• |
ide | kryesore

Video/ Uzuni e Bajrami nga fillimi, Broja nuk bind, Reja nuk fshihet: “Hungaria vendimtare”

-Instant, F1, Sport, Video



Të marrim me vete gjithcka të mirë nga Polonia dhe të korigjojmë atë që bëmë keq. Tekniku i Shqipërisë, Edoardo Reja, në prag të sfidës së ditës së diel (5 shtator 2021) ndaj Hungarisë, e pesta ndeshje e kuqezinjve, nuk është fshehur pas fjalëve, i bindur nga kualiteti i skuadrës që ka në dispozicion, por edhe rikthimi në stadium i 30% të tifozëve: “Nëse na duhet të bëjmë një analizë për ndeshjen ndaj Polonisë, po të shohim statistikat, Polonia ka gjuajtur 5 herë në portë dhe ka shënuar 4 gola ndërsa ne kemi goditur portën rreth 16 herë – sqaroi tekniku italian -. Sigurisht, unë mendoj se të paktën goli i parë dhe goli i dytë erdhën njëri nga goditje këndi dhe tjetri nga goditje dënimi. Dhe mendoj se ishin rrjedhojë e gabimeve individuale dhe jo e gjithë skuadrës. Kur sheh që ke pësuar 4 gola, mendon se ka shkuar gjithçka keq por unë nuk mendoj kështu. Në total ekipi bëri një paraqitje të mirë, por u penalizua vetëm nga gabimet individuale të disa lojtarëve”.

Një lloj shfajësimi i 75 vjecarit, që duhet të ringrejë skuadrën pa humbur kohë, sepse ajo kundër Hungarisë jo vetëm që është një përballje në të cilën dicka duhet të ndryshojë, me tre lojtarë me peshë të skualifikuar, por edhe vendimtar: “Sa i përket Brojës nuk mund të them që është lojtar shumë i ri sepse ai tashmë numëron 6 ndeshje dhe 6 paraqitje me Kombëtaren. Ka pasur mundësi të tregojë vlerat e tij dhe unë e kam parë në disa ndeshje dhe sidomos në Nations League në vitin e kaluar dhe mund të them që kam pasur mundësi që ta shoh në fushë dhe ta analizoj. Për momentin nuk më ka dhënë përgjigjet që unë pres, por është lojtar i madh, lojtar i ri dhe i përspektivës, shumë cilësor, nuk diskutohet. Do të jetë në stol për ndeshjen ndaj Hungarisë, por nëse do të ketë nevojë për të gjatë ndeshje, sigurisht që do të mbështetem tek ai. Ndërsa për modulin, mendoj se do të jetë i njëjti, por të shoh edhe si do të shkojnë gjërat me Bajramin, i cili sapo ka ardhur në skuadër dhe që po kalon një formë shumë të mirë. Gjithsesi, duhet të bëj edhe unë analizat e mia, për aspektin taktik dhe të shohim nëse mund ta përfshijmë në ndeshje. Është lojtar me shumë vlera, por kam edhe shumë lojtarë po aq të mirë, pavarësisht mungesave në dispozicion. Gjithsesi, deri nesër në mëngjes do të më duhet të bëj një farë analize me të gjithë lojtarët dhe pastaj do të shikojmë modulin”.

Hungaria, megjithatë është një ndeshje vendimtare për të qëndruar në lojë për kualifikimin dhe në këtë këndvështrim tekniku nuk fshihet: “Për të dyja ekipet, sigurisht që është një ndeshje vendimtare për të synuar deri në fund vendin e dytë në renditje. Sigurisht, Anglia është favorite për vendin e parë të grupit dhe për t’u kualifikuar. Çdo ndeshje është vendimtare dhe kjo sfidë është direkte që për ne nënkupton se duhet fituar me çdo kusht. Kemi nevojë të marrim pikë dhe kemi objektiv që të paktën çdo ndeshje që luajmë në Shqipëri të marrim një fitore që do të jetë jetike për ne që të vazhdojmë të ëndërrojmë për të pasur shans për t’u kualifikuar në Botëror” përfundoi italiani.

https://youtu.be/cm_Gx0R4CI0



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *