• |
ide | kryesore

Video/ Tërbimi i Zogovic, VAR që përmbysi Jorgjin e sfida titull: ja çfarë prodhon java e 22 e Superiores

-Instant, F1, Sport, Video



Kampionati nuk ka patur ndoshta javë më të rëndësishme deri tani se ajo e 22-ta e Superiores, edhe pse sigurisht rruga është shumë e gjatë dhe cilidoqoftë verdikti i fushës në përballjet delicate, mund të ndryshojë në të ardhmen me 14 javë e 42 pikë në lojë. Përplasje kreu, mbijetesë e madje edhe derbi i kryeqytetit në një javë të ethshme që nis me përplasjen në Korcë mes Skënderbeut e Vllaznisë, që përfundoi mes polemikave. Skuadra e Memellit mori pikën e parë pas shtatë humbjeve radhazi me barazimin 2-2 ndaj Vllaznisë. Bardhekuqtë kaluan të parët në avantazh me Nikaj, por u goditën në gabimin e parë të prapavijës së tyre. Ndeshja u tensionua pas barazimit të Da Silvas në të 41, me anësorin që u godit nga tifozët, një histori e përsëritur si një ndeshjen më parë kundër Partizanit. Vllaznia mori avantazhin të minutën e 51 me Mustedanagic, por episodi problematik ndodhi kur Vrapi u përplas me Zogoviç. Gjyqtari Alla dha penallti të shndërruar në gol nga Zguro dhe ndëshkoi me të kuq portierin e shkodranëve, duke lënë kuqeblutë me 10 futbollistë në minutat e fundit.

Polemika edhe në derbin e kryeqytetit mes Partizanit e Dinamon, që do të luhet në Elbasan. Devolli merr pikën e parë që kur është ulur në pankinën e bluve, por renditja nuk përmirësohet me zonën e ftohtë shumë pranë. Në një stadium thuajse të boshatisur, skuadrat në fushë dhuruan pak emocione. Raste ishin me pikatore dhe momenti më emocionues i sfidës ishte ai në minutat e fundit kur Jorgji dha të kuq për Muratajn dhe penallti, me vendimin e dytë që u ndryshua nga VAR. humë pak për një derbi dhe për dy skuadra që kanë nisur sezonin me pretendime të mëdha, e tashmë e shohin veten jashtëzakonisht larg tyre.

E megjithatë, derbi i kryeqytetit asnjëherë nuk ka qenë më në hije se këtë javë, kur luhet sfida titull në Arenën Kombëtare. Tirana kryesuese pret Lacin ndjekës, me një distancë parakalimi prej tre pikësh, me dy skuadrat që kanë nga një fitore sezonale. Shehi vjen nga tronditja e humbjes me vendin e fundit, por bardheblutë e tij kanë treguar se dinë të reagojnë pas disfatave. Momenti, në fakt, është për bardhezinjtë e Josës me një seri prej 13 ndeshjesh pa humbje e me një shkatërrim total të një kundërshtari si Kukësi.

Formacioni i Longos në vendin e tretë duhet të reagojë shpejt ndaj Teutës, që pasi ka mbajtur në distancë zonën e ftohtë, dëshiron të stabilizojë renditjen. Të shtunën luhet në fakt edhe për mbijetesën me Egnatian dhe Kastriotin që ndahen nga një pikë, por që mjafton për të bërë diferencën mes rënies nga kategoria e shpëtimit…

SUPERIORE, JAVA E XXII

25/02/22
Skënderbeu 2-2 Vllaznia
Dinamo        0-0 Partizani
26/02/22
Egnatia       13 : 45 Kastrioti
Tirana         16 : 45 Laçi
Kukësi         16 : 45 Teuta



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *