• |
ide | kryesore

Takimi i presidentëve, del huq: asnjë vendim për skemën e Superiores, klubet akordohen për disa ndryshime

-Instant, F1, Sport, Video
presidentëve



Rritja e garës, numrit të spektatorëve dhe të ardhurave është objektivi kryesor i debateve për ndryshimin e skemës së kampionatit të Superiores. E megjithatë, asnjë vendim final nuk është marrë në përfundim të mbledhjes, mes krerëve të FSHF-së dhe 10 presidentëve të klubeve, mbi propozimet për ndryshimin e mundshëm të formatit.

“Objektivi për këtë propozim është që të ketë më shumë garë – tha presidenti i FSHF-së Armand Duka -. E gjitha me tendencën për të pasur më shumë spektatorë, për të promovuar më shumë kampionatin shqiptar, për t’i dhuruar spektatorëve ndeshje me më shumë nivel kompetitiv në fundin e kampionatit”. “Bëjmë këtë konsultim, pastaj të marrim një vendim për të ndryshuar diçka në sezonin 2023-2023, ose dhe në sezonin e ardhshëm, ose të qëndrojmë kështu siç jemi. Padyshim që me skemat e propozuara, synohet të ketë më shumë spektatorë në stadium, duke shfrytëzuar dhe stadiumin ‘Air Albania’”.

KATËR OPSIONET E FORMATIT

Përfaqësuesit e këtij Departamenti në UEFA kanë sjellë 4 opsione të ndryshme, me disa variante për secilin propozim. Ky material është analizuar nga specialistë në FSHF: “Nga studimet që kemi bërë dhe nga materiali që kemi përgatitur, kampionati ynë ka disa karakteristika pozitive, në krahasim me kampionatet e tjera. Një nga karakteristikat pozitive që kemi ne është që diferenca me vendin e parë me të fundit nuk është dhe aq i madh, ose është më i miri krahasuar me kampionatet e tjera”.

“Kampionati mendohet që të fillohet siç ka qenë me 10 skuadra, me tre ose katër faza, duke parë dhe numrin e ndeshjeve. Dhe pastaj ose të ketë një finale me katër skuadra me skema të ndryshme, ose ndarje me “play off”, kryesisht këto ndeshje të luhen në “Air Albania”, që sipas statistikave ka një numër mesatar tifozësh mbi 14.000. Këto ndeshje të kthehen derbi jo vetëm Tirana, Partizani, Dinamo, por edhe me skuadrat e tjera”.

SI DO TË PROCEDOHET

E megjithatë, pasi Shefi i Sektorit të Garave, Sulejmani, shpalosi para presidentëve të klubeve formatet e ndryshme për kampionatin, asnjë vendim final nuk u mor. Diskutimet teknike nga të gjithë të pranishmit e lanë cështjen pezull. Në ditët në vijim pritet që Departamenti i Garave së bashku me Departamentin Juridik dhe atë të Marketingut të finalizojnë dokumentin përfundimtar. Dokumenti do të hartohet nisur dhe nga sugjerimet e bëra nga klubet, që parimisht ishin dakord për të bërë ndryshime. E vetëm atëherë materiali do t’i dërgohet Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së për miratim.

https://youtu.be/Zh7rnGCo4Rc



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *