• |
ide | kryesore

“Magjiku” Mezani, i jep fitoren e parë Luftëtarit në kampionat

F1, Sport



Luftëtari merr fitoren e parë në kampionat dhe merita është e gjitha e Gentiqan Mezanit, trajnerit që mori pankinën gjirokastrite vetëm 4 ditë më parë. Asnjë pikë në katër javët e para dhe duhet ardhja e teknikut vlonjat që bluezinjtë të ktheheshin në lojë, me fitoren përballë Teutës. Rezultati ishte prioritar ndaj bregdetarëve dhe Mezani shfrytëzoi moralin e goditur të skuadrës së Shkëmbit, pas humbjes në Niko Dovana me Kukësin.

“Në dy ditë nuk mund të ndryshosh shumë fizikisht e taktikisht. Mendoj se problemi deri diku ka qenë psikologjik, dhe jam munduar të punoj në atë aspekt. Morëm tre pikë dhe jemi të kënaqur. Nëse nuk marrim fitore të tjera, kjo sfumohet”, shprehu tekniku një arsyetim që në fakt ishte kuptuar edhe më parë, sepse Luftëtarit nuk i mungon cilësia.

4-3-3 i preferuar i Mezanit ishte modifikuar në 4-2-3-1 për të bërë të vlejë Milosavljev, lojtari gjithnjë në kontakt me topin. Intensiteti i ofensivës gjirokastrite u rrit me kalimin e minutave ku Shkurtaj kërkohej gjithnjë e më shumë nga të tijtë, duke u bërë problematik për Osmanin e Bicajn që nuk mundën ta kenë më nën kontroll. Asist i Radoviç, në minutën e 37, është mundasia që numri 9 nuk e coi dëm, duke mposhtur Hidin për herë të parë.

“Unë jam tip që mundohem t’i dëgjoj lojtarët, t’i bind për atë që mendoj unë që është më e mira. Blerjet e reja nuk i kam vënë re shumë, por ato cilësi që unë i kam parë, i shfaqën. Edhe mungesat janë të rëndësishme. Por, cilësitë janë dhe prandaj u binda të marr skuadrën. Fitorja na jep moral e frymëmarrje, por tani kemi nevojë për mbështetjem deklaroi pas ndeshjes tekniku.

Shumë Luftëtar dhe pak Teutë në 45 minuta lojë, por nuk është se ndryshoi panorama me lëvizjen e teknikut Shkëmbit që i besoi Krujës për Traore. Teuta e tij vuan edhe në goditjet standarte, aty ku shtatlartësia e dy qendrave dhe portierit duhet të bënte padronin, ndërsa limitet dhe defektet u shfaqen në dy gola të shpejtë në harkun e 4 minutave, që mbyllën ndeshjen.

“Unë mendoj që pas golit të parë, më shumë vuajtëm nga ana psikologjike. Sot na penalizoi dita jo e mirë e Avdylit. Është një lojtar i rëndësishëm që pason shumë mirë. Unë te Avdyli kam shumë besim. Në futboll ka dhe ditë jo. Na mungoi besimi për pasimet vertikale apo qarkullimet e topit” pranoi Shkëmbi.

Me 10 lojtarë, pas daljes me karton të kuq të Sidibe, Teuta u mobilizua më shumë ndërsa Luftëtari u shpengua aq sa për ti dhënë mundësinë durrësakëve të fitonin 11 metërshin që ngushtoi diferencën. Por vetëm kaq. Latif mund ti gëzohet golit të dytë në 5 ndeshje, por Teuta duhet të shqetësohet për humbjen e dytë rradhazi dhe një përfaqësim nën ton…



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *