• |
ide | kryesore

Thyen karrige e ndezën flakadanë, “digjen” arkat e Tiranës e Partizanit: Disiplina dënon 10 javë Mehmetin

F1, Sport
Disiplina



Derbi i kryeqytetit po kthehet në një makth financiar për dy klubet protagonistë, me Tiranën e Partizanit që duhet të paguajnë pasojat e sjelljes së tifozerive të tyre. Disiplina nuk mund të kalonte pa vëmendje trazirat që ndodhën gjatë përplasjes në ndërqytetase. E grushti i Komisionit ka qenë i fortë, ndonëse i drejtuar në arkat e klubeve. Kështu, Tirana, për sjellje të gabuar të spektatorëve, që hodhën sende në fushë dhe ndezën flakadanë duke dëmtuar ambientet e stadiumit “Arena Kombëtare”, duhet të paguajë një gjobë të paprecedentë për këtë sezon. 400.000 (katërqind mijë) lekë duhet të dalin nga arkat e bardhebluve, me faturën që do të rritet ndjeshëm, sepse klubi është urdhëruar të dëmshpërblejë dëmet e shkaktuara në stadium, sipas akt konstatimit, brenda 15 ditëve.

Partizani, ka përfituar një goditje më të lehtë, duke mos qenë pritës. Por sidoqoftë, për sjellje të gabuar të spektatorëve, që hodhën sende në fushë e ndezën flakadanë duke dëmtuar ambientet e stadiumit, gjoba ka qenë në masën 300.000 (treqind mijë) lekë. Partizani, njësoj si rivalët e qytetit, duhet të dëmshpërblejë dëmet e shkaktuara, sipas akt konstatimit.

Disiplina, në shënjestër ka patur edhe Skënderbeun, ndonëse gjobitja ka qenë modeste në krahasim me dy kryeqytetaset. Për sjellje të gabuar të spektatorëve në ndeshjen me Erzenin, duke sjellë mungesë të rregullit dhe disiplinës në stadium e për ofendime të tifozerisë kundërshtare, bardhekuqtë duhet të paguajnë 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekë.

Vendimet e Komisionit të Disiplinës dhe Etikës së FSHF

KF Skënderbeu e pëson për sjellje të gabuar të spektatorëve duke sjellë mungesë të rregullit dhe disiplinës në stadium, duke ofenduar tifozerinë kundërshtare. Në bazë të nenit 17/2/h të KDE, dënohet me gjobë në masën 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekë.

KF Tirana e pëson për sjellje të gabuar të spektatorëve duke hedhur sende në fushë, ndezur flakadanë dhe duke dëmtuar ambientet e stadiumit “Air Albania”. Në bazë të neneve 17/1, 17/2/b, 17/2/c, 17/2/f dhe 17/2/h të KDE, dënohet me gjobë në masën 400.000 (katërqind mijë) lekë. KF Tirana, urdhërohet të dëmshpërblejë dëmet e shkaktuara në Stadiumin “Air Albania” sipas akt konstatimit, brenda 15 ditëve.

FK Partizani e pëson për sjellje të gabuar të spektatorëve duke hedhur sende në fushë, ndezur flakadanë dhe duke dëmtuar ambientet e stadiumit “Air Albania”. Në bazë të neneve 17/2/b, 17/2/c, 17/2/f dhe 17/2/h të KDE, dënohet me gjobë në masën 300.000 (treqind mijë) lekë. FK Partizani, urdhërohet të dëmshpërblejë dëmet e shkaktuara në Stadiumin “Air Albania” sipas akt konstatimit, brenda 15 ditëve.

Lexo më tej: “Jam i mërzitur, pika i bëri punë Partizanit”: Ahmataj shpjegon si ndali të kuqtë, Abilaliaj e ka me arbitrin

DISIPLINA, PEZULLIME NË KATEGORINË E DYTË

FK Tomorri e pëson në bazë të nenit 6/1/a të KDE. Klubi paralajmërohet se në rast të përsëritjes së mos marrjes të masave organizative, do të jetë subjekt i masave disiplinore që parashikon Kodi i Disiplinës dhe Etikës dhe Rregulloret e FSHF.

Lojtari i FK Tomorri, Erald Hyseni e pëson për lojë të rëndë ndaj kundërshtarit. Në bazë të nenit 14/1/e të KDE, dënohet me 3 (tre) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.

Lojtari i FC Lushnja, Lauren Ismailaj e pëson për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes. Në bazë të nenit 14/1/j të KDE, dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.

Lojtari i KS Delvina, Donald Mehmeti e pëson për sulm fizik ndaj lojtarëve kundërshtarë. Në bazë të nenit 14/1/i të KDE, dënohet me 10 (dhjetë) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.

Zyrtari i KF Valbona, Alfred Allamani e pëson për provokim të spektatorëve. Në bazë të nenit 14/1/f të KDE, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *