• |
ide | kryesore

Penalltitë vendosin ndeshjen në Korçë: Meta nervozon Skënderbeun, por me Kukësin mbyllet 1-1

-Instant, Sport, Video



Barazimi i dytë radhazi për Skënder Gegën në pankinën e Skënderbeut, por renditja bëhet më problematike pas 1-1 ndaj Kukësit, për javën e 26 të Superiores. Fitoret e Egnatias dhe Kastriotit e kanë bërë më të thellë diferencën me zonën e shpëtimit. Skënderbeu dhe Kukësi kanë ndarë pikët në ndeshjen e luajtur në Korçë, duke ndaluar të dyja skuadrat të ndiqnin objektivin e tyre, ndonëse të ndryshëm.

Ndoshta për këtë arsye që ndeshja ishte e tensionuar dhe u vendos nga dy penallti, një në secilën pjesë loje, me skuadrat që kanë gabuar edhe shumë raste të tjera deri në fund të ndeshjes, pa arritur të ndryshonin fatin e kësaj sfide. Avantazhi i shpejtë i skuadrës së Longos erdhi falë ndërhyrjes së VAR që thërriti arbitrin Meta, kur pas një harkimi të Bashës nga e djathta, Sadriu preku topin me dorë. Arbitri vazhdoi fillimisht lojën, por pasi u kërkua në monitor bëri shenjë nga pika e bardhë e penalltisë, duke i treguar edhe kartonin e verdhë Sadriut. Korcarët u nervozuan edhe më shumë kur në dy raste në minutën e 32 dhe 36 Meta injoroi protestat e tyre për penallti, në fillim për ndërhyrjen e Gligorov dhe pastaj në prekjen me dorë nga Milunoviç.

E megjithatë, në pjesën e dytë Meta nuk pati dyshime në minutën e 59 kur Pëllumbi, në ndeshjen e parë kundër ish-skuadrës së tij, pengoi Pusin brenda zonës. Zguro barazoi rezultatin duke fiksuar një 1-1 që nuk ndihmon askënd. Kështu, Kukësi mbetet në zonën e Europës dhe i afrohet me një pikë më shumë Laçit të vendit të dytë, ndërsa Skënderbeu vazhdon të jetë në fundin e tabelës duke përkeqësuar pozitat e veta.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *