• |
ide | kryesore

Video/ “Një arbitër i FIFA-s që jep penallti dy metra jashtë zonës”: Rama vërsulet kundër Jorgjit pas asaj që ndodhi në derbi

-Instant, Sport, Video



“Unë me gjykimin kam një problem shumë të madh, me një arbitër të FIFA-s, i cili me një faull që bëhet dy metra e gjysmë përpara se lojtari të hyjë në zonë, jep penallti pa asnjë dyshim dhe më pas të kuq. Ka edhe një faull më parë te Marku, që duhet ta rishikojë, por as që u mor parasysh”. Olsi Rama, drejtori i përgjithshëm i Partizani e nis kështu sulmin verbal kundër Enea Jorgjit, i cili kthehej pas 9 muajsh të gjykonte sërish Partizanin, në derbin me Dinamon që përfundoi në barazim 0-0. Drejtuesi i lartë i kryeqytetasve e ka rritur dozën e akuzave të tij ndaj arbitrit: “Nuk e di se si një arbitër është recidiv në rastin e Partizanit, sepse e kemi parë edhe në ndeshjet e tjera të japë penalltitë në mënyrën më të shkujdesur të mundshme. Kam qenë në atë pjesë të fushës dhe e kam parë vetë direkt, pa pasur aspak trajnim arbitri që faulli i Muratajt fillon dy apo tri metra larg zonës së rreptësisë dhe lojtari më pas bie në zonë – tha Rama, duke shtuar – nuk mund të jepet penallti domethënë, është një gabim i pafalshëm. Këta lloj arbitrash nuk mund të mendojnë që të vendosin drejtësinë nga VAR”.

Në fund ka edhe paralajmërim që ngjan shumë me kërcënim: “Unë kam një mënyrë zgjidhjeje, por nuk dua ta bëj, sepse jam Olsi Rama dhe nuk mund të merrem personalisht me një arbitër, që ka harruar integritetin personal në shtëpi të vet dhe vjen të gjykojë Partizanin në një mënyrë krejt të shkujdesur dhe të papërgjegjshme dhe këtë e kam me bindje që e them. Është për mua një gabim i pafalshëm që unë e shoh me tendencë që vetëm përsëritet”, përfundoi drejtori i të kuqve.

Gjithë kontestimi i drejtorit të Partizanit kunddrejt arbitrit Jorgji lidhet me episodin e minutës së 78, kur gjykoi si penallti një ndërhyrje të Muratajt, që u ndëshkua edhe me karton të kuq. Vetëm pas ndërhyrjes së VAR u vërtetua se faulli ishte kryer dukshëm jashtë zonës duke evituar penalltinë, që mund ti kishte dhënë fitoren Dianamos, duke lënë në fuqi vetëm kartonin e kuq për mesfushorin e Partizanit.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *