• |
ide | kryesore

Pse duhet të lexojmë mite, këto “gënjeshtra” të vërteta?

Stil



Nëse e mendojmë me një logjikë racionale, një mit është një tregim shumë i hershëm, shumicën e kohës në gjenezat e një qytetërimi, kombi a kulture, i cili nuk dihet nëse, ku dhe kur ka ndodhur, shtuar kësaj edhe faktin që na shfaq një botë plot me fantazi larg nga realiteti i përditshëm ku ne jetojmë. Përpos këtij fakti, pra të qenit një “gënjeshtër” në pamje të parë, ne vazhdojmë edhe sot t’i lexojmë me ëndje dhe të na mahnitin këto histori. Por, pse ndodh kjo, pse qenia njerëzore vazhdon, jo vetëm t’i lexojë këto “gënjeshtra”, por edhe të frymëzohet prej tyre. Askush nuk e di se si dhe kur krijohet një mit, në thjeshtë e dimë që është krijuar dikur dhe papritur, ngjashmërisht si rastet kur gjendemi në një ëndërr, e cila na shfaqet në një moment të caktuar të jetës tonë.

Pikërisht për të hedhur pak më shumë dritë në këtë çështje, në vitin 1609, filozofi dhe shkencëtari anglez, Francis Bacon publikon librin “Dijet e të lashtëve”, libër të cilin Botime Akropoli i Ri e ka sjellë tashmë edhe në gjuhën shqipe.

Bacon në këtë libër na tregon dhe analizon 31 mite të lashta nën dritën e asaj që ai e quan “të mësuarit i ri”. Vetë Bacon na i sjell këto histori, jo si pasojë e një nostalgjie për to, aq më pak për argëtim, por si një konstrukt dijesh të lashta të harruara dhe të mbuluara nga një vello misteri. Për Bacon, këto histori në vetvete përmbajnë mesazhe të fshehura për çështje të qenësishme për njeriun si morali, filozofia, politika, drejtësia, shkenca, arti, virtyti, pushteti, jeta, vdekja, universi, e vërteta, dashuria etj., etj. Dhe pikërisht për këto çështja kaq ekzistenciale të njeriut, Bacon na bën një qasje të re kundrejt këtyre rrëfenjave të pakoha, të cilat, sipas optikës së tij filozofike, na shfaqin përmes formave letrare apo gojëdhënore një perceptim dhe kumtesë mbi ligjet themelore që udhëheqin e qeverisin brendësinë e njeriut dhe të universit. Për rrjedhojë, rëndësia e çdo figure, ngjarjeje, apo personazhi mitologjik nuk qëndron në formën e jashtme, por në arsyen dhe principin real që kjo formë fsheh në formë metafizike. Forma e zbukuruar është thjeshtë një lloj artifice e përdorur me qëllim thjeshtësimin e kësaj arsyeje dhe ligjësie universale, që të jetë e kuptueshme për mendjen njerëzore, e cila nuk mund t’i kuptojë në mënyrë direkte dhe në qenësinë e tyre këto ligjësi.

Me “Dijet e të lashtëve”, Bacon-i, mund të themi se i përngjason një blete, e cila na sjell pjalmin e shumë luleve, duke mos u fokusuar te forma, madhësia, apo ngjyra e tyre, por në esencën që më pas bëhet mjaltë. Siç e përmendëm më lart, Bacon nuk na i sjell këto mite si një nostalgjik, por si një filozof dhe shkencëtar që mundohet të përcjellë mesazhet e tyre më të fshehta dhe vlerën aktuale që kanë pavarësisht kohës ku tregohen. Në këtë prizëm, ai na thellon te një kuptim sa shkencor aq edhe metafizik të këtyre rrëfenjave të njerëzimit nën një optikë të re pasuruese si një vazhdimësi rritëse e këtyre dijeve të lashta.

Kjo është edhe arsyeja se pse Botime Akropoli i Ri, modestisht, sjell mendimet dhe qasjen e këtij filozofi e shkencëtari të madh në gjuhën shqipe. Pikërisht për rëndësinë që ka miti në vetvete si një model arketipik edukues për njeriun në veçanti dhe gjithë njerëzimin në tërësi. Duke qenë se njeriu është një qenie e mbushur me dilema dhe pyetje ekzistenciale, mitet na ndihmojnë që tu japim përgjigje disa prej këtyre dilemave e pyetjeve, pasi miti, siç na thotë Carl G. Jung dhe J. Campbell, është një konstrukt i lindur nga pavetëdija kolektive e njerëzimit. Kështu, miti na shfaqet si një lloj modeli dhe kujtese e gjallë gjigande e vetë njerëzimit si një qenie e vetme, ku njeriu gjen, jo vetëm ligjësitë e principet që e qeverisin, por edhe rrugën zhvilluese që duhet të ndjekë. “Dija e të lashtëve” e Francis Bacon, të cilin do ta gjeni shumë shpejt në libraritë e kryeqytetit nga Botime Akropoli i Ri është sjellë në shqip, që me anë të një qasje filozofike ta bëjë lexuesin të mund tu përgjigjet disa pyetjeve ekzistenciale, përtej përditshmërisë së tij, si dhe tu afrohet këtyre principeve dhe ligjësive universale që gjenden brenda secilit prej nesh.

 

 

 

 

 

 

 

 



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *