• |
ide | kryesore

Humbja e së ëmës e depresioni, Cancelo rrëfehet: “Kam menduar të lija futbollin”

-Instant, Sport



Joao Cancelo, në një intervistë prekëse me Caroline De Moraes në Champions Journal, rrëfen se kishte menduar seriozisht të hiqte dorë nga futbolli. Një mendim, i cili e preku pas vdekjes tragjike të nënës së tij. Ishte janari i vitit 2013, e ëma sapo kishte lënë burrin e saj Jozefin në aeroport dhe gjatë rrugës së kthimit, përgjatë autostradës A2 në Seixal pranë Lisbonës, Audi 3 që ajo drejtonte u përfshi në një aksident. Filomena humbi jetën, ndërsa fëmijët e saj të cilët flinin në makinë pësuan dëmtime të lehta.

Në atë kohë, Cancelo ishte vetëm 18 vjeç dhe luante për ekipin B të Benficas. Humbja e nënës e vuri në një provë të vështirë, aq sa lojtari, sot te Manchester City, mendoi të hiqte dorë dhe të linte futbollin: “Kur humba mamanë, u ndjeva sikur isha në fund të një pusi. Ndihesha si një robot që duhej të bënte punën e tij, më pas duhej të kthehej në shtëpi, pastaj një ditë tjetër, ditë pas dite. Kur humba mamanë, nuk më pëlqente futbolli, luaja sepse duhej. Mendova vërtet të hiqja dorë sepse nuk kishte më kuptim”.

Vetëm babai i tij dhe dashuria për këtë sport arritën ta bindin që të mos dorëzohej: “Stafi i Benfikës më telefononte vazhdimisht duke më kërkuar të kthehesha, sepse besonin në potencialin tim. Babai im i la gjërat të qetësoheshin, më pas foli me mua. Më tha se ai dhe vëllai im kishin nevojë për mua, ata kishin nevojë që unë të kisha forcë për të vazhduar, sepse babai im duhej të qëndronte, ai nuk mund të kthehej më në Zvicër”.

Nuk ishte e lehtë, vazhdoi Cancelo, por në fund ia doli të kapërcejë gjithçka: “Në atë moment unë kisha nënshkruar një kontratë profesionale me Benfikën dhe shumica e parave përdoreshin për të mbajtur familjen time, ndaj vendosa të luaja sërish. Nuk ishte e lehtë në fillim. Nuk kisha as forcë e as dëshirë, por ajo biseda me babain dhe dashuria që kam për këtë sport më bëri të kapërcej gjithçka. Dashuria ime për lojën filloi të kthehej gradualisht; buzëqeshja ime u kthye ngadalë. Për këtë është jeta. Sado të mëdha të jenë humbjet tona, ne duhet të ecim përpara. Kam lexuar shumë gjëra për luftëtarët dhe disa gjëra më kanë bërë vërtet përshtypje”.

Cancelo nuk e harron të ëmën dhe në fund shpjegon se dashuria për futbollin buron prej saj: “Do të doja shumë të mund të flisja me mamanë time sepse diçka më mungon gjithmonë. Edhe kur arrij diçka të rëndësishme, ekziston gjithmonë kjo ndjesi. Është sikur të kisha gjithmonë një boshllëk në zemër, sepse ajo fizikisht nuk është. Në Portugali shkoj gjithmonë në varreza për ta parë. Aty ndihem mirë, pranë saj. Një pjesë të madhe të dashurisë sime për futbollin ia detyroj asaj. Kam kaluar momente të bukura me të. Shpesh kur luaj në stadium, këtu në Mançester apo edhe me kombëtaren, më dukej sikur e shihja, por tani ajo nuk është më”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *