• |
ide | kryesore

Video/ Gafa e Belicës dhe supergoli i Rezit fundosin Partizanin: Kastrioti i jep Dajës humbjen në debutim

-Instant, Sport, Video



Fitore në frymën e fundit dhe Partizani kthehet me këmbë në tokë që në javën e parë të kampionatit. Pa bërë merkato, për shkak të dënimit nga UEFA, por me Ilir Dajën në pankinë, të kuqtë shpresonin të kishin bërë plusvalencat mes avantazheve e disavantazheve, por Kastrioti i tregoi gjithë limitet kryeqytetasve, duke fituar 2-1 me golin vendimtar të Rezit shënuar në minutën e 87.

Partizani i Ilir Dajës ishte një nga skuadrat që priteshin më shumë, për të parë si tekniku do të kishte mundur të transformonte një skuadër në disproporcion rolesh, që një vit më parë doli në vendin e gjashtë. E nëse përpara, linja ofensive i jep mundësinë Dajës të mund të ndryshojë, prapa janë vetëm 4 lojtarë të rolit, me vetëm dy qendërmbrojtës. E nëse janë ata që gabojnë apo janë jashtë formë, atëherë ka probleme.

Pikërisht kështu, sepse Belica i dhuron avantazhin Kastriotit në minutën e 19, duke i hapur rrugën Da Silva drejt portës, për të shënuar golin e parë. Të kuqtë reaguan dhe me Asanin provuan të shënojnë, të ndalur nga Hidi, që konfirmohet blerje e zgjuar e krutanëve. Skuadra e Dajës u duk më e vendosur në rifillimin e lojës, por para portës shpenzohet dhe vetëm një penallti e fituar dhe realizuar nga Asani i jep shpresë teknikut në pankinë se mund ta niste me fitore.

Nuk është dita e duhur sepse me gjithë lëvizjet, duke forcuar madje edhe më shumë sulmin me Melon për Brojën, Daja nuk gjeti zgjidhje. E kundërta ndodhi me Ndreun që i besoi një njohje të vjetër si Rezi, që e nxorri nga situata në të 87, atëherë kur Partizani shtynte në kërkim të fitores. Një goditje nga jashtë zonës e sulmuesit shtang Hoxhën duke i dhënë fitoren e parë Kastrioti të rikthyer në Superiore e fut në tension menjëherë Partizanin.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *