• |
ide | kryesore

Projektet e turizmit/ Raporti: Ministria ka paguar, por s’ka studiuar dhe as monitoruar rezultatet

Arkiva, Lajme, Të fundit



Projektet që çdo vit mbështeten me një pjesë financimi nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit nuk kanë qenë të përcaktuara qartë që në fillim dhe as të planifikuara sipas zonave me prioritet turizmin.

Një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit, pas auditimit në këtë institucion, ka konstatuar se nga analizimi i tre viteve ka përsëritje të eventeve ndërkohë që aktivitetet nuk janë monitoruar, siç duhet për të parë përmbushjen e objektivave të vendosur.

“Në vitin 2020 dhe vitin 2021 “Qëllimi kryesor i thirrjeve dhe tematikat e thirrjeve” kanë qenë të njëjta, të përgjithshme dhe pa një fokus të përcaktuar të nevojave që ka turizmi. – Ministria e Turizmit dhe Mjedisit nuk ka zhvilluar proces studimi dhe planifikimi, sipas prioriteteve që ministria duhet të ketë çdo vit, duke mos përcaktuar qartë, zonave me përparësi zhvillimin e turizmit dhe burimet turistike për të cilat do të zhvillohen këto projekte dhe të cilat më pas të do të shndërrohen në produkte turistike” thuhet në raport.

Sipas këtij të fundit, këto veprime riskun e krijimit të një procesi të pa adresuar të procesit dhe përsëritje të projekteve për fusha të njëjta, të cilat kanë ndodhur gjatë tre viteve.

Një aspekt që ka shfaqur probleme sipas KLSH është mënyra sesi është bërë përzgjedhja apo s’kualifikimi i pjesëmarrësve ku sipas audituesve relacionet mbi arsyet nuk janë të detajuar për vendimet e marra.

“Për vitin 2022, nga auditimi i procesit të vlerësimit të aplikimeve konstatohet se, Komisionit i Përzgjedhjes së Projekteve janë mbledhur me pjesëmarrjen e anëtarëve dhe kanë përpiluar procesverbale, ku japin listën e përfituesve dhe për të skualifikuarit shprehen se ka mungesë dokumentacioni ose kërkesa për financim kalon 50% të vlerës së projekti.

Në procesverbal mungon një relacion shpjegues në lidhje me s’kualifikimet, vlera e financimit që është kërkuar nga aplikuese dokumentacioni i cili nuk është dorëzuar etj, Komisioni është mjaftuar vetëm me një renditje në formë tabelore të projekteve që kanë aplikuar nga thirrja, ku dhe në tabelë nuk është argumentuar dhe sqaruar projekt për projekt se çfarë dokumentesh mungojnë dhe për projektet fituese nuk janë cituar dokumentacioni i dorëzuar nga përfituesi” thuhet në raport.

Ndërkohë për projektet e shpallur fitues nuk jepen argumente ndër vite në procesverbale nëse kanë ndikim në turizëm dhe a përputhen me prioritetet e vendosura.

Audituesit vërejnë se nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit nuk ka asnjë plan monitorimi periodik me objektiva të qarta mbi këto projekte të finalizuar, e cila ka çuar në mungesën e një analize mbi ndikimin që kanë pasur dhe kanë këto projekte në zhvillimin e turizmit.

Për këtë ministrisë i është kërkuar që të marrë masa duke monitoruar periodikisht në mënyrë që të bëhet edhe një bilanc i qartë mbi eficiencën e projekteve që janë financuar me para publike./ Monitor



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *