• |
ide | kryesore

Video/ Në fushë gati një vit nga dëmtimi: debuton Broja, Chelsea humbet me 10 lojtarë. Liverpool i dyti

F1, Sport, Video
Broja



Gola dhe emocione në pasditen e Premier League, që riktheu në fushë sulmuesin e kombëtares së Shqipërisë Armando Broja. Gati një vit nga dëmtimi, shkodrani debutoi me fanellën e Chelsea këtë sezon, në humbjen 0-1 ndaj Aston Villa. Rreth 20 minuta më gjithë shtesën për talentin kuqezi, që nuk ndryshoi dot fatet e ndeshjes që Blues e luajtën nga pjesa e parë me 10 lojtarë. Vëmendja kryesore megjithatë ishte në derbin e Londrës së Veriut. Arsenal dhe Tottenhami nuk i bënë keq njëri-tjetrit, me Son (dygolësh) që ndaloi Gunners në barazimin 2-2 në Emirates. Skuadrat vazhdojnë krah për krah me 14 pikë, ndërsa Liverpool arrin -2 nga Man City në krye të renditjes. Klopp mposhti West Ham 3-1 dhe ngjitet në kuotën e 16 pikëve. 3-1 edhe për Brighton, i cili është i treti.

ARSENAL-TOTTENHAM 2-2

Barazim absolut në derbin e Londrës së Veriut. Arsenal dhe Tottenham ndalen në 2-2, duke mbetur ngjitur në renditje me 14 pikë. Spurs filluan në sulm, por panë golin e Son të anulohet. Në anën tjetër, Vicario u desh të bënte një pritje të shkëlqyer ndaj Saka. Goli që zhbllokoi ndeshjen erdhi në minutën e 26′, në mënyrën më të paparashikueshme. Romero zhvendosi portierin Vicario me një devijim në goditjen e Saka duke shënuar autogol. Gabriel Jesus për pak sa nuk dyfishoi epërsinë, por reagimi i Tottenham erdhi në minutën e 38′, kur Raya priti goditjen e Brennan Johnson. Në minutën e 42′, Son Heung-min barazoi duke shënuar pas krosimit të Maddison.

E megjithatë ekuilibri do të prishet sërish 8 minuta nga rifillimi. Protagonist negativ ishte përsëri Romero, që shkaktoi penalltinë e shndërruar nga Saka në minutën e 53′. Epërsia e Gunners zgjati vetëm dy minuta. Gabimi i Jorginho aktivizoi Maddison, që shërbeu për Son. Kapiteni i Spurs nuk gaboi dhe bëri 2-2. Nuk ka më gola dhe përfundoi 2-2. Arsenal dhe Tottenham janë tashmë dy pikë nga maja.

LIVERPOOL-WEST HAM 3-1

Liverpool mposht West Ham 3-1 dhe arrin -2 nga Manchester City në vendin e dytë të Premier League. 16 pikë për Klopp dhe Guardiolën, përpara Brighton (15) dhe Arsenal dhe Tottenham të Londrës (14). Fillim i shkëlqyer për Hammers, menjëherë agresiv dhe të rrezikshëm me Soucek. Edhe Michail Antonio ishte afër golit, por vendasit kaluan në epërsi në minutën e 16′. Aguerd pengoi Salah dhe shkaktoi penallti, e konvertuar nga egjiptiani për avantazhin 1-0. Liverpool diktoi ritmin, por Szoboszlai dhe Mac Allister nuk mundën t’i shërbenin sulmuesve. E kështu Reds u ndëshkuan në minutën e 42′. Bowen shënoi me kokë, duke ringjallur West Ham në minutat e fundit.

Në pjesën e dytë, Darwin Nunez shënoi avantazhin e ri në minutën e 60′, pas asistit të Mac Allister. West Ham ishte në vështirësi të mëdha dhe Moyes e aktivizoi Kudus vetëm në minutën e 73′, pavarësisht dygolëshit të tij në Europa League. Ish-lojtari i Ajax nuk pati kohë për të qenë i rrezikshëm, ndërsa Liverpool e mbyll ndeshjen me golin e 3-1. Diogo Jota bëri tris në asistin e van Dijk dhe Liverpool mund të festojë arritjen e vendit të dytë.

CHELSEA-ASTON VILLA 0-1

Kriza vazhdon te Chelsea, që ka shpenzuar një miliard në vit dhe ende mban zonat më pak fisnike të renditjes së Premier League. Pesë pikë në gjashtë ndeshje për Blues, të mundur 1-0 nga Aston Villa. Chelsea pa golin e Disasi në minutën e 44′ të anulohet dhe ndoshta ishte pika e kthesës. Pochettino u tërbua për kohën e “shkurtër” shtesë pas dëmtimit të Gillett, por në pjesën e dytë gjërat shkuan edhe më keq për Blues. Londinezët mbetën me dhjetë lojtarë, kur Malo Gusto u ndëshkua me karton të kuq për një faull të rrezikshëm ndaj Digne. Në minutën e 73′ Watkins i shpëtoi mbulimit të mbrojtjes dhe shënoi golin e avantazhit për Aston Villa.

Në fushë edhe Broja, i duartrokitur nga tifozët, në rikthimin e tij nga dëmtimi pas një viti. Presioni i fundit i Chelsea krijoi vetëm një shans për Palmeri, që nuk arrin të gjejë golin e barazimit në kohën shtesë. Aston Villa fitoi 1-0, duke u renditur në vendin e gjashtë me 12 pikë. Krizë e zezë për Chelsea, i 14 me pesë pikë dhe vetëm një fitore në gjashtë ndeshje. Për Blues është më pranë zona e rënies se ajo europiane. Lajmi i mirë për Pochettino dhe kombëtaren shqiptare janë minutat për sulmuesin e rikthyer Armando Broja.

Premier League England

Arsenal 2-2 Tottenham Hotspur
Brighton 3-1 Bournemouth
Chelsea 0-1 Aston Villa
Liverpool 3-1 West Ham United



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *