Revista amerikane “Forbes” shpalli sërish, për të shtatin vit radhazi, kancelaren gjermane Angela Merkel si gruan më të fuqishme në botë për vitin 2017.
Vendin e parë në listë, Merkel e vulosi me fitoren e fundit në zgjedhjet federale në shtator të këtij viti, ku siguroi mandatin e saj të katërt si kancelare e Gjermanisë. Në vendin e dytë radhitet kryeministrja britanike, Theresa May, edhe pse pati një vit të vështirë në vendin ishullor, ku nuk arriti të marrë shumicën parlamentare në zgjedhjet e parakohëshme që u mbajtën në qershor. Vendin e dytë në listë, May-t ia siguroi qasja e saj ndaj Brexit-it, një process që do të ketë pasoja afatgjata për Britaninë e Madhe dhe Europën.
E treta në listën me 100 gratë më të fuqishme në botë është filantropistja amerikane Melinda Gates, bashkëshortja e njeriut më të pasur në botë, Bill Gates.
E katërta radhitet Sheryl Sandberg, drejtoreshë ekzekutive e Facebookut, ndërsa e pesta është drejtoresha ekzekutive e General Motors, Mary Barra.
Për herë të parë në listën e Forbes për 100 gratë më të fuqishme është radhitur Ivanka Trump (e 19-ta në listë), e bija, njëherësh këshilltare e presidentit amerikan, Donald Trump.
Bie në sy futja në listë e Nikki Haleyt, ambasadores së SHBA në OKB (vendi i 43-të).
Ish-zonja e Parë amerikane, Michelle Obama, nuk është fare në këtë listë, pasi vitin e kaluar lëshoi Shtëpinë e Bardhë, ndërsa Hillary Clinton e cila në listën e Forbesit ka qenë e pranishme që nga viti 2004, ka rënë nga pozita e dytë ku ishte vitin e kaluar, për të zbritur në vendin e 65-të.