• |
ide | kryesore

Ekzekutimi i Elton Mermalit/ Si po goditen një nga një anëtarët e Bandës së Lushnjës

-Instant, Arkiva, Kryesore, Lajme

Trupi i pajetë i një personi që u gjet mëngjesin e të dielës në afërsi të  lumit Shkumbin u identifikua fillimisht si Alban Semaku. Viktima i kishte marrë plagët nga afër dhe ishte qëlluar me tre plumba, një prej të cilëve në kokë. Dyshimet janë se e kishin rrëmbyer fillimisht në Lushnjë dhe pasi e vranë brenda në makinë, ia hodhën trupin në një zonë mes Elbasanit dhe Peqinit.


Alban Semaku sapo kishte dalë nga burgu i Peqinit, i dënuar për pjesmarrje në një vrasje të dyfishtë në vitin 1998, atëherë kur mbante emrin e vërtetë, Elton Mermali. Adoleshenti i asaj kohe qe bërë pjesë e një nga organizatave më të rrezikshme kriminale të dalë nga kaosi i vitit 1997, Banda e Lushnjës.


Dyshimet janë se u vra për hakmarrje. Krimet e bandës së Lushnjës ende nuk janë harruar në qytet.

Elton Mermali kishte marrë pjesë në një atentat në vitin 1998, ku mbetën të vrarë Bledar Haxhiu dhe Artan Sulçe. Në rrëfimin e të penduarit të organizatës kriminale, Petrit Liçit, që shërbeu për dënimin e të gjithë pjestarëve të bandës Elton Mermali përshkruhet si një “ushtar” i thjeshtë, që e kishte nisur si roje. Një nga punët e kryera ishte atentati i dyfishtë. Lexoni më poshtë se si përmendet ai në rrëfimin e të penduarit:

“Petrit Liçi (i penduar): Unë në tetor të vitit 1998 isha në shtëpi, duke punuar. Prisja blloqe betoni. Vjen Erjon Kashari (një prej të pandehurve) me të cilin kam qenë në shkollë dhe e njihja mirë. Erjoni ka ardhur disa herë me Elton Mermalin (një tjetër i pandehur). Më propozuan të futeshim roje në shtëpinë e Edjan Xhafës, i cili ishte i plagosur dhe ishte në hasmëri. Unë nuk e dija se si kishin qenë punët, por pranova të ruaja shtëpinë e tij ditë e natë, bashkë me Mermalin dhe Kasharin. Ai e kishte shtëpinë pranë kodrës së Lushnjës, të rrethuar si kështjellë. Pasi qëndruam disa ditë, Edjani na kërkoi ta ndihmonim të bënte një vrasje.

Prokurori: Kë donte të virste Edjan Xhafa dhe pse?

Petrit Liçi (i penduar): Donte të vriste Bledar Haxhiun, por ai ishte i plagosur dhe nuk e bënte dot vetë. Na tha se do të na jepte lekë po ta vrisnim. Pranuam të bënim vrasjen. E pritëm disa herë në kryqëzim. Por një ditë, Edjani erdhi edhe vetë. Na dha një çantë me katër automatikë. Në datën 23 tetor, rreth orës 8 ose 9 të mëngjesit, u nisëm me makinë, unë, Erjon Kashari dhe Elton Mermali. Pas nesh erdhi dhe Edjani me Dritan Vilën. Pritëm në një kryqëzim. Po vinte Bledar Haxhiu me makinë së bashku me Artan Sulçen. Ne sa e pamë nxorëm automatikët dhe qëlluam. Pasi u siguruam se e vramë, u nisëm. Ktheva kokën dhe pashë që Edjani së bashku me Dritan Vilën kishin shkuar te makina dhe po qëllonin me pistoleta mbi trupat e vrarë të tyre. Më pas u larguam në shtëpinë e Edjanit.

Pjesëmarrja në atentat dhe rrëfimi i të penduarit e vuri Elton Mermalin menjëherë në shënjestër të drejtësisë. Arratiset në Itali, ku arrestohet në Prill të vitit 2006 dhe një muaj më pas ekstradohet për në vendin tonë, për ta vuajtur dënimin në burgun e Peqinit.

Pesë muaj më parë, siguria që i ofronte burgu një vrasësi, mori fund. Rrugët e Lushnjës nuk janë të njëjtat. Një i afërm i Bledar Haxhiajt, viktimës së tij, është sot një prej personave më të rrezikshëm në Shqipëri. Laert Haxhiaj dyshohet si njeriu që qëndron pas disa atentateve të tjera ndaj bandës rivale të Lushnjës.

Lexo edhe: Historia/ Rikthehet përplasja mes bandave të Lushnjës

Lexo edhe: “Nuk e ke të gjatë ti” kërcënimi i vrasësit që përndjek nipin e Aldo Bares

Lexo edhe: SPAK hetim bandës së re në Lushnje/ Kreu disa vrasje në qytet si hakmarrje ndaj njerëzve të Aldo Bares

Gerti Lala, i njohur ndryshe si “Iriqi”

Gerti Lala ishte një tjetër bashkëpuntor i Bandës së Lushnjës. Në korrik të vitit 2010 u vra në hyrje të shtëpisë së tij. Policia arrestoi atëherë Laert Haxhiajn dhe Orgest Bilbilin. Asokohe dy vrasësit ishin adoleshentë, por shumë shpejt do të kryenin goditje të tjera, që kishin në shënjestër bandën famëkeqe të Lushnjës dhe të afërmit e antarëve të saj.

“Iriqi” u gjet nga familjarët i masakruar me disa plumba dhe goditje thikash. 29-vjeçari sapo kishte dalë nga shtëpia me makinën e tij kur u qëllua nga dy persona që e prisnin në pritë. Pjesa më e madhe e plumbave sipas hetuesve ka qenë në kokë, kurse në trup u konstatuan plagë të shkaktuara nga një thikë.

Vrasja e Enver Boriçit

Në orët e para të mëngjesit të 14 dhjetorit në vitin 2019 u gjet në një lokal, i vrarë me një plumb në kokë Enver Boriçi. Familjarët e gjetën të ekzekutuar ish-anëtarin e bandës së Lushnjës, pasi kishte qenë duke pirë kafe. Plumbi në kokë i kishte shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

52-vjeçari, Enver Boriçi ishte vëllai i Arben Boriçit, i dënuar me burgim përjetë, si anëtar i bandës së Lushnjes.

Atentatet ndaj nipit të Aldo Bares

Nipi i Aldo Bares, Xhulio Shkurti ka qenë disa herë në shënjestër të Laert Haxhiajt dhe Orgest Bilbilit (i arrestuar). Në shtator të vitit 2016, Xhulio Shkurti u dërgua në spitalin e Lushnjës i plagosur me armë zjarri, bashkë me shokun e tij. Dy te rinjtë kishin marrë plumba në këmbë dhe në bark por mundën të mbijetonin.

Herën e dytë, që u qëllua me armë për ta vrarë Xhulio Shkurtin ishte në mes të Lushnjës. Nga breshëritë e automatikut mbetën të vrarë Jurgen Hoxha, 22 vjeç, dhe Zamir Latifi, 23 vjeç. Në momentin e ngjarjes, viktimat kanë qenë në rrugë në këmbë.

Pak minuta para atentatit, bashkë me ta ishte edhe Xhulio Shkurti, nip i Aldo Bares, ishte ndarë nga grupi vetëm disa minuta më parë. Ai do të shkonte për t’u qethur tek berberi, për t’iu bashkuar më vonë sërish grupit të miqve.

Pasiguria e hasmërive në Lushnjë

Vrasja e Elton Mermalit pak muaj pasi fitoi lirinë, vërteton edhe një herë se qelia e burgut për njerëzit në hasmëri është më e sigurtë se jeta në liri. Në muajt e fundit të jetës, Mermali kishte vazhduar të jetonte në Lushnjë. Fatmirësisht qyteti nuk kontrollohet më nga banditët e 1997, por fatkeqësisht nuk është as nën kontrollin e policisë.

Krimi është perfeksionuar. Si për ta justifikuar pafuqinë e policisë lokale, vrasësit e hodhën trupin e Mermalit në një qytet tjetër./Lapsi.al

3 Comments

  1. Sali Berisha, pas vendimit të SHBA që e tha hapur, që PD ta mbrojë jo me fjalë, port ë bëhet digë që në çdo rast doktori të ketë më shumë kohë e hapësirë për të përgatitur lëvizjet e tij. E Lulzim Basha nuk ja dha, madje e deklaroi hapur se “PD-ja nuk do të jetë asnjëherë bunker për interest personale të askujt”. E këtu duhet parë realisht përplasja dhe prishja e paktit mes Bashës dhe Berishës.

  2. Thjesht policia i toleron keta qe jane kunder bandes se Aldo Bares.
    Edhe keta bande jane po policet shumice veriore nuk ja falin lushnjes qe i vuri perpara me gure ne 1997.
    Keshtu qe kjo banda tjeter tani ben si e forte edhe sa here ben ndonje vrasja policia maloke “nuk i gjen dot”
    Kurse keta te bandes se Aldo Bares ua di edhe sa here vene ne hale.
    Njesoj si para 97 dmth, po mund te mbushet kupa edhe te dale ndonje Aldo Bare tjeter.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu