• |
ide | kryesore

“Ishte një gol i anuluar”. Çela shpërthen kundër arbitrimit dhe jo vetëm: “Nuk është më në dorën tonë”

-Instant, Sport
Çela



“Kam gjithë kampionatin nuk kam goditur në asnjë zëvendësim. Jam i kënaqur nga ekipi, se bënë çdo gjë që kishin punuar. Nuk mund të flas për jashtë futbollit sepse jam shumë por shumë i mërzitur”. Emiljano Çela është sarkastik pas barazimit pa gola me Erzenin, që e la Kastriotin e tij të fundit e të shkëputur. Tekniku i krutanëve nuk e ka kapërcyer dot atmosferën që është krijuar mbi ekipin e tij. Sidomos pas konsiderimit të pasigurtë të stadiumit të Kamzës dhe kërcënimeve të arbitrave që i janë atribuuar klubit të Kastriotit.

Lexo më tej: Video/ Kastriotit i anulohet goli, Çela merr pikë mbijetesë në shtëpinë e Erzenit mes polemikave

Çela nuk ka rezistuar dot provokimit për mundësinë e fitores së Erzenit përballë formacionit të tij: “Po si të fitojë Erzeni me ne? Po nuk ka shanse të fitojë, jemi ekip më i mirë. Kemi pasur disa probleme ndeshjet e fundit, ne po pësojmë trauma të njëpasnjëshme, sot kërkova ekuilibra. Sot patjetër meritonim më shumë”, tha Çela, duke sulmuar edhe arbitrimin. “Ishte një gol i anuluar, nuk e di ç’mendoni ju, për mua ishte gol. Ne do bëjmë maksimumin tonë, punojmë çdo ditë, lojtarët po përgjigjen në mënyrë perfekte. Do bëjmë maksimumin se sa do realizohet nuk e di. Ashtu si po shkon kampionati nuk është më në dorën tonë”.

DELIALLISI: “ISHTE REZULTATI MË I DREJTË”

“Në pjesën e dytë mendoj se dominuam lojën dhe me pak besim mund të fitonim ndeshjen. Por dihej rëndësia dhe presioni ishte i dukshëm, ndonëse u munduam të largonim presionin nga lojtarët gjatë javës. Por mendojmë se barazimi ishte rezultati më i drejtë për të dy ekipet”. Zv/trajneri i Erzenit Alfred Deliallisi ka folur mbi problemet e skuadrës së tij, pas barazimit 0-0 me Kastriotin. Serie negative e shijakasve është shumë e gjatë: vetëm një fitore në 11 ndeshjet e fundit. “Për një ekip si ne, mënyra si u ndërtuam e të gjitha, mungesat e lojtarëve janë shumë, kur bëhet fjalë për 5-6 lojtarë. Në pjesën e dytë të sezonit na kanë penalizuar. Sadiki, Asani u dëmtua përsëri, Alan me kartonë. Mendoj se nuk kishim shumë alternativa për të freskuar mesfushën ku me zëvendësime mund të bënim pak më shumë”.

Tani gjithcka mund të ndodhë në 8 ndeshjet e mbetura, ku edhe shijakasit mund të rrezikojnë rënien: “Ne do të mundohemi që të marrim ndeshjet një nga një. Mendoj se me kthimin e të dëmtuarve do të kthehet ekipi që ka qenë. Besimi është, presioni nuk ka qenë asnjëherë te lojtarët dhe stafi. Punojmë jashtëzakonisht të qetë. Shpresojmë dhe lutemi të na kthehen të dëmtuarit. Ky është ekipi që ka bërë krenar gjithë qytetin. E ky është i njëjti që do të marrë rezultate pozitive”, tha Deliallisi.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *