• |
ide | kryesore

Video/ Kukësi fiton Kupën e Shqipërisë: Reginaldo e Shkurtaj nxjerrin KO Tiranën dhe i japin shpresë Laçit për Europën

F1, Sport, Video



Favoritët e finales së Kupës nuk zgjënjejnë: në Elbasan Arena Kukësi mposht 2-1 Tiranën, duke fituar trofeun e dytë për nga rëndësia. Ernest Gjoka i dhuron Bluve trofeun e dytë në vitin e dytë të drejtimit të veri lindorëve, edhe pse jo radhazi. Merr fund këtu ëndërra e bardhebluve për të shpëtuar sezonin përmes një trofeu dhe prezantimit në Europa League sezonin e ardhshëm, pas frikës së përjetuar për rënien nga Kategoria. Bashkë me kuksianët ka festuar edhe Laçi, që tani pret konfirmimin për të marrë pjesë në vend të Skënderbeut e Flamurtarit, më lart në renditje, por korcarët të dënuar nga UEFA dhe vlonjatët të palicensuar.

Blutë e kishin obligim fitoren dhe Gjoka nuk ngurroi të zbriste me dyshen më të mirë sulmuese të Superiores Shkurtaj-Reginaldo 23 gola së bashku në kampionat. E në fakt, lojtarët justifikuan statusin e tyre me vlonjatin që shënoi golin e avantazhit pas vetëm katër minutash lojë, duke e bërë të thjeshtë ndeshjen për Kukësin. Skuadra e Ardian Memës nuk mund të zhdukë sindromën e një sezoni të tërë, duke u kthyer tek gabimet individuale, ato gabime që bardheblutë arritën të paktën ti fshinin në dy ndeshjet vendimtare kundër Lacit në transfertë dhe Flamurtarit në shtëpi, në dy të fundit e kampionatit që vendosën shpëtimin për 24 herë kampionët.

Tirana u përpoq të shfrytëzonte armët në dispozicion dhe barazimi i Michael Ngo’o u duk se rifuti në lojë një skuadër, që deri në atë moment rrezikoi kapitullimin, në më shumë se një rast. Anglezi konfirmohet deciziv për kryeqytetasit, pavërësisht se kishte munguar në takimin me golin në 7 javët e fundit.

Nuk mund të mungonte firma e Këpucës së Artë të sezonit Reginaldo. Mozambikasi vendosi ndeshjen në minutën e 78, duke i lënë Tiranës vetëm 12 minuta barazi në këtë ndeshje. Për Kukësin misioni ishte i përmbushur dhe Gjoka administroi me kujdes rezultatin, deri në fërshëllimën e fundit, që nisi festën e Kukësit për një tjetër trofe, në një sezon me shumë luhatje e me shumë investime.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *