• |
ide | kryesore

Adi Krasta ka një mesazh për Edi Ramën: Pse duhet të tërhiqesh nga Teatri

Lajme, Të fundit



Gazetari i njohur Adi Krasta është një prej zërave që mbështet artistët kundër prishjes së Teatrit. Ai shkon edhe më tej kur kërkon mosprekje të të gjithë kompleksit “Skënderbeg”, ku është i vendosur dhe Teatri Kombëtar. Krasta ka qenë të martën në protestën e artistëve, ku i kërkoi kryeministrit të tërhiqet nga ideja e prishjes së Teatrit.

“Unë nuk jam një aktor. Do kisha qenë i dobët si shumë të tjerë që nuk e duan teatrin për fat të keq. Kam intervistuar aktorë pothuajse gjatë gjithë jetës sime në radio e televizion dhe kam kuptuar nga ata se sa shumë dhe sa i rëndësishëm ka qenë jo vetëm Teatri, por çdo gjë që lidhet me Teatrin.

Gjëra të vogla, të parëndësishme në dukje, gjëra për të cilat është me cinizëm janë bërë shakara…kanë qenë shumë të rëndësishme për ta.

Çfarë kuptoj unë?! Unë kuptoj që është “e pasinqertë” drama për të shpëtuar Teatrin nga ana e qeveritarëve. Minimalisht është e pasinqertë, maksimalisht është shumë e dyshimtë. Pse? Sepse të thuash për këtë kompleks, ndërtesa e teatrit është e vjetër dhe duhet shembur është minimalisht të jesh i palexuar, i pashkolluar, i pavëmendshëm për detajet e rëndësishme.

Mjafton të lexosh Aurel Plasarin në shkrimin e fundit për historikun e Teatrit, mjafton të lexosh shkrimin e arkitektit Raça, reagimin e arkitektëve, shumë njerëz si ju, si ne që qëndrojnë këtu pa asnjë qëllim të nëndheshëm konspirativ.

Çfarë kërkojmë ne: që ky kompleks i ashtuquajturi kompleksi Skënderbeg të mos prishet sepse është i jashtëzakonshëm. Dmth, po ra ky kompleks dhe këtu të ndërtohen disa kulla, po të bjerë Galeria dhe të ndërtohen ngjitur një ose dy kulla, në qoftë se në mes të Muzeut Kombëtar mbin një kullë, dhe në qoftë se mbrapa stadiumit “Dinamo”, tek fusha e zezë ndërtohen kulla, të gjitha këto u janë premtuar atyre që kanë bërë projektet, firmave ndërtuese kjo do të sjellë që Tiranën të mos ta njohim siç është realisht.

Kjo është Tirana që ka ndryshuar katërcipërisht, duke mos u bërë e bukur. Sot kjo lëvizje është e jashtëzakonshme. Në skenarin më të keq marrëzia do ta shkatërrojë këtë ambient dhe ne do mërzitemi shumë. Unë dyshoj shumë që ky mund të jetë fillimi i rënies së madhe nëse marrëzia shkon deri në fund.

Kam një dyshim se nuk mund të ketë arrogancë të pandëshkueshme. Nuk mund të ketë pandjeshmëri të pandëshkueshme. Nuk mundet të ketë injorancë të pandëshkueshme. Nuk do duhet të kishte.

Kështu që ca këshilltarë të mençur do të duhet t’i thonë kryeministrit që është mençuri të tërhiqet, është shtetari. Të dish, të kuptosh ndjeshmërinë e njerëzve.

Obsesioni, ngulmimi me çdo kusht duke folur hajvanllëqe që nuk qëndrojnë, obsesioni për të shkatërruar ato që janë të rëndësishme në një qytet dhe për t’i transformuar ato në kulla pa shpirt, për hir të së vërtetës edhe pa lezet, ky obsesion tregon nivel të ulët intelektual, tregon deviacion shpirtëror dhe psikologjik, një pakënaqje të tmerrshme dhe tregon gjithashtu që nuk kupton realitetet e jetës së përditshme.

“Ndaj jo “rroftë teatri”, jo “të shpëtojmë ndërtesat”, por Kompleksi “Skënderbeg” të qëndrojë ekzaktësisht kështu dhe vazhdimisht dhe në mënyrë të prerë”, – tha Krasta.



2 Comments

  1. Ky mor mik eshte miku i PPP-ve.
    Ca ti besh. Eshte fatkeqesia e Shqipetareve. Transferoi pronen publike tek privatet, ne forme borxhesh, dhune, taksa rruge, transferim trualli. Lista eshte e gjate. Ka dale nga kontrolli fare.

  2. Rama e sheh veten si Neron e si Neroni do ta kete fundin. Teatrin ka 20 vjet qe do ta shembe. Kete here eshte i bindur qe do ta beje. E ka me inat te madh. Ajo palaco ministre dhe ai kllouni i bashkise jane vetem dy te gjore qe moren persiper ne delir te degradimit se po e zgjidhnim ata kete pune dhe jane sot dy fytyra qe neveriten nga te gjithe. Vertet mendojne keta se mileti nuk e kupton se nuk eshte teatri i ri qellimi i pare i tyre por rrembimi i tokes per llogari te ndertuesve me te cilet ka ndare keto 20 vite pushtet gjithcka.:Fuqine, hajduterine , parane e piste dhe shkaterrimin final te Tiranes

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *