• |
ide | kryesore

Vidhnin automjete e banesa duke ndërprerë ndriçimin elektrik të rrugëve, tre të arrestuar në Tiranë

Arkiva



Policia në Tiranë ka finalizuar operacionin policor të koduar “Alliasi” në kuadër të të cilit janë vënë në pranga tre persona për vjedhje të banesave dhe automjeteve. Mësohet se në pranga është vënë Klodi Qerimi, 23 vjeç i dënuar më parë dhe Gersjan Berisha, 19 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Dy të rinjtë u arrestuan pasi u kapën në flagrancë duke tentuar të vidhnin në një banesë në rrugën “Selaudin Bekteshi”. Gjithashtu dyshohet se kanë vjedhur edhe banesën e një gruaje në Lanabregas. Nga hetimet rezulton se të rinjtë janë edhe autorë të disa vjedhjeve të tjera të banesave në territorin e Komisariatit të Policisë Nr. 4.

Sipas policisë, personat e arrestuar i studionin vendet dhe banesat që vidhnin dhe vepronin në orët e vona të natës, duke ndërprerë ndriçimin elektrik të rrugës dhe të kamerave në hyrje të banesave.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar disa nga sendet, të cilat kanë rezultuar të vjedhura në banesat e lartpërmendura. Po në kuadër të operacionit u arrestua Vehap Kapaj, 33 vjeç, banues në rrugën “Barjam Curri”, i dënuar më parë.

Kapaj u kap në flagrancë në rrugën “Kosovarët”. 33-vjeçari ishte në ndjekje nga shërbimet policore të Komisariatit të Policisë Nr. 4, pasi kishte vjedhur një automjet “BMW”, në pronësi të një shtetasi me banim në rrugën “Myslym Keta”.

Gjithashtu, po në kuadër të operacionit u arrestuan në flagrancë për veprat penale “Kallëzimi i rremë” dhe “Moskallëzim krimi” i shtetasve: Artan Kernaja, 47 vjeç, banues në Tiranë dhe Fatmir Lizi, 48 vjeç, banues në Tiranë, të dy të dënuar më parë për vrasje dhe vjedhje.

Kernaja kishte bërë kallëzim të rremë në Komisariatin e Policisë Nr. 4, se i kishin vjedhur automjetin, i cili u gjet i braktisur në anë të rrugës në Peqin të Elbasanit. Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se këta dy shtetas kishin shkuar për të vjedhur në një banesë në Peqin dhe kur kanë parë shërbimet e Policisë në pikë kontrolli, ndërkohë që ishin dhe në shkelje të orës policore, kanë braktisur mjetin me qëllim fshehjen e sendeve të kundërligjshme që kishin në automjet, të cilat do t’i përdornin për të kryer vjedhjen.

Kernaja në vitin 1997, në bashkëpunim me një shtetas tjetër, ka vrarë me armë zjarri, një person në zonën e Laçit dhe për këtë ka kryer 18 vite burgim. Kurse Lizi ka kryer 16 vite burgim në Itali, për vrasje.

Pasi kanë vuajtur dënimin me dy vite burg në Zvicër, për vjedhje, nga viti 2018 deri në vitin 2020, janë dëbuar nga Zvicra dhe janë kthyer në Shqipëri.  Nga hetimet rezulton se bashkë me një person tjetër që ndodhet në Angli ata kryenin vjedhje në Itali e Zvicër, në formën e një grupi kriminal.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *