• |
ide | kryesore

I dhanë pak muaj jetë: Ryan Reynolds i ndryshon jetën gruas së një futbollisti të Wrexham

Sport
Wrexham



Përveçse një yll hollivudian, interpretues i superheroit Green Latern, Ryan Reynolds dëshmon se ka edhe një zemër të madhe. Me ‘superfuqitë’ e tij, këtë herë thellësisht njerëzore, aktori 47-vjeçar kanadez i ka ndryshuar jetën gruas së një futbollisti të Wrexham. Aktori është bashkëpronar i skuadrës uellsiane që nga viti 2021, së bashku me një aktor tjetër, Rob McElhenney. Jetët e Anthony Forde dhe gruas së tij Laura Mangan u kthyen përmbys në shkurt 2023, vetëm disa ditë pas lindjes së djalit të tyre Paddy. Gruas i kishin dhënë vetëm disa muaj jetë, por ndërhyrja e Reynolds – i cili ofroi të paguante për një konsultë të dytë në Shtetet e Bashkuara – zbuloi se diagnoza ishte e gabuar, duke i rikthyer gëzimin e të jetuarit një familjeje të tërë.

Në fillim të vitit të kaluar, krahu i majtë i Laurës u bllokua kur ishte në shtëpi, kështu që ajo shkoi për një MRI, pas së cilës ajo u diagnostikua me një tumor të trurit të paoperueshëm. Një neurokirurg i tha gruas se mund të kishte vetëm muaj ose ndonjë vit jetë pasi gjykoi se tumori ishte malinj. Duke folur për historinë në një podcast të fundit, Forde tha: “Ne po përpiqeshim të ishim sa më pozitivë derisa folëm me neurokirurgun, por aty morëm lajmin më të keq të mundshëm”.

GJEST PREJ SUPERHEROI

Por mijëra kilometra larg ishte dikush që donte të ndryshonte këtë skenar të tmerrshëm, duke e rishkruar të gjithë historinë dhe duke e shndërruar atë në një përrallë me një fund të lumtur. Disa ditë më vonë, Reynolds i thirri ata në FaceTime nga Shtetet e Bashkuara. Ai donte që Laura të merrte një opinion të dytë mjekësor nga një prej neurokirurgëve më të mirë të Nju Jorkut. Çuditërisht, ky mjek tjetër ishte shumë më optimist dhe biopsia konfirmoi përshtypjen e tij të parë: tumori ishte beninj.

Forde shprehu mirënjohjen e tij për gjestin e mrekullueshëm, që erdhi në momentin më të errët. Falënderimi që përfshiu edhe pronarin tjetër të Wrexham, aktorin Rob McElhenney: “Unë nuk mendoj se do ta kisha marrë këtë ndihmë diku tjetër, ata kanë qenë fantastikë. Ata janë njerëz vërtet të mirë që kanë zemra të mëdha. e unë, familja ime dhe miqtë e mi do të jemi gjithmonë mirënjohës ndaj tyre”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *