• |
ide | kryesore

Kush e “tradhtoi” Dritan Rexhepin

Arkiva, Lajme, Të fundit
Dritan Rexhepi



I shumëkërkuari i policisë shqiptare Dritan Rexhepi, i cili u vu në pranga në Turqi, tentoi t’i arratisej policisë nga vila luksoze. Mediat vendase shkruajnë se pasi ka parë se ishte rrethuar nga forcat speciale turke, shqiptari ka tentuar të arratiset me një automjet të cilit i ishin hequr targat duke kaluar në pjesën e shtëpisë që të çon në garazh.

Ai kishte me vete edhe një armë pa leje dhe u përpoq t’u rezistonte ekipeve që e ndaluan, u kap para se të hipte në automjet. Gjatë kontrollit në adresë, përveç pistoletës u sekuestruan edhe 2 karikatorë, 13 fishekë, 16 karta SIM, 12 celularë, 2 laptopë dhe 4 USB. Ai ka hyrë në Turqi më 24 shtator me një identitet të rremë.

44-vjeçari konsiderohej si shqiptari më i kërkuar në botë për një seri krimesh, deri edhe përfshirje në vrasje, por kryesisht për trafikun e kokainës nga vendet e Amerikës Latine në Europë. Rexhepi kishte hyrë në Turqi me një pasaportë kolumbiane, nën emrin Benjamin Omar Perez Garcia. Policia shqiptare bëri të ditur se Zyra Qendrore e Interpol Tiranës dhe institucionet e drejtësisë, kanë nisur menjëherë procedurat për ekstradimin e tij.

Ilir Kulla tha në emisionin “Zonë e lirë” se Rexhepi ndiqej prej vitesh nga autoritetet italiane. Ai tha se këto autoritete e kanë vëzhguar prej vitesh dhe se kanë e gjetur nëpërmjet fëmijëve.

“Dritan Rexhepi është arrestuar në Stamboll. Kishte një vit që ishte spostuar atje me familjen. Është nga fshatrat e Vlorës, emrin e vet e ka Gramoz, e ka emër të ndryshuar. Para se të shkonte në Turqi, ka qenë në Kolumbi. Është martuar me një zonjë nga Kolumbia që është ndaluar edhe mbrëmë. Ka dy fëmijë.

Operacionin e kanë bërë turqit, por gjithçka e kanë organizuar italianët. Ata kanë ditur lidhjen e tij dhe se kishte dy fëmijë dhe kanë ndjekur fëmijët. Ata kanë ndjekur fëmijët, dhe kjo ka qenë ndër arsyet që u zbulua dhe gabimi që është bërë nga Rexhepi” – tha Kulla.

Rexhepi ka një histori të pasur kriminale që nga fundvitet ’90 në Shqipëri, ku ai rezulton të jetë autori i vrasjes së dy punonjësve të policisë në Fushë Krujë në 1998. Ai do të arrestohej më pas në vitin 2006, por do të arratisej në mënyrë të çuditshme nga komisariati i Durrësit kur ishte duke kryer procedurat e marrjes në pyetje.

LEXO EDHE: Profili nga Wall Street Journal/ Një narcos shqiptar si Dritan Rexhepi

Ai do të shpallej në kërkim ndërkombëtar, dhe në vitin 2013, Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, e dënoi me 25 vjet burgim, për “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, “Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Në vitin 2015, Gjykata e Shkallës së Parë Fier, e dënoi me 4 vjet burgim, për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose vizave”, në rrethana rënduese dhe “Falsifikimi i vulave i stampave ose formularëve”, në rrethana rënduese.

Ndërkohë, Rexhepi kishte ngritur një rrjet të tërë të trafikut të kokainës, dhe ishte arrestuar dy herë të tjera në Europë, si nga një burg në Itali ashtu dhe nga një tjetër në Belgjikë. Në 2014 ai u arrestua në Ekuador, si pjesë e një operacion të gjerë antidrogë. Mediat thonë se ai përdorte celular edhe në burg. Ai u dënua me 13 vite burg në 2015, por në nëntor të 2021 u la i lirë nën mbikëqyrje.

LEXO EDHE: Jeta e Dritan Rexhepit/ Si u shndërrua studenti në një lojtar botëror të køkainës

Nga Ekuadori, dyshohet se ai urdhëroi në dhjetor të vitit 2019, rrëmbimin dhe më pas ekzekutimin e Jan Prengës, si hakmarrje ndaj vëllait të këtij të fundit, të cilin Rexhepi e konsideronte përgjegjës për zhdukjen e një sasie shumë të madhe kokaine në Angli.

Dritan Rexhepi konsiderohet si drejtuesi i një karteli droge me emrin “Kompania Bello” që përbëhej nga 14 organizata shqiptare. Në vitin 2020, Europol njoftoi pas operacionit policor “Los Blancos” të zhvilluar në 10 shtete europiane se karteli mund të quhej i shkatërruar. ©LAPSI.al



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *