• |
ide | kryesore

Video/ Partizani fiton derbin dhe vendin në gjysëmfinale: Dinamon e eleminon ai që ‘i djeg’ më shumë

-Instant, Sport, Video



Partizani bëhen skuadra e fundit që shkon në gjysëmfinale të Kupës së Shqipërisë, pas triumfit 1-0 në derbin me Dinamon. Vendosi ish-sulmuesi i bluve Skuka, që i jep kështu debutimin e hidhur Bledar Devollit, që mori humbjen që vlen eleminimin nga turneu.

Pas barazimit 1-1 në sfidën e parë pritej të ishte një ndeshje e luftuar mes dy ekipeve dhe ekuilibri në lojë e kujdesi i dy teknikëve në orientimet e skuadrave bënë që rastet të mungonin pothuaj krejtësisht në pjesën e parë. Partizani ishte skuadra më insistuese, me Skukën e Malën tepër aktivë, por ndeshja u zhbllokua vetëm në fund të pjesës së parë, kur Skuka shënoi në portën e Harizajt duke i dhënë avantazhin të tijve e duke dëshpëruar Dinamon që e la të largohej në merkaton e janarit.

Mehmeti provoi me Junior për Kallakun të mbyllte ndeshjen, në kohën kur përpjekjet e Bluve për të reaguar në pjesën e dytë ishin të pasuksesshme. Vetëm dy tentativa të Ibraimit, në të cilat Hoxha u tregua i vëmendshëm. Në anën tjetër Skuka mund të shënonte dygolëshin personal, por nuk arriti përballë portierit dinamovit, duke e lënë ndeshjen të hapur deri në fund, pavarësisht impresionit se të kuqtë nuk vuajtën pothuaj asgjë.

Një fitore që i jep Partizanit të drejtën të vazhdojë të ndjekë Europën përmes Kupës, në kohën kur Dinamo del krejtësisht nga objektivat. Devolli e kishte cilësuar Kupën prioritet, por tani i duhet të mendojë si të karikojë të tijtë për të evituar luftën për mbijetesë.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *