• |
ide | kryesore

“Broja mund të prishë ekuilibrat”: Faruk Sejdini kontrovers, ul sulmuesin e Chelsea në pankinë

-Instant, Sport
sejdini



Rikthimi i Armando Brojës është lajmi që ka entuzizmuar më së shumti tifozët kuqezi, përpara ndeshjes së rëndësishme me Çekinë. Për herë të parë që kur është ulur në pankinën e Shqipërisë, Sylvinho do të ketë në dispozicion edhe shkodranin 22 vjeçar. Pas gati një viti, sulmuesi i Chelsea është kthyer në aktivitet, duke shënuar edhe një gol në Premier League. E megjithatë, ajo që e bën skeptik ish-trajnerin Faruk Sejdini është se shkodrani mund të prishë ekuilibrat.

BROJA MUND TË PRISHË EKUILIBRAT

Për 73 vjeçarin shkodrani duhet të nisë nga pankina, të paktën për këtë ndeshje. “Broja meriton që të jetë patjetër në ekip, por unë do të isha i mendimit që të mos luante nga minuta nga e minuta e parë. Për ne që kemi ndjekur futbollin me vite dhe nga brenda fushe them se një lojtar si Broja mund të prishte disa ekuilibra, të cilët janë të padukshëm për njerëzit që shohin nga ekrani. Shqipëria ka krijuar disa ekuilibra të cilët mendoj se duhet të ruhen edhe në këtë ndeshje”, arsyetoi Sejdini.

Një deklaratë e fortë që është e destinuar të krijojë shumë kundërshtime, nga ata tifozë që mezi presin ta shohin në fushë, me shpresën që Broja të jetë në gjendje të performojë në stilin e atyre prezantimeve që fundosën dy herë Hungarinë. Sigurisht mbetet për tu parë se cfarë do të ndodhë, sepse vërtetë një si Broja, në maksimum, është i aftë ta bëjë skuadrën të fitojë ndeshjet. Ndërsa kthimin e tij me kuqezinjtë i takon brazilianit Sylvinho ta menaxhojë si duhet.

FRIKË NGA NXITJA E TIFOZËVE

Dy ditë nga sfida me Republikën Çeke, për kualifikueset e Euro 2024, pritshmëria është në majë. Ëndërrat për prezantimin për herë të dytë në finalet e një Europiani janë shumë pranë të bërit realitet. Një faktor që e bën Faruk Sejdinin, një që futbollin e njeh mirë, të shqetësohet. Ish-tekniku i frikësohet një euforie, edhe për shkak të nxitjes nga tifozët, ndaj apelon për kujdes: “Kjo është ndeshja karakterit, është një ndeshje ku ne duhet të bëjmë kujdes dhe të mos futemi në fushë me mendjen se duhet të fitojmë me doemos. Tifozët duan të fitojnë dhe mund të nxisin lojtarët, por ne nuk duhet të marrim çiften e të lëmë derën hapur”, tha Faruk Sejdini.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *