“Emocion në fund, por duke uruar djemtë për kualifikimin se për ndeshjen kam rezerva. Por duhet të shohim me optimizëm kualifikimin, në asnjë moment nuk kemi harruar e nuk duhet të harrojmë që kemi skualifikuar ekipin më të mirë të momentit. Por nuk jam i kënaqur me atë që dhamë sot në fushë”. Fjalë të sinqerta të teknikut të Dinamos, Bledi Shkëmbi, që përligjin atë që u pa në fushën e lojës, në ndeshjen e kthimit të raundit të dytë të Kupës së Shqipërisë kundër Tiranës. Dinamo lëshoi dy gola avantazh të sfidës së parë e shkoi pranë kapitullimit, sidomos me shtyllën e Xhixhës në fundin e kohës së rregullt: “Kemi probleme me disa lojtarë që nuk japin ende 100%. Ishte fati dhe përqendrimi më shumë se sa rreshtimi. Pjesa e dytë me sa shoh është problem psikologjik më shumë”.
E megjithatë, sidos që erdhi, Shkëmbi është i lumtur me kalimin në cerekfinale të Kupës që, jo vetëm mbetet objektivi primar i nëndetëses, por shërben edhe si shtytje morale në kampionat: “Na duhej shumë ky kualifikim. E dinim që do të ishte shumë, shumë i vështirë, jam i bindur që nga ana psikologjike do të na ndihmojë. Ndeshjet vijnë shpejt, të hënën kemi ndeshje shumë të vështirë, por me këtë kualifikim shkojmë ndryshe. Nuk diskutohet”, përfundoi Shkëmbi.