• |
ide | kryesore

Veliaj nuk shkoi në seancën degjimore të Kuvendit me banorët e 5 majit

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit

Fadromat e Inspektoritatit të Mbrojtjes së Territorit të bashkisë Tiranë, të mbështetura nga forcat e policisë, shembën të mërkurën disa banesa private në lagjen ‘5 Maji’ në Tiranë, për t’i hapur rrugë ndërtimit të një lagjeje të re me pallate. Prishja u bë bazuar në një vendim të qeverisë për procesin e rindërtimit për pasojat e tërmetit të nëntorit 2019.

Pretendimet e banorëve të zonës për prishje të palajmëruar dhe pa një kontratë kompensimi nga ana e bashkisë, nxitën deputetët e opozitës në Komisionin e Ligjeve për të kërkuar një seancë dëgjimore me palët e përfshira në konflikt.


Në seancë ishte thirrur Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Velaj, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, Avokati i Popullit, Erinda Ballanca dhe përfaqësues të banorëve të prekur nga projekti. I vetmi që nuk u paraqit në komision ishte kryebashkiaku Veliaj, i cili kishte dërguar një shkresë sqaruese për qëndrimin e Bashkisë lidhur projektin që prek zonën e banesave të shembura.

Në këtë shkresë Veliaj argumentonte se janë ndjekur të gjitha procedurat ligjore për shpronësimet e banorëve. Sipas tij shumica e banorëve kishin pranuar marrëveshjet me bashkinë dhe vetëm një pjesë e vogël e tyre kishin akoma pretendime. “Po përdoren për qëllime të tjera që skanë lidhje me projektin”, shkruante Veliaj.

Por shkresa e tij u cilësua e pavlerë nga deputetët e opozitës, të cilët kërkuan ndërprerjen e seancës dëgjimore deri kur Veliaj të gjente kohën për të ardhur në komision.

Deputeti Enkelejd Alibeaj e cilësoi mungesën e tij si një “mospërfillje” ndaj Kuvendit të Shqipërisë dhe “vetakuzim” të tij për prishjen e shtëpive private. “Ç’është ky që nuk begeniska as njerëzit, po as Kuvendin, të japë sqarime nëse është me ligjin” – tha Alibeaj i cili kërkoi nga deputetët që “të ruhej nderi i Kuvendit”.

Ndërsa deputeti Oerd Bylykbashi tha se “kjo është seancë dëgjimore, jo seancë leximi” duke i kërkuar kryetares së komisionit Klotilda Bushka që t’i përsërisë kërkesën Veliajt për t’u paraqitur para Kuvendit.

Por Bushka e cilësoi vendimin e kryebashkiakut për të mos u paraqitur si të drejtë ligjore të tij dhe tha se Kuvendi nuk e detyron dot që të vijë. “Vetëm ekzekutivi dhe institucionet që raportojnë në Kuvend kanë detyrim të paraqiten”- tha ajo duke e justifikuar refuzimin e Veliajt me autonominë vendore. Edhe deputeti tjetër socialist Toni Gogu mbrojti vendimin e kryebashkiakut duke iu drejtuar kolegëve demokratë se nëse kanë dëshirë kaq shumë ta dëgjojnë Veliajn të kandidojnë për anëtarë të këshillit bashkiak të Tiranës. “Ne do të shohim zbatimin e aktit normativ për këtë rast”- tha ai duke e cilësuar të mjaftueshme shkresën e ardhur nga bashkia.

Debatet për refuzimin e Veliajt vijuan rreth 2 orë ndërsa banorët e pranishëm nisën të revoltoheshin dhe tentuan të largoheshin nga komisioni, por në fund u vendos që seanca të vijojë me personat e pranishëm.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, në raportin e tij tha se forca e ushtruar nga Policia ndaj qytetarëve ishte në proporcion me reagimin e tyre. Ai bëri të ditur se Policia ka shoqëruar 5 persona, mes tyre edhe një person që ka kërcënuar kryebashkiakun Erion Veliaj gjatë një interviste televizive. Sipas Nanos “Policia ka ndërhyrë me kërkesë të Inspektoriatit të Bashkisë Tiranë me qëllim shmangien e incidenteve gjatë prishjes së banesave të prekura nga projekti te 5 maji”.

Nano tha se ndërhyrja e policisë ka nisur në orën 7.00 të mëngjesit, por banorja Liza Marku, 79 vjeç, tha se policia kishte vajtur në banesën e saj që në orën 4.00 të mëngjesit dhe e kishin nxjerrë me dhunë jashtë pa e lënë të merrte as sendet personale.

Marku foli para komisionit të ligjeve duke akuzuar kryebashkiakun Veliaj se nuk i është përgjigjur asnjë prej kërkesave të banorëve që ia kishin nisur për 4 muaj rrjesht. Ajo tha se që prej ditës që iu shemb shtëpia fle në rrënoja, ndërsa kërkon me çdo kusht që t’i jepet një shtëpi me parametrat e asaj që iu shemb. “Punuam një jetë të tërë. Se kam ditur që do përballem me policinë e shtetit. E kam ditur që do vdes por se kam ditur që do vij këtu. Ne nuk kemi qenë në kundërshtim me projektin, ne kemi kërkuar që të vijë Veliaj dhe të na caktoj një kontratë të rregullt”- tha ajo.

Në komision ishte edhe Elson Marku, emri i të cilit u përmend nga drejtori i policisë se kishte kërcënuar Veliaj. Marku tha se kishte ardhur si përfaqësues i 128 familjeve, të cilat nuk kanë rënë dakord me bashkinë Tiranë për kontratën e shpronësimit. Ai pretendoi se në zonën ku janë shtëpitë e tyre po bëhet një projekt zhvillimor, ku do të ndërtohen jo vetëm disa pallate për të dëmtuarit e tërmetit, por kulla dhjetra-katëshe me njësi biznesi dhe qendra tregtare./ BIRN

1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu