• |
ide | kryesore

Kupa/ Egnatia luan në shtëpinë e ‘ekspertëve’: në çerekfinale përplasen ekstremet e renditjes

Sport
Egnatia



Me kampionatin që tani po jep shenja paparashikueshmërie, në mesjavë është koha që pretendentët e mëdhenj të këtij sezoni të tregojnë dhëmbët edhe në kompeticionin e dytë për nga rëndësia të futbollit shqiptar. Të martën e të mërkurën do të luhen edhe ndeshjet e para çerekfinale të Kupës, me një përplasje të ekstremeve të renditjes. Më vështirë se të gjitha e ka Egnatia, që do të gjejë përballë një skuadër eksperte si Laçi.

Kukësi i vendit të fundit do të presë Partizanin, që sapo ka triumfuar në derbin kryeqytetas, duke u pozicionuar i dyti, -8 nga kreu. Verilindorët natyrisht janë në krizë të plotë, me një tjetër pankinë të hedhur në erë, atë të Çelës të zëvendësuar me Devollin, sa duket utopike të mund të shqetësojnë të kuqtë, kur të zbresin në fushë në orën 13:30.

Lexo më tejKukësi bëhet qesharak, Çela ikën për 3 ndeshje: Devolli bëhet trajneri i katërt i bluve këtë sezon

Më e motivuar Teuta, që ka lënë për herë të parë zonën e rënies për tu pozicionuar në atë të playout, por që vështirë se mund të sforcohet për një objektiv luksi, kur duhet të sigurojë akoma mbijetesën e për më tepër do të luajë kundër Tiranës, në vendin e katërt. Bardheblutë e ndjejnë pasigurinë për të qenë në Final Four, nën presionin e Dinamos dhe nga Kupa mund të sigurojnë Europën, kështu që do të provojnë të hedhin një hap të sigurtë kur të zbresin në Niko Dovana në orën 17.

KUPA E SHQIPËRISË, ÇEREKFINALET

20/02/2024
Kukësi-Partizani ora 13:30
Teuta-Tirana ora 17:00
21/02/2024
Erzeni-Vllaznia ora 13:30
Laçi-Egnatia ora 13:30

Të mërkurën do të luhen dy ndeshjet e tjera, në të njëjtën orën, 13.30 me Erzenin që do të presë Vllazninë. Shkodranët janë të pamundur prej 10 javësh dhe kërkojnë të luajnë për të dy trofetë. Shijakasit në anën tjetër, duhet të përqendrojnë forcat në mbijetesë, duke lënë dukshëm favoritë të besuarit e Osmanit. Ajo që rrezikon më shumë është Egnatia kryesuese, që do të udhëtojë në Laç për tu ndeshur me bardhezinjtë, që janë ekspertë në këtë kompeticion dhe duke qenë jashtë zonës Final Four e shohin Kupën si objektiv kryesor. Rrogozhinasit megjithatë i duan të dy trofetë këtë sezon dhe kanë organikën për të përballuar kompeticionet, të fortë edhe në avantazhin e rëndësishëm prej 8 pikësh që kanë krijuar në kampionat.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *