• |
ide | kryesore

Sulejmani e Kurti, gjenerata e re kuqezi: reportazhi i Sky Sport Italia mbi ‘sekretet’ e lëvizjes futbollistike shqiptare

-Instant, F1, Sport
Sky Sport Italia



Shqipëria e futbollit është futur tashmë në një nivel të ri. Shumë pak mund të kenë qenë largpamësit që kishin menduar “vërshimin” e lojtarëve kuqezi në kampionatin e përtej Adriatikut. E ndërsa shtohet prezenca e lojtarëve të afirmuar, është edhe një gjeneratë e re talentesh që po rriten në Itali. Pikërisht këtij brezi i ka kushtuar një reportazh Sky Sport Italia, që mori shkas nga miqësorja e Shqipërisë U-19 me Italinë U-19 në qendrën teknike të Koverçanos. Emisioni televiziv “La Giovane Italia” i kanalit “Sky Sport Italia” ka realizuar një reportazh për ekipin kuqezi dhe stafin teknik. Së bashku me kuqezinjtë ka qenë edhe Drejtori Teknik i FSHF-së, Fulvio Pea, i cili ka rrëfyer punën dhe projektet e Federatës veçanërisht në sektorin e të rinjve në ekipet kombëtare të moshave dhe si po rritet lëvizja futbollistike në Shqipëri.

VIZIONI ITALIAN I DREJTORIT TEKNIK PLEA

“Dua t’ju sjell në botën e kombëtares U-19 të Shqipërisë që t’ju njoh me të rinjtë e Shqipërisë. Në FSHF jam supervizor i 6 departamenteve, por sigurisht, fokusi im kryesor janë ekipet kombëtare të moshave, që kishin nevojë për një projekt të ri, dhe e kemi krijuar e po e zhvillojmë së bashku me trajnerët tanë, të cilët punojnë me kohë të plotë dhe ky është një aspekt shumë i rëndësishëm dhe shumë pozitiv, që Presidenti i FSHF-së e ka kërkuar dhe është pikërisht ai që po na ndihmon të bëjmë disa hapa përpara drejt objektivit tonë, që është të përmirësojmë cilësinë e lojtarit mesatar përmes stërvitshmërisë”, – thotë Pea duke folur për mikrofonin e “Sky” në qendrën teknike të Italisë në Koverçano, aty ku edhe u luajt miqësorja e radhës.

Ne po punojmë sipas ideve të tij dhe ka edhe projekte të tjera që na presin. Sot Shqipëria e futbollit është një realitet që përpiqet të përmirësohet, të rritet, ka dëshirë të njohë sa më shumë dhe është një territor që duhet mbajtur në konsideratë, sepse FSHF me kalimin e kohës është kthyer në një federatë ambicioze”, theksoi Pea.

“Puna me kohë të plotë të jep mundësinë të jetosh çdo ditë me punën në federatë, të ndash me të tjerët mendimet e tua dhe duke qenë se futbolli është një lojë skuadre, kjo gjë dhe lidhjet përshpejtojnë proceset për të arritur tek arritja e objektivit. Kam punuar vite më parë me futbollin e të rinjve, paraditeve punoja dhe pasditeve stërvitja ekipin, madje edhe mbrëmjeve më duhej të punoja. Koha që kisha për t’ia dedikuar studimeve ishte e pakët. Kush punon me kohë të plotë sigurisht që ka mundësi të përmirësojë para së gjithash veten dhe pastaj edhe punën e tij”.

EKSPERIENCA E HUAZUAR NGA INTER I MOURINHO

Më tej, ai tregon edhe pak nga eksperienca e tij me skuadrën e të rinjve tek Interi, ndërkohë që trajneri i ekipit të parë ishte portugezi i famshëm Joze Mourinho, një njeri që vlerësonte shumë punën me të rinjtë.

“Ndonjëherë të rinjtë shërbejnë pak, por duhen në momentet vendimtare. Unë besoj se marrëdhënia mes trajnerit të ekipit të parë dhe ekipit U-19 është shumë i rëndësishëm, sepse ky binom mund të sjellë rezultate në të dyja drejtimet. Rezultatet janë sigurisht sportive, por edhe në rritjen e lojtarëve, sepse ne që punojmë në prapaskenë e kuptojmë se sa e rëndësishme është të kesh një futbollist që rritet, por duke e ditur që është i huazuar apo në provë për një periudhë, sepse kur kthehet nuk humbet kohë në rritjen e tij.

Trajneri Mourinho tek Interi më dha mundësinë të përjetoja punën me ekipin e parë të Interit të përbërë nga kampionë. Nuk ishte diçka e zakonshme në atë periudhë që një trajner i ekipit U-19 të shikonte vazhdimisht stërvitjen e skuadrës së parë të një klubi. Ai më dha këtë mundësi, që të shikoja një botë të re për mua. Aty pashë nga afër shumëçka për mënyrën se si ai punonte, një personazh i jashtëzakonshëm, jo vetëm si trajner që dihet tashmë, por edhe për një pjesë që mua si trajner të U-19 më dha një konsideratë befasuese dhe për këtë e vlerësoj shumë”, – u shpreh Pea për “Sky Sport Italia”.

BULKU, “NXËNËSI” I ITALIANËVE

Edhe trajneri i Kombëtares U-19, Ervin Bulku, ka vlerësuar bashkëpunimin e mirë me Federatën Italiane, por edhe kontributin që kanë dhënë teknikët italianë për Kombëtaren A ndër vite duke ndihmuar kuqezinjtë të rriten me eksperiencën e tyre.

“Është një eksperiencë e bukur, sepse unë kam punuar për shumë vite me trajnerët italianë të Kombëtares si Gianni De Biasi, Christian Panucci dhe Edoardo Reja, një trajneri i madhe dhe me shumë eksperiencë. Edhe De Biasi ka shkruar historinë me kombëtaren shqiptare. Me Federatën Italiane kemi një raport shumë të mirë dhe më duhet të falënderoj federatën dhe italianët, sepse na kanë ndihmuar shumë për t’u rritur si kombëtare apo edhe sektorin e të rinjve. Shpresojmë që të rritemi së bashku dhe të përfitojmë nga eksperienca e tyre dhe të urojmë që të ecim përpara me projektin tonë, pasi kohët e fundit kemi bërë shumë punë të mira me një stadium të ri apo edhe me investimet në infrastrukturë”, – tha Ervin Bulku për “Sky Sport Italia”.

SULEJMANI E KURTI, BREZI I RI I ARTË

Në fund, personazhe të këtij reportazhi të Sky Sport Italia, kanë qenë edhe dy nga futbollistët kuqezi, Flavio Sulejmani dhe Adi Kurti. Të dy aktivizohen me skuadrat italiane dhe janë dy nga më premtuesit e kësaj gjenerate.

Sulejmani, i rritur në Itali si futbollist, ndihet shumë krenar që vesh fanellën kuqezi, ndërsa jep edhe mendimin e tij për aftësitë e Kurtit. “Jam krenar që jam thirrur të bëj pjesë në Kombëtaren U-19 të Shqipërisë, por edhe sepse është hera e parë që stërviten në qendrën teknike të Koverçanos. Adi për mua ka mentalitetin e duhur, përveç cilësisë në fushë, për të bërë një karrierë shumë të mirë në futboll. Është gjithmonë i fokusuar në stërvitje dhe më pëlqen mënyra se si ai punon”, thotë sulmuesi.

Mbrojtësi, nga ana e tij, tregon pak nga eksperienca e tij me kombëtaren, klubet dhe si ndihet me Sulejmanin në një ekip: “Jam shumë i lumtur për eksperiencë time në Itali. Kam luajtur një vit te Sampdoria, ndërsa këtë sezon shkova te Verona. Ndihem mirë me trajnerin Bulku, sepse kërkon nga ne shpirtin e duhur të garës e të grupit, agresivitet, gjëra që më pëlqejnë”.

“Flavio është shumë i fortë në një kundër një. Edhe në duelet ajrore është gjithashtu i fortë, shënon gjithmonë, edhe me klubin dhe me Kombëtaren. Kur luan kundër meje në stërvitje, nuk më kalon kurrë”, – përfundon Adi Kurti.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *