Vllaznia nuk ndalet në tentativën për të lehtësuar barrën e pagave me ata lojtarë që nuk dhanë kurrë në Shkodër atë që pritej. Një revolucion i vërtetë te kuqeblutë me 11 lojtarë të larguar nga fundi i majit kur u mbyll kampionati e deri tani. Një formacion i plotë (në rol mungon vetëm portieri) që dështuan te Vllaznia. Sulmuesit Kaina Nunes, Aralica e Hoxhaj janë larguar. Nuk ka patur vend në projektin e Plorit as mesfushorët Heric, Jonuzi, Vulaj e Kruja. Kanë përfunduar gjithashtu mardhënien e tyre me kuqeblutë edhe mbrojtësit Bulatovic, Gurishta e së fundmi Dajan Shehi. Mbrojtësi është zyrtarizuar i larguar në të njëjtën ditë me Liridon Latifin.
Pas dy vitesh në Shkodër, sezoni i fundit nuk ishte fare entuziast, me lojtarin shpesh viktimë e dëmtimeve. E kështu pas vetëm 23 ndeshjesh në të gjitha kompeticionit, Latifi e mbylli me 3 gola e 1 asist. Shifra aspak optimiste për për një lojtar paga e të cilit rëndon më shumë se e gjithë të tjerëve në arkat e klubit. Në pozita të tilla, Vllaznia luajti me ulje. Kuqeblutë i ofruan rinovimin me kushte të pranueshme për performancën e vitit të fundit. Sipas asaj që mësohet nga burime brenda klubit, lojtari përmes menaxherit të tij, që është i ati, kërkoi 130 000 euro në vit. Praktikisht 11 në muaj. Oferta e bërë nga shkodranët ishte 6300 euro në muaj e në këtë pikë divorci ishte i pashmangshëm.
Lexo më tej: Latifi e Grezda, Tirana duhet të zgjedhë: rinovon Aleksi, pritet Doka
TIRANA NË PRITJE
Kërkesa e lartë financiare ka bërë që edhe Tirana të stepet, me bardheblutë që janë të vetmit në Superiore në kontakt të vazhdueshëm me lojtarin. Latifi ka refuzuar propozimin e parë prej 8 mijë euro në muaj. Kryeqytetasit gjithësesi nuk kanë ndërmend të shkojnë me rritje përtej kësaj shifre, për një lojtar që ka luajtur vetëm 1087’ gjithë sezonin.