• |
ide | kryesore

30 vjeçarët shqiptarë të vetmit europianë që nuk e dinë a bëjnë dot zgjedhje të lira

1, Ide
veton-surroi.jpg

Çdo gjë vazhdon të jetë njëjtë derisa të mos jetë më?

1. Fëmijët e lindur më 1989 në Shqipëri, vitin kur ra Muri i Berlinit dhe shënoi në formë spektakolare rrënimin e komunizmit, janë gjenerata e vetme e evropianëve prej Lisbonës deri në Talin, që nuk janë të sigurt se a janë legjitime zgjedhjet demokratike tridhjetë vjet më vonë.

Këtë ndjenjë të pasigurisë e kishin breza të ndryshëm prindërish evropianë të rritur në komunizëm, kur u organizuan zgjedhjet e para në vendet e tyre. Por, vit pas viti, zgjedhje pas zgjedhjesh, polakë e çekë, kroatë e hungarezë dhe bullgarë e moldavë, kalonin nëpër dilemën se a kanë hyrë me të vërtetë në demokraci dhe vit pas viti, zgjedhje pas zgjedhjesh rritej besimi se po përmbusheshin së paku standardet themelore të një demokracie zgjedhore.

 Prindërit e fëmijëve evropianë të lindur më 1989, prej Lisbonës deri në Talin, që të gjithë me përjashtim të Shqipërisë, ua lanë në trashëgimi së paku sigurinë e procesit zgjedhor. Rrjedhimisht, ua lanë në trashëgimi dy besime thelbësore për zhvillim: besimin në legjitimitetin e demokracisë dhe në legjitimitetin e institucioneve shtetërore të ndërtuara me demokraci (apo legjitimitetin e shtetit).

Fëmijëve shqiptarë të lindur më 1989, prindërit e tyre nuk ua lanë trashëgimi këto besime dhe gjatë një dhjetëvjetëshi të pjesëmarrjes së tyre cikle zgjedhore nuk arritën të krijojnë as vetë.

Fëmijët shqiptarë të lindur më 1989 ende vijojnë të jetojnë me dilemën fillestare të prindërve të tyre se a thua do të jenë në gjendje të organizojnë zgjedhje të lira. Prindërit e tyre ende jetojnë me bindjen, kolektive, se zgjedhjet më të mira (në kuptimin e drejtësisë) në Shqipëri ishin ato të organizuara më afër komunizmit dhe nga ish-komunistët, më 1992.

Fëmijët shqiptarë të lindur më 1989 dinë se komunizmi shënoi vdekjen e vet simbolike në vitin e tyre të lindjes, por ende nuk janë të sigurt, në tërësi, se a jetojnë në një demokraci parlamentare.

2. Dilema e brezit ’89 nuk është hamendësim.

Kryeministri i vendit beson se zgjedhjet vendore do të mbahen më 30 qershor të këtij viti, në përmbushje të afatit kushtetues dhe dekretit të mëhershëm të presidentit të Republikës. Besimi i kryeministrit dhe i partisë së tij është legjitim. Mbështetet në parimin se zgjedhjet duhet të mbahen sipas kalendarit ligjor; nëse sot nuk respektohet kalendari zgjedhor, sepse këtë e bojkoton opozita, atëherë nesër një opozitë tjetër mund ta bëjë këtë në procesin zgjedhor dhe kështu nuk do të ketë më zgjedhje të lira.

Opozita beson se zgjedhjet nuk mund të mbahen pa u konstatuar deformimet në procesin e kaluar zgjedhor. Nëse ministrat kërcënojnë punëtorët e administratës të mbeten pa punë, policët pengojnë shkuarjen e furgonëve të votuesve të opozitës për të votuar, ndërsa figura të krimit shndërrohen në bankomate për blerjen e votave – ashtu siç doli në përgjimet e botuara nga gazeta gjermane Bild – atëherë brenga e opozitës është krejtësisht legjitime. Dhe i tillë është, legjitim, bojkoti.

Presidenti i vendit beson se nuk janë përmbushur kushtet për të mbajtur zgjedhjet më 30 qershor, i zhdekretoi ato dhe dekretoi një datë tjetër më 13 tetor të këtij viti. Besimi i tij është legjitim: në kushtet e polarizimit politik, të bojkotit të opozitës dhe të këmbënguljes që gara të jetë me vetëm një subjekt, do të deformohej përfaqësimi politik brenda vendit dhe objektivisht do të hapej tjetër rrugë për konkurrencën e pasioneve politike, ajo e rrugës.

Problemi, natyrisht, është se që të tria besimet legjitime – të kryeministrit, opozitës dhe presidentit – janë në kundërthënie të brendshme. Rrjedhimisht, tri legjitimitete kundërthënëse tregojnë mungesën e legjitimitetit të procesit politik. Rrjedhimisht, fëmijët e brezit ’89 ballafaqohen me zgjedhjet e radhës për të cilat nuk mund të kenë besim.

3. Dhe, problemi i radhës është se nuk ekziston arbitër moral, juridik a politik që do të përcaktojë se çka është legale apo legjitime e çka jo.

Prindërit e brezit ’89 janë kujdesur që të mos ketë institucion të besueshëm. Në vend të institucioneve shtetërore kanë ndërtuar institucionin e korrupsionit. Çdo gjë në Shqipëri ka një çmim të shprehur në lekë a euro: kapërcimi i pengesave administrative në nivel zyrash, lirimi nga burgu, vota personale dhe e anëtarëve të familjes, posti i parlamentarit, përkrahja oligarkike e shtëpive mediale për këtë apo atë opsion politik. Erozioni i korrupsionit ka marrë me vete çdo gjë, përfshirë edhe Gjykatën Kushtetuese, duke ua lënë interpretimin se çka është ligjore e çka jo, çka është kushtetuese a jo, nivelit të debatit që i afrohet sharlatanërisë në debatet televizive të mbrëmjes.

Moraliteti qytetar ende është në fazën fillestare të arsyetimit të benefiteve ekonomike që vijnë nga droga: shyqyr që droga shkon jashtë e lekët vijnë brenda.

Në fjalorin politik, “çunat”, si në “po t’i dërgoj çunat në zonë”, gjatë zgjedhjeve, janë strukturat që janë kriminale kur janë të atyre, e janë çuna kur janë tanët.

4. Shqipëria po hyn syhapur në një krizë të paprecedentë politike, madje aq të paprecedentë sa nuk ka më as përzierje të faktorit të jashtëm.

Ky është një përkujtim për brezin ’89: është ai momenti kur biçikletës së fëmijërisë i hiqen rrotat ndihmëse anësore dhe e kupton se ke mbetur në dy rrotat dhe në aftësinë apo paaftësinë për të ecur më tutje.

Ecja e mëtejme nuk do të jetë e mundur pa e trajtuar krizën e legjitimiteteve kundërthënëse. Ato duhet të zgjidhen – siç shihet -, tashmë vetëm brendapërbrenda spektrit politik e intelektual të Shqipërisë.

Brezi ’89 mund të vazhdojë të jetë shikues i ngjarjeve. Kjo u ndodhi prindërve të tyre, të rritur me besimin se gjërat do të vazhdojnë të jenë ashtu si janë derisa të mos jenë më. Dhe, përnjëherë u shemb edhe komunizmi në Shqipëri.

Por, me këtë besim, se gjërat do të jenë të njëjta derisa të mos jetë më, nuk zhbëhet sistemi i kapjes së shtetit i instaluar me pajtim të ndërsjellë mes palëve që përfaqësojnë sot pushtetin e opozitën.

Brezit ’89 i nevojitet një besim vetjak, i ndryshëm prej prindërve të tyre.

*Koha Ditore

10 Comments

  1. Brezi i ’89-tes dhe jo vetem u tradhetua qe ne krye te heres kur ne krye te PDse,partine e shpreses se madhe qe shume shpejt u kthye ne zhgenjimin e madh,u vendos nje komunist i devotshem si Sali Berisha,i cili me qellim ne emer te gjoja antikomunizmit shkatrroi çdo gje ne kete vend duke zevendesuar vlerat me antivlerat,Berisha me perkrahjen qe kishte PDja ne ’90-ten i kishte te gjitha mundesite te krijonte nje shtet te se drejtes dhe jo shtet me te burgosur ordinere,me prokurore e gjykates te dale nga plepat ne Durres me kurse dy mujore,me administrate te mbushur me militante injorant qe ne shume raste nuk dinin shkrim e kendim,me polici te mbushur me halabake pijanece qe dilnin ferrave duke mbushur xhepat e tyre nga shkeljet e shoferave,me vrasjen e votes se lire duke aktivizuar gjithe arsenalin shtetror ne sherbim te PDse,te cilet ndrronin kutite e votimit te ndihmuar nga policia e shtetit dhe shume e shume te tjera qe do kohe ti numerosh dhe problemi eshte se prape mbas 30 vjetesh eshte po Sali Berisha qe drejton opoziten de facto duke e futur ate ne rruge pakrye me shpresen se do fusi vendin ne anarki per interesat e tija dhe te familjareve te tij,shyqyr zotit qe Rama nguli kembe per berjen e zgjedhjeve ne 30 qershor duke ndezur driten jeshile qe mbas 1 korrikut vendi te futet ne standarte te tjera duke i dhene fund pazareve te pista ne kurriz te popullit…

  2. Eshte bere bajate tashme te thuash qe fajet i ka Saliu. Eshte e demshme retorika qe e shfajeson Edi Ramen dhe kete qeveri hajdutesh nga mekatet e ketyre 6 vjeteve te fundit. Shqiptaret duhet te ndergjegjesohen qe duhet ta kapin demin prej briresh dhe te vendosin vete fatet e tyre. Dhe keta 30 vjecare duhet te jene te paret ne kete front.

    1. T,kush te tha qe une po shfajsoj Ramen?perkundrazi eshte pikerisht prania aktive e Berishes ne politike qe ia zgjat jeten Rames,prandaj dhe 30 vjeçaret distancohen dhe vendosin me mire te largohen nga vendi se sa te luftojne per te ricikluar disa politikane te sprovuar e te deshtuar,sa me shpejt ta kuptoje kete baza ePD-se per te bere nje reformim rrenjesor te partise,aq me i shpejte do jete fundi i Rames,sa me shume vazhdojne te trumbetojne çdo deshtim si fitore,aq me shume vite do ta kemi Ramen ne kurriz!

      1. po pse o idiot prania e berishes duhet te vazhdoje t ju beje juve te mbeshtesni narkoshtetin e rames. Berisha eshte nje deputet dhe konsulent nuk eshte kantidati per kryeminister. Se dyti mandati i tij 8 vjecar 2005-2008 eshte me brilanti ne keto 30 vite dhe e ridimensionon pergjegjesine e berishes per periudhen 92 – 97. Ju pranoni cdo narkoshtet, cdo korrupsion cdo kanalizim te te ardhurave te shqiptareve ne duart e oligarkise vetem se berisha beri 97 apo se meta beri korrupsion. Mire juve qe po ju pelqen kallami i rames po c faj kemi ne shqiptaret normale qe deshirojme shtet normal, parlament normal, gjykata e prokurori normale e jo te tredhur nga vetingu apo si marioneta te rames. Ne qe duam te votojme per politikane normale e jo per karagjoze me play back neper kaseta si lali eri apo per kryekaragjoze qe qeverisin me basaleta e jo me vepra. Ta gezosh masturbimin zgjedhor te rames neser me 30 edhe me nje djale azgan qe do lindi pas ketij masturbimi.

  3. (o i pa emer, ik se po behesh qesharak!)
    te lindurit85-90 jane brez tranzitor me plot kuptimin e fjales! Kemi 3 alternativa! 1-Emigrimin 2-Nje jete mediokre 3- marianen/krimin/prostuimin ne cdo form.

  4. Kam frike se tranzicioni ka mbaruar. Sistemi tashme eshte fiksuar. Nje amalgame midis shtetit, oligarkeve dhe krimit, ku qytetari nuk duket asgjekund. Them qe eshte fiksuar, sepse pas mungeses se reagimit ndaj pergjimeve te BILD, ra fasada dhe qeveria i tha njerezve se kjo eshte situata, ky eshte sistemi dhe asgje nuk mund dhe nuk do te behet kunder tij, keshtu qe “merreni ose lejeni” pra pershtatuni ose ikni.
    Po, tranzicioni ka mbaruar! Rama, neve, kundershtareve te tij, na kujtoi dhimbshem ate shprehjen e Derridas qe rrjedh nga koncepti hauntologjik i historise “Let’s go back to the future”! Ne kete kuader une them: Rrnofte tranzicioni, poshte sistemi i Rames dhe jo vetem! Tranzicioni eshte spektral dhe me shume mundesi. Le ta rikthejme, sepse eshte shume i mire se ky sistem.

    1. Sistemi eshte fiksuar Astrit! Une jam plotesisht i bindur qe cdo lloj tranzicioni eshte me i mire se kjo shpifesire.
      Shqiperia nuk ka nevoje t’i jape fund tranzicionit, por te rrezoje sistemin dhe ta filloje tranzicionin nga e para.
      Mund te jemi te deshperuar qe 30 vjet ja kemi futur kot, por e kemi bere.
      Duhet ta fillojme nga e para, per hir te cdo kujt qe nuk ka faj!

  5. Sistemi jone politik nuk eshte i fiksuar por eshte i asfiksuar! Ketij brezi per veç rrotave te vogla siguruse te bicikletes ja kane hequr edhe timonin. Kryeministri si kllaun cirku sillet neper skenen politike me ngjyra te ndezura e muzike zhurmuese por askush nuk qesh apo qan. Fraza shekspirjane te rish apo te ikesh na zhurmon ne koke. Ku ishim, gjekundi, ç’beme iç gje!

    1. Sistemi eshte fiksuar Astrit! Une jam plotesisht i bindur qe cdo lloj tranzicioni eshte me i mire se kjo shpifesire.
      Shqiperia nuk ka nevoje t’i jape fund tranzicionit, por te rrezoje sistemin dhe ta filloje tranzicionin nga e para.
      Mund te jemi te deshperuar qe 30 vjet ja kemi futur kot, por e kemi bere.
      Duhet ta fillojme nga e para, per hir te cdo kujt qe nuk ka faj!

  6. Ka vetëm problem në arsyetim Vetoni: i sheh 30 vjeçarët si të papërlyer si Shën Mëria
    Kur korrupsioni i hyri në palcë prindërve të tyre që as nuk e kishin si koncept ….imagjino këta që korrupsionin ua kanë mësuar që në djep

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu