• |
ide | kryesore

Analiza/ Strategjia e Putin për një luftë pa mbarim në Ukrainë

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit
putinit putin



Kur presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi trupat e tij të hynin në Ukrainë më 24 shkurt të një viti më parë, ai priste të fitonte shpejt. Me këtë do të zinte një vend në histori përkrah carëve dhe do t’u jepte Shteteve të Bashkuara një mësim për ringjalljen e Rusisë që nga rënia e Bashkimit Sovjetik.

Por ai e kishte gabim. Lufta ka vrarë ose plagosur qindra mijëra; Rusia dhe rusët akuzohen në Perëndim si agresorë dhe ushtria e tij tani përballet me një Ukrainë elastike të mbështetur nga aleanca ushtarake e NATO-s e udhëhequr nga SHBA.

Një burim i rëndësishëm rus me njohuri mbi vendimmarrjen në Moskë i tha Reuters se shpresat e Putinit për të ringjallur reputacionin e tij ishin shkatërruar.

“Më tej, do të jetë edhe më e vështirë dhe më e kushtueshme për Ukrainën dhe Rusinë”, – tha burimi, i cili foli në kushte anonimiteti. “Humbjet ekonomike në këto përmasa nuk vlejnë për ato pak territore të pushtuara” – shtoi ai.

Ky burim tha se shumë nga elita ruse ndanin pikëpamjen e tij, megjithëse ta thoshte këtë publikisht do të merrte menjëherë një ndëshkim. Putin thotë se Moska është e detyruar në një betejë ekzistenciale me një Perëndim arrogant që dëshiron të brejë Rusinë dhe burimet e saj të mëdha, një narrativë që Ukraina dhe Perëndimi e refuzojnë.

Me gjithë valët tronditëse gjeopolitike që ka shkaktuar Putini, ai ende nuk ka një rival serioz për pushtet. Reuters mori mendimin e të paktën 5 burimeve të larta ruse në vendimmarrje. Me gjithë kundërshtarët e nënshtruar, 70-vjeçari nuk duhet të ketë frikë nga zgjedhjet presidenciale që do të mbahen në mars 2024. Megjithatë, pasojat e plota strategjike dhe ekonomike të luftës mund të jehojnë për shumë kohë.

“Unë nuk besoj në një ofensivë të madhe, apo në mundësinë e një fitoreje ruse kundër gjithë botës së qytetëruar,” – tha një burim i dytë i lartë pranë Kremlinit, i cili gjithashtu nuk pranoi të përmendet. Burimi tha se Rusia ishte në disavantazh si në teknologjinë ushtarake ashtu edhe në motivim, por se lufta do të vazhdojë ende “për një kohë shumë të gjatë”.

“Pa alternativa”

Edhe një nga të paktët skeptikë, kritikat e të cilit janë toleruar deri më tani, një ish-komandant pro-luftës i trupave pro-ruse në Ukrainën lindore, nuk sheh ndonjë rezultat të qartë.

“Ne jemi në një situatë absolutisht paradoksale,” – thotë Igor Girkin, i cili është dënuar nga një gjykatë ndërkombëtare për ndihmën për të rrëzuar një aeroplan malajzian mbi Ukrainën lindore. “Ne kemi një udhëheqje krejtësisht të paaftë të formuar drejtpërdrejt nga një president që është i pandryshueshëm dhe për të cilin nuk ka alternativë. Por një ndryshim i presidentit do të çonte vendin në një katastrofë të shpejtë” – thotë ai. Për Girkin, kjo do të thoshte disfatë ushtarake, luftë civile dhe nënshtrim të Rusisë.

Kritikat e tij përqendrohen në fshehtësinë, komunikimin e dobët dhe strukturën joefektive të komandës që kanë çuar në një seri humbjesh poshtëruese ushtarake nga fqinji shumë më i vogël i Rusisë. Por përtej fushëbetejës, Rusia duhet të paguajë për një luftë të papritur dhe të zgjatur duke vuajtur sanksionet më të rënda perëndimore.

I detyruar për mobilizimit të 300 mijë burrave të rinj, vjeshtën e kaluar, Putin bëri që qindra mijëra të tjerë të largoheshin nga Rusia. Moska ka humbur një pjesë të madhe të tregut evropian të gazit që Bashkimi Sovjetik dhe Putin kaluan dekada duke e fituar. Prodhimi rus i naftës u rrit në vitin 2022, por Moska ka njoftuar një ulje të prodhimit për muajin mars, me shumë gjasa në përgjigje të tavanit perëndimor të çmimit të produkteve të saj të rafinuara.

Firmat dhe investitorët perëndimorë njoftuan largimin duke e dobësuar Rusinë, dikur rivale me Kinën si investitor dhe blerës i naftës së saj.
Ekonomia e saj prej 2.1 trilion dollarësh – rreth një e 12-ta e madhësisë së asaj të SHBA-së – parashikohet nga Fondi Monetar Ndërkombëtar të rritet me 0.3% këtë vit, shumë më poshtë se ritmet e rritjes së Kinës dhe Indisë.

Suficiti i llogarisë korrente është tkurrur dhe deficiti buxhetor po zgjerohet, pavarësisht tërheqjeve të mëdha nga një fond emergjence.
“Kjo luftë është aktiviteti më i rëndësishëm që Putin ka ndërmarrë ndonjëherë dhe sigurisht për Rusinë është loja më e rëndësishme që nga rënia e Bashkimit Sovjetik,” – thotë Samuel Charap, një specialist për Rusinë i cili ka shërbyer në Departamentin e Shtetit. Por nëse drejtuesit e bizneseve të Rusisë – të cilët përfshijnë shumë nga kolegët e dikurshëm të Putinit të KGB-së – kundërshtojnë rrjedhën e ngjarjeve, ata po e bëjnë këtë në mënyrë private.

“Lojë e gjatë”

Shumë do të varet nga fusha e betejës, ku vija e frontit shtrihet tashmë në 850 km. Asnjëra palë nuk ka epërsi ajrore. Të dyja kanë pësuar humbje të mëdha.
Perëndimi po furnizon Ukrainën me armë më të avancuara – dhe me rreze më të gjatë – pasi i dha armë, predha, raketa dhe inteligjencë në vlerë prej dhjetëra miliarda dollarësh. Por toleranca e tij ndaj këtij shpenzimi mund të mos jetë e pafund.

Putini mund të jetë në fund të fundit duke vënë bast për kohën, tha drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës së SHBA (CIA) Ëilliam Burns, një ish-ambasador në Moskë i cili ka marrë mesazhe nga presidenti Joe Biden në Rusi. Ai tha se realiteti i fushës së betejës do të tregonte “turpërimin e Putinit”, se ushtria e tij nuk mund të përparojë, por vetëm të humbasë territorin e kapur tashmë. Disa brenda elitës ruse kërkojnë të ndryshojnë dhe thonë se Perëndimi do të humbasë.

“Presidenti beson se mund të fitojë në Ukrainë”, tha një burim i lartë rus. “Ai, natyrisht, nuk mund ta humbasë luftën. Fitorja do të jetë e jona.” As Kremlini dhe as Perëndimi nuk kanë specifikuar se çfarë do të sjellë fitorja apo disfata në Ukrainë, megjithëse Moska mbetet shumë larg kontrollit të 4 provincave të Ukrainës që i ka shpallur në mënyrë të njëanshme pjesë të Rusisë. Ukraina thotë se do të rimarrë çdo centimetër të territorit të saj.

Dhe kjo jep pak arsye për të besuar se lufta do të përfundojë së shpejti. “Putini do të qëndrojë në pushtet deri në fund, nëse nuk vdes ose ka një grusht shteti – dhe asnjëri nuk duket i mundshëm tani,” – tha një diplomat i lartë perëndimor. “Putini nuk mund ta fitojë luftën, por ai e di se nuk mund të humbasë.” – e mbyll ai. ©Marrë nga Reuters, përshtati në shqip LAPSI.al



4 Comments

  1. Lufte e gjate eshte taktika “as lufte ne front e as paqe”, çka sjell shkaterrim, emigracion dhe rrënim ekonomik si ne Rusi, ashtu edhe ne Ukraine.

    Synimi eshte ruajtja e tensionit ushtarak dhe politik, jo vetem ne Ukraine, por edhe ne Perendim, me qellim lodhjen e tij dhe terheqjen e mbeshtetjes ndaj Ukraines.

    Ashtu si lufterave të Milloshevicit ne Ballkan, luftes ne Ukraine mund t’i jape fund vetem SHBA…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *