• |
ide | kryesore

Fili, Gjumsi e Kruja, merr formë Teuta: bregdetarët prezantojnë tre goditje brenda ditës

-Instant, F1, Sport
Fili



Pasi zgjidhën çështjen e trajnerit, me Diego Longo, tashmë në pankinën e Teutës, durrsakët po mendojnë për merkaton. Një lëvizje me vendosmëri, në zërin e hyrjeve, me tre goditje të prezantuara brenda ditës. Dy sulmuesit, Realdo Fili e Aldo Gjumsi dhe mesfushori Arsid Kruja do të luajnë sezonin e ri në ‘Niko Dovana’.

Sezoni që sapo u mbyll nuk ishte në pritshmëritë e Teutës, pavarësisht se në fund gati arriti Europën. E kështu, drejtuesit e klubit durrsak kanë vendosur të bëjnë ndryshime të forta në organikë dhe drejtimin teknik. Pas largimit të teknikut Edi Martini në pankinë u ul Diego Longo. Por skuadra duhet të zëvendësojë edhe pesë të larguarit e deri tanishëm: Kallaku, Kouros, Gruda, Albion Marku e Qirko.

ISH-SULMUESI I PARTIZANIT NË ‘NIKO DOVANA’

E kështu, në pak minuta, Teuta njoftoi firmën me sulmuesin, Realdo Fili. Klubi bregdetar ka arritur një marrëveshje 1 vjeçare me lojtarin 27 vjeçar, i cili vjen te Teuta pas paraqitjeve shumë të mira në ekipin e Çernomorets Odesa në Ukrainë. Ish-sulmuesi i Partizanit Fili nuk është se la gjurmë në Superiore me të kuqtë, por me Apoloninë ishte protagonist absolut.

PËRFORCIM NGA TIRANA

Reparti ofensiv kompletohet edhe me një tjetër goditje, këtë herë nga Tirana. Teuta ka prezantuar sulmesin anësor, Aldi Gjumsi. Lojtari bashkohet me Teutën pas një sezoni pozitiv me bardheblutë. Fakti i mbylljes së hapësirave në kryeqytet, ka bërë që Gjumsi të kërkojë një aventurë të re. Pas arritjes së marrëveshjes dhe zyrtarizimit të bashkëpunimit, Gjumsi, nga sot është bashkuar me skuadrën në Durres ku po zhvillohen përgatitjet për sezonin e ri të Superiores.

KRUJA PËR MESFUSHËN

Ka qenë radha e prezantimit edhe për mesfushorin e djathtë, Arsid Kruja. Lojtari që përfundoi kontratën me Vllazninë, është akorduar me durrsakët. 30 vjeçari ishte një nga lojtarët e rëndësishëm të kuqebluve sezonin e kaluar dhe Teuta shpreson që Kruja të konfirmohet edhe në Durrës.

Vetëm dy ditë më parë Teuta ka nisur fazën përgatitore për sezonin e ri. Skuadra ka nisur punën nën urdhërat e stafit teknik të drejtuar nga Diego Longo. Pas matjeve fillestare, futbollistët të ndarë në grupe kanë kryer ekzaminimet mjekësore dhe testimet e zakonshme për këtë fazë. Paralel me këtë skuadra do të koncentrohet në realizimin e planprogramit të hartuar për këtë fazë përgatitore.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *