• |
ide | kryesore

Vdeķja e elektricistit të OSHEE, familjarët akuza për manipulim të ngjarjes

Arkiva, Lajme, Të fundit
OSHEE



Më 31 Janar, Ylli Boba do të humbte jetën në Bulqizë. Policia njoftoi ditën e ngjarjes tragjike se 32-vjeçari ra nga shtylla gjatë punës për riparimin e lidhjeve elektrike pasi punonte si elektricist. Por në një deklaratë, familjarët e tij mohojnë që ngjarja të ketë ndodhur kështu. Ata u shprehën se sipas autopsisë rezulton që shkaku përcaktues i vdekjes ka qenë një goditje elektrike. Ngjarja e rëndë ka bërë që familjarët të krijojnë dyshime në lidhje me procedurat e ndjekura. Ato akuzojnë Inspektoratin e Punës se nuk ka ushtruar kontroll, në lidhje me sigurimin teknik, kushtet e punës dhe mungesën e mjeteve të punës nga ana e OSHEE.

Për manipulimin e rrethanave të ngjarjes ne nuk dimë gjë. Ne dimë se në atë vend ku ka ndodhur ky aksident, ka ndodhur një aksident tjetër. Edhe punonjësit që kanë qenë në ndihmë me Yllin kanë thënë a me këto mjete do punojë ky djalë këtu? A nuk e dini ju se në këtë vend është bërë një aksident tjetër? Janë bërë me shkallë primitive, pa mjet fare. Çuni nuk është specialist që të punojë në kabinë elektrike. Lajmet e kanë nxjerrë që ai është vrarë në shtyllë. Faktikisht nuk është vrarë në shtyllë elektrike, ka qenë te kabina e tensionit të lartë”, tha një e afërme.

Ato shprehen se 32-vjeçari nuk ishte i specializuar për të bërë ndërhyrje në rrjetin 10 mijë volt të kabinave, por ishte i punësuar si mirëmbajtës. Ai punonte aty prej një viti.

“Ai ka qenë mirëmbajtës aty. Ai vetëm për moszbatim rregullash. Do e kërkojmë drejtësinë deri në pikën e fundit. Edhe nëse jo në rrugë ligjore këta do veprojnë në rrugë tjetër. Vëllai i vet nuk e le mangët. Çuni, vëllai vet, thotë nuk e di çdo bëj. Duke filluar nga më elementarja, nga pajisjet, nuk ka pasur një dorezë, sa ka vënë dorën në mur e ka zënë korrenti. Nuk e kanë ndalë energjinë, tensionin e lartë. E kanë deklaruar që nuk e kemi ndalur fare se nuk ka as urdhër, as procesverbal. Si punohet në një kabinë elektrike me tension 10 mijë volt? Në një kohë ku edhe përgjegjësin e ka kapur korrenti se ata punonin pa asnjë kusht. Më kanë thënë vetë elektricistët atje. E kanë lajmëruar hajde rregullo defektin. Ai që i ka afruar shkallën, i ka thënë përgjegjësit me këto shkallë nuk bëhen punë. Përgjegjësi na ka thënë ne këto kushte kemi pasur”, tha një afërme.

Një tjetër pretendim i familjarëve është transportimi i të ndjerit në spital.

“Është transportuar në këmbë prej vendit të ngjarjes e deri në xhade poshtë. E kanë transportuar njerëzit jo me mjet. Nuk i kanë ardhur në ndihmë fare se na kanë treguar njerëzit që vinin e qanin dhe e kanë transportuar me krah”, tha një familjare tjetër.

Ato presin që ngjarja të hetohet dhe të zbulohet se kush e ka dhënë urdhrin, dhe kush e ka detyruar një punonjës të pa specializuar për të ndërhyrë në tension të lartë.

“Ajo që kërkojmë është që Inspektorati i Punës të hetojë sa i përket nëse ka pasur urdhër pune dhe procesverbal siç rasti e kërkon ku ndërhyrja është bërë në kabinë elektrike me 10 mijë vat, është ulur apo jo tensioni, është punuar në kushtet e një tensioni të lartë aktiv? Tjetra që është po aq e rëndësishme lidhet me transportimin e viktimës në rastin konkret të Yllit. Është bërë sipas procedurës apo jemi në kushtet ku edhe aty kemi pasur shenja jete dhe mënyra si është transportuar, ndihma e parë dhe ndihma e shpejtë a i janë dhënë si duhet? Këto janë shqetësimet që ne si familjarë ndajmë dhe kërkojmë nga organet kompetente t’i japin vëmendjen e duhur për të, sadopak lehtësuar, dhimbjen e familjarëve dhe pse jo për të minimizuar rastet e tjera ku mund të kemi humbje jete për shkak të mosrespektimit të kushteve teknike në punë apo transportimit nga vendngjarjet drejt spitalit”, tha Erjola Lami, avokate, njëkohësisht familjare e të ndjerit.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *