet nga shfaqja e HIV-AIDS, virusi që ende nuk ka një vaksinë

-Instant, Arkiva, F1, Planet



Kanë kaluar afro dyzet vjet që kur një sëmundje e re nisi të shfaqej në Shtetet e Bashkuara. Më vonë ajo do të bëhej e njohur me emrin SIDA, sindroma e mungesës së imunitetit të fituar. Sot në botë ka më shumë se 38 milionë njerëz që jetojnë me virusin HIV, i cili shkakton SIDËN. Me rastin e 1 dhjetorit, Ditës Botërore të SIDË-s, ju sjellim një vështrim rreth kësaj sëmundjeje, për të cilën ende nuk ka një vaksinë.

Virusi u njoftua për herë të parë në një raport të Qendrave amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve, botuar më 5 qershor 1981. Në atë kohë sindroma u përshkrua si një kombinim i pazakontë i pneumonisë me disa kancere të rralla kryesisht tek homoseksualët amerikanë në Los Anxhelos.

Studiuesi kryesor i SIDA-s, Robert Gallo kujton frikën dhe diskriminimin që u përhap shpejt kur numri i të vdekurve nisi të rritej.

“Ishte një ndjenjë misteri, frike, një paragjykim në rritje,” tha ai për agjencinë Associated Press në vitin 2006.

“Virusi i ngjan një topi golfi me një tufë shkopinjsh të vegjël që dalin prej tij. Shkopinjtë hyjnë në bashkëveprim me molekula të caktuara në sipërfaqen e qelizës që infektojnë. Mënyra se si virusi HIV futet brenda qelizës është një proces i komplikuar, i cili sot shpjegohet deri në detaje molekulare,” thotë shkencëtari.

Fillimisht u etiketua si ‘kancer i homoseksualëve’, por më vonë, kur u vërejt se prej tij prekeshin edhe personat heteroseksualë, stigma filloi të bjerë.

Gallo dhe kolegët e tij kishin identifikuar më parë retrovirusë që mund të shkaktonin leuçemi tek njerëzit. Ata ishin ndër të parët që argumentuan se shkaku i SIDË-s së gjetur tek një pacient në Institutin Pasteur të Parisit nga mjeku Luc Montagnier, ishte pikërisht virusi HIV.

Virusi, i cili përhapet nëpër lëngjet e trupit, u përhap shpejt në botë, duke prekur shpesh gratë e ekspozuara, fëmijët e tyre, meshkujt homoseksualë, hemofilikët dhe përdoruesit e drogave që merren me shiringë.

Shumë qeveri dhe organizata nisën programe edukimi për të paralajmëruar njerëzit mbi përhapjen e virusit.

Ndonjëherë këto shkaktonin frikë dhe një ndjenjë turpi tek njerëzit më të rrezikuar.

Alex Sparrowhawk, i cili jeton në Mançester të Anglisë dhe ka virusin HIV, thotë se qëndrimet e njerëzve kanë ndryshuar, por paragjykimet vazhdojnë.

“Shumë njerëz të atij brezi mbajnë mend reklamat, fushatat që bëheshin. Edhe sot, kur flasim për këto gjëra, njerëzit e kuptojnë menjëherë se përse e kemi fjalën. Kjo fushatë edukimi ndoshta ishte e mirë për kohën. Por keqkuptimet e viteve ‘80 ende ekzistojnë në shumë aspekte”.

Në vitin 1986, zyrtarët amerikanë të shëndetësisë njoftuan se një ilaç eksperimental i quajtur AZT do të vihej në dispozicion të mijëra pacientëve me SIDË.

AZT, ishte ilaçi i parë që tregoi se mund të ndihmonte njerëzit me HIV, virusin që shkakton SIDË-n.

Edhe pse një ilaç jo shumë i fuqsihëm, AZT-ja çoi në krijimin e një morie barnash të tjera dhe në nocionin e trajtimit me kombinime ilaçesh, që sot përdoren për HIV-n, tuberkulozin dhe sëmundje të tjera.

Zoti Sparrowhawk thotë se trajtimet moderne kanë bërë që njerëzit të cilët sot diagnostikohen me HIV të kenë një jetë të shëndetshme.

Shkencëtarët edhe sot vazhdojnë punën për të gjetur një vaksinë kundër virusit HIV.

Me rastin e Ditës Botërore të SIDË-s, OKB-ja po vë në dukje kërcënimin që pandemia globale e koronavirusit përbën ndaj njerëzve që jetojnë me virusin HIV.

Sipas agjencisë së OKB-së për SIDË-n, ndikimi i pandemisë së tanishme mund të rezultojë në rreth 69 000 deri në 148 000 vdekje më shumë tek personat e infektuar me HIV.

Zoti Sparrowhawk thotë se për shkak të pandemisë shumica e takimeve me mjekun janë zhvendosur në internet dhe kjo nuk është diçka e mirë për të gjithë ata që jetojnë me virusin HIV.

“Unë shkoj në spital çdo gjashtë muaj. Takimi im i parë këtë vit u bë me telefon. Ilaçet më dërgoheshin me postë. Por kjo nuk është e njëjta gjë sikur të ulesh ballë për ballë me mjekun,” thotë ai.

Afrika e Jugut ka 7.7 milionë njerëz me HIV, numri më i madh në botë. 62% e tyre marrin ilaçe antiretrovirale që e mbajnë pasiv virusin dhe parandalojnë transmetimin e tij.

Në Afrikën e Jugut njerëzit me HIV që preken nga COVID-19, kanë dy herë më shumë gjasa të vdesin, sesa të tjerët.

Në Shtetet e Bashkuara, infeksionet vjetore me HIV kanë rënë me më shumë se dy të tretat që nga kulmi i epidemisë në mes të viteve 1980. Numri i infeksioneve të reja ka qëndruar i pandryshuar vitet e fundit.

Rreth 1.2 milionë amerikanë kanë HIV, por më shumë se 40% e tyre nuk e dinë që janë të infektuar. /VOA



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *