• |
ide | kryesore

Bekaj i mban në lojë, po nuk eviton dot humbjen me Zrinjskin: as ndryshimet nuk i bëjnë punë Tiranës

-Instant, F1, Sport



Dicka nuk shkon. Tirana del përsëri e mundur nga ndeshja, këtë herë në Conference League përballë Zrinjski Mostar. Kampionët e Bosnje Hercegovinës janë imponuar 0-1 në Arenën Kombëtare me një gol të shënuar me penallti nga Bilbija, por rezultati mund të kishte qenë shumë më i rëndë nëse Bekaj nuk do të kishte ndaluar cdo tentativë tjetër të drejtuar në kuadratin e portës bardheblu. Rezultati mund të jetë ende i hapur, por pas kësaj performance vështirë se mund të mendohet që kampionët e Shqipërisë të bëjnë përmbysjen në transfertën e kthimit.

Nuk bënë punë as lëvizjet e Orges Shehit, që la jashtë Totren e Dejvid për të provuar kartat me debutuesin në Europë Qefalijan dhe Hasanin. Bardheblutë ishin njësoj të vakët dhe aspak krijues. E akoma më keq me gabime amatoreske si në rastin e penalltisë që vendosi ndeshjen. Humbja e tretë në tre ndeshje në Europë. Një gol i shënuar dhe katër të pësuar: një bilanc që nuk i shkon aspak për shtat Tiranës, shumë inferior në nivel loje me Zrinjski Mostar.

Ndoshta penalizues ishte episodi i minutës së 12, kur një tentativë spastrimi zone i Aleksit u shndërrua në penallti. Bekaj i shkoi shumë afër devijimit të 11 metërshit, ndërsa më pas priti cdo tentativë të drejtuar në portën e tij, duke shpëtuar rezultatin të paktën dy herë në mënyrë flagrante në pjesën e parë: në minutën e 24 në devijimin e Bilbijas dhe në të 32 në goditjen e Tiçinoviç. Në pjesën e dytë, bardheblutë ishin më agresivë, u munduan të shtyjnë drejt portës së kundërshtarit, por rastet para portës munguan dhe në vend të tyre ishin vetëm disa goditje sporadike jashtë kuadratit, përpara se në fund në të 95, Bekaj të shpëtojë edhe një herë rezultatin në tentativën e Çuzhe. Tani duhet një mrekulli, që Tirana të tjetërsohet në një javë e të kthehet një skuadër e frikshme për kundërshtarët, qofshin këta edhe boshnjakët e Zrinjski Mostar…



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *