• |
ide | kryesore

Video/ “Putin, ndaloje këtë luftë”: ky është mesazhi i kampionit të botës në boks Usyk, i kthyer në Ukrainë për të luftuar

-Instant, Sport, Video



Për të katërtën ditë radhazi, qielli mbi Kiev u ndriçua nga drita e shpërthimeve dhe luftimet vazhdojnë në të gjithë Ukrainën. Ka shumë reagime dënuese ndaj pushtimit rus që synojnë ndalimin e operacioneve të urdhëruara nga Vladimir Putin. Apeli i fundit vjen nga boksieri ukrainas Olexander Usyk, fitues i medaljes së artë në Lojërat Olimpike të Londrës 2012, që vjeshtën e kaluar i hoqi Joshuas titullin WBO në peshat e rënda: “Do të doja të flisja me popullin rus. Nëse na konsideroni vëllezër, mos i lejoni fëmijët tuaj të vijnë të luftojnë në Ukrainë”, shkruan ai nën një video të postuar në Instagram, duke iu drejtuar drejtpërdrejt Putinit: “Mund ta ndalosh këtë luftë. Ju lutem, uluni dhe negocioni me ne pa pretendime. Fëmijët tanë, gratë tona dhe gjyshet janë fshehur në bodrume. Ne qëndrojmë këtu në vendin tonë, nuk mund të bëjmë gjë tjetër veçse të mbrohemi”.

GATI PËR TË LUFTUAR — Olezander Usyk ishte në Angli për një vizitë promovuese kur filloi konflikti. Kampioni i peshave të rënda, i pari në histori që unifikoi titujt WBO, WBC, WBA, IBF, të peshave të lehta, në fakt po përgatitet për revanshin me Anthony Joshuan, të planifikuar për pranverë-verë. Pas kthimit në vendlindje, ai kishte postuar një video-mesazh në rrjetet sociale duke mohuar zërat për arratisjen e tij: “E dashur Ukrainë dhe të dashur qytetarë ukrainas. Disa media kanë shkruar se kam ikur, nuk është kështu. Isha në punë, por jam kthyer në shtëpi. Miq, duhet të bashkohemi sepse është një kohë e vështirë. Jam shumë i tronditur dhe i shqetësuar për vendin tim dhe për popullin tonë. Ne duhet ta ndalojmë këtë luftë, duhet ta ndalojmë të gjithë, së bashku.”

VËLLEZËRIT KLITSCHKO — Usyk i bashkohet deklaratave të vëllezërve Vladimir dhe Vitali Klitschko, të cilët ditët e fundit ishin shprehur në një thirrje të përbashkët sociale, duke folur në gjuhën ukrainase, ruse dhe angleze: “I kërkojmë të gjithë botës të shikojë këtë tragjedi që po godet Ukrainën. Kjo luftë e pakuptimtë që nuk do të ketë fitues, por humbës. Mos lejoni që kjo të ndodhë në Ukrainë, në Evropë dhe në botë”. Vladimiri, një ish-kampion bote, ishte regjistruar tashmë në ushtrinë rezerviste të Ukrainës, ndërsa Vitali, kryebashkiak i Kievit që nga viti 2014, konfirmoi se do të rrëmbejë armët. Së bashku ata bënë të ditur se do të luftojnë për atdheun e tyre: “Do të mbrohemi deri në pikën e fundit të gjakut – tha Vladimir në një intervistë me video për Bild – Ne jemi rritur në këtë vend, miqtë tanë, familjet tona janë këtu. Nuk mund të largohemi, nuk ka zgjidhje. Ne qëndrojmë të mbrojmë vlerën e lirisë”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *