• |
ide | kryesore

Takimi Kurti-Vuçiç/ Ende asnjë sinjal për marrëveshje në Bruksel

-Instant, Arkiva, Kryesore, Lajme



Presidenti serb Aleksandër Vuçiç dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti u takuan në Bruksel me qëllim uljen e tensioneve pas protestave kufitare, por në fund të takimit, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell tha se nuk u arrit asnjë marrëveshje e re.

Borell tha pas takimeve, që zgjatën mbi pesë orë, se “ne nuk arritëm në një marrëveshje sot, por ky nuk është fundi i historisë”.

Deklarata e Kurtit për mediat ka vonuar, ndërsa pala serbe u largua më herët nga ndërtesa ku është mbajtur takimi. Në orët e paradites u zhvillua takimi i parë trepalësh pas të cilit, shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrel dhe i dërguari i posaçëm për dialogun, Miroslav Lajcak, kanë takuar ndaras Kurtin dhe Vuçiçin.

Pas kësaj është zhvilluar edhe një takim në mes të Kosovës dhe Serbisë në praninë e përfaqësuesve të BE-së.

Shefi i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç ka thënë para gazetarëve se Vuçiç do të qëndrojë edhe për një kohë në Bruksel ndërsa publikut do t’i drejtohet të premten.

“Kompromis nuk do të ketë dhe askush nuk do të flasë nga delegacioni serb, ajo që është e rëndësishme është që ne luftuam për paqe, për stabilitet, për zgjidhje kompromisi dhe prandaj presidenti Aleksander Vuçiç do të qëndrojë edhe për një kohë këtu në Bruksel, pasi të kthehet në Beograd, presidenti Aleksander Vuçiç do ti drejtohet publikut dhe do të jetë një nga fjalimet e tij më të rëndësishme për publikun, nesër pasdite ose në mbrëmje”, ka thënë Petkoviç.

Por zyrtarë të BE-së i kanë thënë Radios Evropa e Lirë (REL) se janë optimistë që një pakt mund të arrihet në ditët në vijim.

Duke folur në kushte anonime, disa zyrtarë të BE-së, kanë thënë se “ky rund i takimeve nuk do të konsiderohet i përfunduar pa u arritur marrëveshja”.

Sipas tyre, në mbrëmjen e 18 gushtit, edhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar është takuar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç.

Takimet u zhvilluan pasi tensionet u përshkallëzuan dy javë më parë kur serbët e Kosovës protestuan kundër një vendimi të qeverisë së Kosovës për të vendosur procedura të reja hyrje-dalje për personat me dokumente serbe dhe riregjistrimin e makinave me targa serbe.
Policia e Kosovës më 31 korrik mbylli pikat kufitare të vendit pasi serbët vendas vendosën barrikada. Nën këshillën e SHBA-së, Prishtina më pas vendosi të shtyjë ndryshimet deri më 1 shtator, duke shkaktuar zbutjen e protestave.

Borrell shprehu shpresën se mund të arrihet një zgjidhje. “Të dy liderët ranë dakord se procesi duhet të vazhdojë dhe diskutimi do të rifillojë në ditët në vijim” tha ai./Lapsi.al



1 Comment

  1. Qeverisja e Berishës me 835 të vrarë.

    Qeverisja e Ramës me 501 të vrarë

    Gjithsej janë 1336 të vrarë.

    Pra, në 16 vite qeverisje, 2006 – 2021, të vrarët e periudhës “Berisha” zënë 62.5 për qind të totalit, kurse të vrarët e periudhës “Rama” zënë 37.5 për qind të totalit, me një ulje të vrasjeve prej 40 për qind në favor të periudhës “Rama”Dashnoret e krimit salih metaj ne vite.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *