• |
ide | kryesore

Pagesa korruptive, shantazhi e alzhaimeri i Negreira, Tebas kërcënon Barcelonën: “Laporta dorëhiqu”

-Instant, Sport
negreira



Zhurma nuk pushon, hutimi mbetet në ajër, e po lëvizin edhe skuadrat. Cështja arbitra, me pagesat, bujare dhe të përsëritura, të Barcelonës ndaj ish-arbitrit Jose Maria Enriquez Negreira ka shumë hije përreth.

SHTATË MILIONË EURO

Çështja përmblidhet shpejt. Për gati njëzet vjet, midis 2001 dhe 2018, Fútbol Club Barcelona pagoi Dasnil95, kompaninë e arbitrit me mbi 7 milionë euro. Enriquez Negreira ishte arbitër nga viti 1982 deri në vitin 1994. Më pas ai u bë zv/president i Kolegjit Arbitral, nga ku u largua në vitin 2018. Në atë moment Barcelona ndaloi së paguari. Arbitri u tërbua, duke kërcënuar me hakmarrje. Klubi i Camp Nou është mbrojtur prej ditësh duke thënë se ishte një konsulencë e thjeshtë, një praktikë e zakonshme për të gjitha klubet e La Liga. E është e vërtetë që shumë skuadra u drejtohen ish-arbitrave për informacione mbi rregulloret dhe sjelljen. Por situata është shumë e ndryshme kur ish-arbitri është pjesë aktive e sistemit dhe ka fuqi vendimmarrëse. Pagesat e bëra nga Barcelona janë të ekzagjeruara dhe shpjegimet e Dasnil95 janë shumë të sfumuara.

GATI TË DENONCOJË

Presidenti i La Liga, Tebas, është dukur më luftarak dje. “Po, nëse Laporta nuk mund të shpjegojë se çfarë ka ndodhur në të vërtetë ai duhet të japë dorëheqjen”. Presidenti i La Liga më pas shtoi se po e ndjek çështjen me shqetësim dhe vëmendje. Tebas konfirmoi se nëse krimi nuk mund të ndiqet penalisht në Spanjë për shkak të çështjeve kohore, La Liga është gati të raportojë çështjen tek ato institucione që ende mund të ndërhyjnë në nivel ndëshkues, FIFA dhe UEFA: “Laporta bëri disa deklarata sipërfaqësore – tha Tebas -. Ai thotë se me sa duket është diçka që e kanë bërë të gjitha klubet. Por është një gjë të paguash një ish-arbitër, e një tjetër kur ky është pjesë e Komitetit. Është një çështje që do të doja të sqarohej edhe pse ka kaluar një kohë e gjatë. Ne jemi ankuar te FIFA dhe Uefa për klube të tjera europiane si Psg, Manchester City apo Juventus. Por nëse ka elementë do të bëjmë të njëjtën gjë me Barcelonën”.

ALZHAIMER

Ndërkohë mëngjesin e sotëm doli se Enriquez Negreira vuan nga Alzhaimer. Këtë, sipas gazetës El Español, e ka raportuar avokati i tij. Ai ka paraqitur një dosje mjekësore në polici, e cila po ndjek rastin. Kujtojmë se pagesat e Barcelonës ndaj ish-arbitrit kanë dalë nga një denoncim i karakterit tatimor. Për momentin Enriquez Negreira ka zgjedhur të mos bëjë deklarata para hetuesve. Nëse Alzhaimeri do të konfirmohej, do ta ndërlikonte edhe më shumë paraqitjen e tij para gjykatësit.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *