• |
ide | kryesore

Gjithçka që duhet të dini rreth atentatit ndaj Presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro

F1, Planet



Gjashtë persona janë arrestuar pas tentativës së vrasjes së të shtunës ndaj presidentit Nicolas Maduro në kryeqytetin venezuelian të Caracas, tha ministri i Brendshëm i vendit në televizionin kombëtar.

Maduro i mbijetoi sulmit pasi disa dronë të armatosur me eksploziv fluturuan drejt tij gjatë një fjalimi në një paradë ushtarake, një sulm për të cilin ai bëri përgjegjës elementët e ekstremit të djathtë dhe presidentin në ikje të Kolumbisë, Juan Manuel Santos.

Të arrestuarit akuzohen për “terrorizëm dhe vrasje”, tha MINISTRI i Brendshëm Néstor Reverol.

Reverol tha se një nga të ndaluarit kishte një urdhër arresti të pazgjidhur për rolin e tij të dyshuar në sulmin e gushtit 2017 në një bazë ushtarake në Valencia.

Një tjetër nga të ndaluarit ishte arrestuar më parë gjatë protestave anti-qeveritare të vitit 2014. Reveroli tha se nuk përjashton arrestimet e mëtejshme.

Sulmuesit përdorën dy Dronë “DJI M600”, ku secili prej tyre mbante 1 kilogram C-4 shpërthyese. Kompania kineze që bën këto drone, DJI, tha se produktet e saj janë “thjesht për qëllime paqësore” dhe është gati të ndihmojë hetuesit për incidentin.

Dronet me këtë lëndë shpërthyese mund të shkaktonin dëme në një rreze prej 50 metrash, dhe shërbimet e inteligjencës ishin në gjendje të identifikonin rrugët e afërta që u përdorën për nisjen e tyre nga distanca, tha ministri i Brendshëm i Venezuelës.

Një nga dronet fluturoi mbi skenën presidenciale për të shpërthyer aty, por autoritetet ishin në gjendje të bënin që droni të humbiste kontrollin dhe të shpërthente jashtë zonës që sulmuesit kishin në shënjestër.

Reveroli tha se droni i dytë humbi kontrollin dhe ra në një ndërtesë apartamentesh, ku shpërtheu në katin e parë.

Rrëfimi i të dënuarve

Ministri i komunikacionit të Venezuelës tha të dielën se komploti i vrasjes ishte planifikuar të paktën gjashtë muaj më parë, sipas një interviste ekskluzive me agjensinë shtetërore ruse Sputnik.

Jorge Rodriguez i tha Sputnik se “shumica e atyre që janë përgjegjës janë ndaluar, dhe ata jo vetëm që po rrëfejnë, por qeveria ka qenë gjithashtu në gjendje të shqyrtojë materialin që ishte në zotërim të tyre, si dhe disa nga pajisjet elektronike që kishin, telefonat dhe kompjuterët.”

Rodriguez dha edhe detaje shtesë rreth incidentit.

“Ka pasur tre shpërthime: shpërthimi i parë u shkaktua nga një dron para skenës presidenciale, droni i dytë u ngrit dhe shpërtheu në anën e djathtë të skenës”, – tha Rodriguez për Sputnik.

“Kjo ishte ajo që bëri që disa prej të afërmve të ushtarëve që ishin në paradë të vraponin në të majtë. Droni i tretë shpërtheu pranë një ndërtese, në jug të skenës”. (përktheu lapsi.al)

Rodriguez u shpreh se autoritetet venezueliane kishin gjetur telekomanda, kompjutera dhe telefona celularë.

Maduro fajëson ekstremin e djathtë

Incidenti ndodhi kur Maduro po fliste në një ceremoni përkujtimore të 81-vjetorit të Gardës Kombëtare venezueliane,  që përfshinte edhe një paradë ushtarake.

Pamjet Live të ngjarjes treguan papritur Maduron duke shikuar sipër i habitur, ndërkohë që pranë tij, gruaja Cilia Flores, u trondit pas një zhurmë të madhe, dhe dhjetëra ushtarë u panë të shpërndahen. Shtatë anëtarë të Gardës Kombëtare u lënduan gjatë sulmit.

Kryeprokurori i Venezuelës, Tarek William Saab, tha se kishte urdhëruar një hetim mbi incidentin, duke caktuar tre prokurorë në hetim.

Maduro u shfaq në televizionin kombëtar disa orë më vonë, ku foli për hetimet dhe arrestimet.

Ai tha se pas sulmit ishin ekstremi i djathtë Venezuelës në bashkëpunim me të djathtën kolumbiane dhe Presidenti Kolumbian Santos. Ai gjithashtu fajësoi venezuelianët që jetonin në Shtetet e Bashkuara.

“Hetimi paraprak tregon se shumë prej atyre që janë përgjegjës për sulmin, financuesit dhe planifikuesit, jetojnë në Shtetet e Bashkuara, në shtetin e Floridas”, – tha Maduro.

“Shpresoj që administrata Trump të jetë e gatshme të luftojë me grupet terroriste që kryejnë sulme në vendet paqësore në kontinentin tonë, në këtë rast, Venezuelën”.

Qeveria e Venezuelës ka fajësuar prej kohësh Kolumbinë për komplote përmbysjesh, dhe elementët e ekstremit të djathtë në Bogotë dhe Miamije për përpjekjen për të zhdukur Maduron. Ivan Duque do të bëhet president i Kolumbisë këtë javë.

Problemet me qeverisjen në Venezuelë 

Duke parë shpërndarjen ushtarake në këtë ceremoni presidenciale duket një “boshllëk në siguri” dhe “një nivel mjaft të lartë mosfunksionimi”, tha për CNN David Smilde, një sociolog në Universitetin Tulane.

Me përjashtim të truprojeve të tij të menjëhershme, imazhet e incidentit ngrenë pyetje rreth aftësisë së qeverisë “për të mbajtur rregullin”. 

“Për ushtarët dhe kushdo që po drejtonte sigurinë, ishte një ditë e keqe”, tha ai.

Smilde tha se duket se ushtarët janë atje, sepse atyre u duhet të jenë atje.

“Nuk ka besim të thellë, apo besnikëri ndaj qeverisë,” tha ai. “Nëse ndodh diçka e tillë, ata do të shpëtojnë veten së pari.” (përktheu lapsi.al)

Në vitet e kaluara, kur Presidenti Hugo Chavez ishte në kulmin e tij, kjo shfaqje paaftësie nuk do të kishte ndodhur, tha Smilde. Chavez vdiq në 2013.

Por i ashtuquajturi “Chavizëm” ka qenë në rënie që nga viti 2010. Mbështetja e Maduros është e dobët dhe në pozita të rëndësishme ka njerëz besnikë në vend të njerëzve kompetentë që duhen. Kjo gjendje çon në shkatërrimin e qeverive autoritare si ajo në Venezuelë, tha Smilde.

Modeli i qeverisë në Venezuelë, tha Smilde, është një model që thekson besnikërinë dhe përqendrimin e pushtetit, në vend të kompetencës, arsimit, llogaridhënies dhe transparencës.

Smilde tha se njerëzit kompetentë dhe të zotë që ai njihte 10 vite më parë në qeverinë e Venezuelës, janë larguar ose janë punësuar në poste jo shumë të rëndësishme. Ata që kanë lëvizur në pozita më të larta nuk kanë aftësi, por dinë se si të lundrojnë dhe të lulëzojnë në një sistem të korruptuar.

CNN, përshtati në shqip ©LAPSI.AL 



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *