Ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel deklaroi se BE dëshiron të ruajë marrëveshjen bërthamore të Iranit, që e pengon atë të zhvillojë një arsenal bombash të rrezikshmërisë së lartë.
Ai i bëri thirrje Uashingtonit që t’a konsiderojë këtë marrëveshje si çështje të ndarë nga roli i Iranit në luftën e Sirisë.
Ky koment i Gabriel vjen një ditë para takimit të ministrave të Jashtëm të Iranit, Britanisë dhe Francës, që do zhvillohet në Bruksel dhe do drejtohet nga shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Federica Mogherini.
Fuqitë europiane pritet që ditën e nesërme të sigurojnë Iranin se janë të përkushtuar ndaj marrëveshjes bërthamore, pavarësisht qëndrimit të SHBA-së.
Presidenti Donald Trump është shprehur vazhdimisht kundër kësaj marrëveshjeje. Sipas Trump, Irani vazhdon fshehurazi punën me armët bërthamore dhe marrëveshja nuk ka siguruar asgjë.
Nesër pritet konfirmimi definitiv i qëndrimit që do të mbajë Uashingtoni. Fuqitë europiane i frikësohen skenarit të paralajmëruar nga Irani se, nëse SHBA tërhiqet nga marrëveshja, Teherani do të veprojë njësoj.
Kjo do të thoshte për Iranin një rivendosje të sanksioneve ndërkombëtare. ©LAPSI.AL