• |
ide | kryesore

Osmani: Ndërkombëtarë të ushtrojmë trysni për marrëveshjen e të zhdukurve me dhunë

-Instant, Lajme, Të fundit



Këto komente Osmani i bëri teksa bëri homazhe para obeliskut në Prishtinë dedikuar personave të pagjetur, në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve.

“Siç e dini, në dialogun me Serbinë është prioritizuar çështja e të zhdukurve me dhunë dhe institucionet e Kosovës janë duke bërë të pamundurën në mënyrë që nëpërmjet këtij procesi, përfundimisht Serbia të japë të gjitha të dhënat që do të na çonin deri te zbardhja e fatit të të zhdukurve me dhunë nga lufta e fundit në Kosovë”, tha Osmani.

Në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, Kosova dhe Serbia po bisedojnë edhe për çështjen e të pagjeturve.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që është bartës i dialogut politik, ka deklaruar më herët se Serbia nuk ka pasur gatishmëri në rundin e 18 gushtit, që të nënshkruajë “dokumentin e dakorduar” për çështjen e të pagjeturve.

Ai ka thënë se mospajtimet mes Kosovës dhe Serbisë, sa i përket marrëveshjes, kanë të bëjnë me tekstin e saj. Kosova kërkon që të përdoret termi “zhdukje me dhunë”, ndërkaq Serbia kërkon përdorimin e termit “persona të zhdukur”.

“Për fat të keq Serbia akoma nuk e ka pranuar këtë propozim, por shpresojmë që me trysni ndërkombëtare që përfundimisht të arrihet kjo marrëveshje, e cila do ta shtrinte rrugën për zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë”, theksoi Osmani.

Kurti, së bashku me Osmanin, bëri homazhe para obeliskut për të pagjeturit dhe për mediat përsëriti kërkesën e tij që Serbia të hapë arkivat shtetërore, për zbardhjen e fatit të të pagjeturve.
Nga lufta e fundit në Kosovë më 1998/99, 1.617 persona ende konsiderohen të zhdukur. Shumica e tyre janë shqiptarë.

Vlerësohet se mbi 13.000 persona janë vrarë në luftën e fundit dhe mbi 6.000 ishin zhdukur. Por, mijëra mbetje mortore janë gjetur përgjatë viteve në varreza masive në Kosovë dhe Serbi./REL



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *