• |
ide | kryesore

Elisa e bën prapë, gjen lidhjen mes turistëve dhe batutave të Ramës në Këshillin e Sigurimit

Syri i Lapsit



Nuk e dimë nëse Edi Ramës i pështjellohet stomaku kur dëgjon ndonjë deklaratë servilizmi te trashë apo pas kaq vitesh në pushtet, i duken normale temenatë që i vijnë nga vartësit e tij. Nuk është çudi t’i përkëdhelet sedra, përderisa mufkat përsëriten prap nga të njëjtët njerëz.

Siç është rasti i Elisa Spiropalit, që para disa vitesh e krahasoi me Skëndërbeun. Kuptohet që thagma u kthye shpejt në meme dhe për shumëkënd tregon nivelin banal të komunikimit që ekziston në nivelet e larta të qeverisë.

Por këtë të premte në punimet e Kongresit të Partisë Socialiste, shoqja Elisa e bëri prap. Dështoi të ruante kufinjtë e seriozitetit dhe kaloi në nota komike, kur tha se 10 milion turistët erdhën në Shqipëri edhe për komunikimin që pati Rama në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë me ambasadorin rus.

Kur Spiropali tha se “10 milion turistë nuk kanë ardhur vetëm të grishur nga një kryeministër i jashtëzakonshëm si Edi Rama që nuk i lë kusur ambasadorit rus në mes të mbledhjes së Këshillit të Sigurimit” salla mbajti frymën për të përmbajtur të qeshurat.

Shikoni videon më poshtë:

Kjo që tha Spiropali është sheqerosja e një ideje që para saj e ka lëshuar Milva Ikonomi, sipas së cilës “brand”-i më i mirë që ofron Shqipëria është Edi Rama”. Para saj, edhe gra të tjera socialiste nuk janë përmbajtur në deklaratat e tyre plot adhurim për shefin.

Gjithsesi duhet thënë se ekzagjerimet e Spiropalit, Ramës nuk i kanë shijuar përherë. Në një nga takimet në Shkodër, si për të nxjerrë kunjën e krahasimit me Skënderbeun, Rama e quajti disa “Mamicë” në sy të shkodranëve që ishin mbledhur për të kuvenduar me kryeministrin.



5 Comments

  1. E krahasoi me Enverin këtë radhë me fjalimin që mbajti në Moskë me 81 partitë të internacionales komuniste!!!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *