• |
ide | kryesore

Haaland tmerron mbrojtësit e Bayern, City kërkon gjysmëfinalen: Inter ëndërron katërshen pas 13 vitesh

-Instant, F1, Sport
city



Reflektorët e futbollit evropian ndizen në ndeshjet çerekfinale të Champions League. Sytë e të gjithëve do të drejtohen në Etihad Stadium sonte, atje ku Manchester City pret në ndeshjen e parë Bayern Munich. Si mund të fle gjumë një mbrojtës përpara sfidës me Haaland? Pyetjes provokuese që iu bë de Ligt, holandezi do të përpiqet ta tregojë në fushë. Ndeshja tjetër është ajo mes Benfica e Inter, me zikaltrit që insistojnë të shkojnë në katër më të mirët e Europës pas një mungese 13 vjecare.

MANCHESTER CITY – BAYERN MUNCHEN

City përfundoi i pari në grupin e tyre për sezonin e gjashtë radhazi nën drejtimin e Guardiolës. Tani anglezët shpresojë të zgjasin ecurinë mbresëlënëse prej 24 ndeshjesh pa humbje në shtëpi edhe ndaj Bayern. 22 fitore e 2 barazime të arritura nga të besuarit e Guardiolës, që e dinë mirë se përballen me një prej pretendentëve për trofeun. Në fakt, City mund të hyjë në histori pasi një fitore ose barazim do të vendoste një rekord që askush nga skuadrat angleze nuk e ka bërë. Njeriu që kërkon t’i japë fund kësaj ecurie nuk është askush tjetër përveç Thomas Tuchel. Ndoshta jo rastësisht, ish-trajneri i Chelsea, që mposhti City në finalen e vitit 2021.

MANCHESTER CITY

Guardiola do të jetë në gjendje të rreshtojë një skuadër pothuajse të plotë për këtë përplasje. Phil Foden i vetmi që mungon, ndërsa po rikuperohet nga heqja e apendisitit. Tekniku i City nuk ka ndryshuar shumë me formacionin e tij në javët e fundit. E 11-shja mund të mbetet kryesisht e pandryshuar nga ajo që mundi Southampton në kampionat. Bernardo Silva mund të zëvendësojë Riyad Mahrez pasi mesfushori portugez luajti 90 minuta në të dyja ndeshjet kundër Leipzig në raundin e fundit. Mbrojtja me tre duhet të mbetet e pandryshuar, që do të thotë se nuk ka më vend për Aymeric Laporte. Në anën tjetër, John Stones vazhdon të shkëlqejë në një rol në mesfushë, duke u preferuar para Kalvin Phillips.

BAYERN MUNCHEN

Tuchel do të zbresë në Mançester pa një qendërsulmues natyral në formë. Eric-Maxim Choupo-Moting do të humbasë ndeshjen me një problem në gju. Serge Gnabry u përdor në një rol si qendror në fitoren ndaj Freiburg. Por Thomas Muller gjithashtu ka luajtur në atë pozicion në të kaluarën. Leon Goretzka që pritet të kthehet në skuadër pasi pushimit kundër Freiburg. Kështu, Jamal Musiala mund të avancojë përpara, me Muller që do të përdoret si qendërsulmues. Vështirësitë e Sadio Mane mund ta bëjnë atë të zëvendësohet në krahun e majtë nga Kingsley Coman. Francezi shënoi golin shumë të rëndësishëm të fitores në Paris, në ndeshjen e parë të 1/8.

FORMACIONET E MUNDSHËM

Manchester City:
Ederson; Akanji, Ruben Dias, Ake; Stones, Rodri, Bernardo Silva, De Bruyne, Gundogan, Grealish; Haaland

Bayern Munich:
Sommer; Pavard, De Ligt, Upamecano, Davies; Goretzka, Kimmich, Sane, Musiala, Coman; Muller

Lexo më tej: Kthehet nga dëmtimi, shënon e thyer rekord të ri: Haaland 200 gola në karrierë, kalon edhe Messi e CR7

BENFICA – INTER

Përballë Benfica, zikaltrit e Inter duhet të gjejnë moralin dhe mbi të gjitha shënjestrën. Ato gola që mungojnë dhe nuk mbërrijnë pavarësisht mundësive të krijuara. 87 goditje dhe vetëm dy gola në katër ndeshjet e fundit, është një sinjal i qartë për sulmuesit. Ndeshja në Da Luz është një tjetër udhëkryq sezonal për Interin. Presidenti Steven Zhang do të jetë gjithashtu në fluturimin çarter për në Lisbonë me lojtarët, stafin dhe pjesën tjetër të drejtuesve.

BENFICA

Një problem në gju do të thotë se Goncalo Guedes është jashtë fushës për portugezët. Operacioni i Julian Draxler në kavilje përjashton të huazuarin nga Paris Saint-Germain për takimin me Inter. Mungesa e madhe është ajo e Nicolas Otamendi, i pezulluar. Mihailo Ristic ka munguar që nga shkurti për shkak të një problemi në ijë dhe mbrojtësi i majtë ka të ngjarë të mungojë edhe kundër Inter. Alex Grimaldo, dy gola dhe tre asist në Champions League këtë sezon, mund të ketë një tjetër paraqitje në të majtë të mbrojtjes. Mbrojtësi i djathtë Alexander Bah u tërhoq pas 26 minutash nga O Classico dhe do të zëvendësohet në formacion nga Gilberto, nëse nuk ia del.

INTER

Andre Onana pritet të mbajë vendin e tij mes shtyllave, pavarësisht gafës në golin e Candreva ndaj Salernitanës. Milan Skriniar dhe Hakan Calhanoglu mund të mos marrin pjesë në ndeshje. Mesfushori turk u dëmtua me kombëtaren dhe nuk ia del. Në vend të tij Brozovic preferohet para Asllanit. Në prapavijë, Federico Dimarco mund të kthehet në krahun e majtë, duke zëvendësuar Robin Gosens.

FORMACIONET E MUNDSHËM

Benfica:
Vlachodimos; Gilberto, Silva, Verissimo, Grimaldo; Luis, Chiquinho; Mario, Silva, Aursnes; Ramos

Inter:
Onana; D’Ambrosio, De Vrij, Bastoni; Darmian, Barella, Brozovic, Mkhitaryan, Dimarco; Martinez, Dzeko

Quarter-Finals Champions League

21:00 Benfica – Inter
21:00 Manchester City – Bayern Munich



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *