• |
ide | kryesore

Tifozi i Boca Jr vetëvrasje pas humbjes në Libertadores, e ëma: “Mendoja se bënte shaka”

-Instant, Sport, Video
Boca



Dramë absurde pas finales së Copa Libertadores të fituar të shtunën e kaluar nga Fluminense ndaj Boca Juniors në kohën shtesë. Një tifoz i skuadrës argjentinase kreu vetëvrasje për shkak të zhgënjimit të humbjes. 23-vjeçari Marcelo Alejandro Morales, një oficer i ri policie nga Buenos Aires, e la familjen e tij në pikëllim. E ky gjest nuk ka të bëjë aspak me një ndeshje futbolli të humbur.

Sipas nënës së Marcelos, djali i saj në ditët para ndeshjes në Maracanã kishte shprehur synimin për të vrarë veten nëse verdheblutë nuk do të fitonin finalen. Gruaja, e tronditur, i ftoi të rinjtë të reflektonin. Ajo i  kërkoi atyre të mendonin me kujdes për ndikimin e veprimeve të tyre në familjet e tyre: “Nuk e mendoja se djali im do të shkonte deri në atë pikë sa të vriste veten. Javë më parë ai i tha babait të tij: ‘Nëse Boca nuk fiton më 4 nëntor do të vras veten’. Menduam se po bënte shaka. Të rinjtë duhet të jenë të vetëdijshëm, të mendojnë për familjen e tyre.”

KURSIMET TË VËLLAIT

I riu Morales i la gjithçka vëllait të tij para se të vdiste, duke i transferuar atij kursimet. Një gjest i fundit që të bën të dridhesh edhe më shumë, se si tifozllëku mund të shpërthejë sferën irracionale të disa njerëzve. Nëna e tij Veronica, mes lotësh, deklaroi se polici “kishte një jetë normale, nuk ishte djalë i keq, nuk konsumonte asgjë. Ai shkonte nga puna në shtëpi. I përshëndeste të gjithë me respekt”.

Për sa i përket fanatizmit të tij për Xeneizes, gruaja shtoi: “Marcelo ishte një tifoz i Boca Jr, nëse humbiste trishtohej. Thoshte se Boca ishte gjëja më e madhe. Ma vranë. Tani nuk e kam më dhe asnjë lojtar nuk më shprehu ngushëllimet e tij”. Ishte pikërisht e ëma ajo që e gjeti djalin të shtrirë në dhomën e tij. Ai qëlloi veten në ballë, plumbi i kaloi në kafkë dhe i doli nga pjesa e pasme e qafës. Një tragjedi e madhe, por nuk mund të vdesësh kështu për një ndeshje futbolli.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *