• |
ide | kryesore

Beqaj ankohet/ Akuza “shpërdorim detyre” për firmat tek sterilizimi

Arkiva, Kryesore, Lajme



Edhe pse prokurorët Ervin Kondili dhe Ened Nakuçi nuk e patën dorën e rëndë, kur e lanë të lëvizë i lirë gjatë kohës që po hetohej, ish-Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj sërish u ankua për punën e tyre, pasi sot iu komunikua akuza për “shpërdorim detyre”.

Kur doli nga prokuroria, Beqaj i tha gazetarëve se për 50 muaj hetime prokurorët nuk bënë llogaritë për efektet që sterilizimi ka pasur në uljen e ditëve të qëndrimit të pacientëve në spital dhe në uljen e ditëve të marrjes së antibiotikut në spital. “Kjo do të thotë që mos ta kesh kuptuar se çfarë ke hetuar” u shpreh Beqaj që shpreson se në gjykatë do të dalë “e vërteta” e tij.

Akuza që është ngritur ndaj Beqajt parashikon dënimin me burg deri në 7 vjet heqje lirie.

Por faktet treguan, se të ishte për SPAK-un, Beqaj sot do të kishte dalë i larë nga hetimi për PPP e sterilizimit. Pas arrestimit të biznesmenit Ilir Rrapaj dhe të ish-zv/ministrit të shëndetësisë Klodian Rrjepaj, dosja shkoi në gjykatë pa një akuzë për Ilir Beqajn.

Ngritja e një akuze për ish-ministrin që firmosi PPP me vlerë 100 milion euro u bë me këmbënguljen e kreut të SPAK, Altin Dumani dhe të gjyqtarit Erjon Bano. Në dosjen hetimore, Dumani shtoi një paragraf enkas për përgjegjësitë e Ilir Beqajt në PPP të sterilizimit.

Gjyqtari Erjon Bani i orientoi prokurorët drejt hetimit të çështjes edhe për veprat penale të korrupsionit dhe pastrimit të produkteve të veprës penale në lidhje me rolin e Beqajt në realizimin e PPP. Pas vendimit të gjykatës, SPAK deklaroi se hetimet për Beqjen ishin në proces.

Promovimi që i bëri Rama gjatë hetimit

Deri pak orë para se të dilte njoftimi në media për sekuestrimin e pasaportës dhe ngritjen e akuzës për shpërdorim detyre, Ilir Beqaj ishte në krye të një institucioni që varej direkt nga kryeministri Rama. Ai mbante detyrën e Drejtuesit të Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, e njohur edhe si State Agency for Strategic Programming and Aid Coordination, (SASPAC).

Ndërkohë gjatë kohës kur hetohej PPP i sterilizimit, Beqaj ka pasur gjithnjë rol aktiv në radhët e Partisë Socialiste. Në zgjedhjet e vitit 2021 ai ishte kandidat për deputet dhe drejtues politik në Shkodër.

Së fundmi, Rama i besoi një post që shumëkush do t’ia kishte zili. Në 26 tetor të këtij viti, Beqaj u emërua pjesë e grupit negociator për negociatat e aderimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian duke zëvendësuar numrin 2 të Ministrisë së Brendshme, Romina Kukon.

Lexo edhe: Dokumenti/ Si gënjeu Rama sot për Ilir Beqajn, shoku i tij 2 metra po hetohet për korrupsion

Lexo edhe: Beqaj plas bombën/ I kërkon SPAK hetimin e Ogerta Manastirliut për sterilizimin

Lexo edhe: BIRN: Gjykata rrëzon SPAK/ Ja pse Beqaj është për burg

Pra, ndryshe nga ish-bashkëpuntorët e tjerë, që i kishte mënjanuar para arrestimit, Rama e afroi Ilir Beqajn duke i dhënë një zyrë në kryeministri.

Për çfarë akuzohet ish-ministri i shëndetësisë

Ilir Beqaj akuzohet për shpërdorim të detyrës të kryer në bashkëpunim për dosjen e tenderit të Sterilizimit. Në gusht të këtij viti pati edhe 8 masa arresti, mes tyre ish-zv ministri Klodian Rrjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj.

Për koncesionin 100 milionë dollarësh të Sterilizimit është arrestuar ish-zv.ministri i Shëndetësisë Klodian Rrjepaj dhe biznesmeni i sterilizimeve spitalore nën akuzat “mashtrim”, “falsifikim” dhe “shpërdorim detyre në bashkëpunim”.

Beqaj, Rrjepaj dhe Rrapaj kanë udhëtuar së bashku me avion nga Italia në qershorin e 2014, periudhë që sipas hetimeve përkon me veprimet përgatitore të koncensionit.

Ish zv.ministri Klodian Rjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj janë në burg.

Deklarata e plotë e Beqajt në dalje të SPAK

“Përfundoi hetimi dhe u mora si i pandehur për shpërdorim detyre, në bashkëpunim. SPAK duhet ta kishte nisur vlerësimin e punës time me përmbushjen e ligjit dhe Kushtetutës, pasi garantimin e kujdesit shëndetësor nga veriu në jug për qytetarët, e kam pasur detyrim dhe mision. Të përdorësh me eficencë fondet e shtetit, është detyrë. Por për një ministër Shëndetësie, është detyrë kryesore të shkurtosh harxhimet. SPAK në 50 muaj nuk ia doli që të hetojë dy çështje që ka Sterilizimi: uljen e ditëve të qëndrimit të pacientëve në spital, dhe uljen e ditëve të marrjes së antibiotikut në spital. Nëse do të kishin bërë këtë vlerësim, konvertimi i këtyre kursimeve në para, do ta nxjerrë një proces në përfitim për financat publike dhe për xhepat e qytetarëve. Kjo do të thotë që mos ta kesh kuptuar se çfarë ke hetuar.

SPAK nuk e mori fare mundimin që të hetonte këtë gjë. Kisha detyrim që ta vë në punë sterilizimin. Shqiptarët janë operuar në kushte të sigurta. Prokurorët nuk ishin në gjendje që të bënin dy vlerësime, vlera e parasë dhe si është materializuar ndarja publik-privat. Ua dhamë me koncesion Sterilizimin që t’u shërbenim më mirë shqiptarëve. Të vërtetën time do ta përballoj në gjykatë ku do dalë e vërteta e përfitimit që ka përfituar çdo shqiptar”.



6 Comments

  1. Me koncensionin e Beqes sterilizimi nga 250 mijë euro në vit që kushtonte deri në atë moment shkoi në 17 milionë euro.
    Pra 170 milionë euro për dhjetë vjet, plus qendrën e re moderne të sterilizimit të gatshme ndërtuar nga paratë e shqiptarëve, plus shpenzimet e ujit dhe energjisë që paguhen po nga paratë e shqiptarëve (para PPP-së uji dhe energjia ishin të përfshira tek ajo kostoja 250 mijë euro).
    Ka të drejtë Beqja të ankohet se nuk ja njohin meritën që ju ka kursyer para shqiptarëve!

  2. Beqja ne fakt eshte shejtan budalla. Sepse nuk po hetohet per rezultatet e sterilizimit, por per korrupsionin e procesit. Si profesionist i fushes, po te me kerkonin mendim prokuroret, do i hidhja poshte pretendimet e tij me disa argumenta:
    1. Nuk eshte e vertete qe jane ulur diteqendrimet ne spital dhe perdorimi i antibiotikeve
    2. Edhe nese do ishte keshtu, shkaku jo domosdoshmerisht eshte per shkak te koncesionit te sterilizimit. Gjate kesaj kohe kane ndryshur shume gjera te tjera qe mund te ndikojne si spitali i ri, mjete te reja, teknika te reja kirurgjikale, mendesi te reja etj. Po ashtu kjo mund te arrihet edhe me nje presion dhe kerkese me te madhe llogarie nga shefat e klinikave perkatese.
    3. Askush nuk verteton dot qe me pare nuk eshte abuzuar me diteqendrimet dhe perdorimin e antibiitikeve. Diten qe ketij abuzimi i vihet fre keto do bien, kjo jo domosdoshmerisht lidhet me koncesionin.
    4. Edhe sikur aresyeja te ishte nje proces me i mire sterilizimi, kjo nuk do te thote se nese i njejti sterilizim do behej me 20 dhe jo 200 Euro, keto parametra do ishin te ndryshem. Pra vjedhja nuk eshte se permireson rezultatin.

    Njesoj si te inceneratoret, ketu nuk vihet ne dyshim nevoja e procesit (pastrimit, sterilizimit etj). Beqja akuzohet se ka vjedhur pasi ka paguar 10-fish per te njejtin rezultat, jo se ka bere gabim qe ka sterilizuar veglat. Per me teper hiqni dore nga pretendimi se para ketij koncesioni operohej me vegla me ndryshk. Veglat edhe atehere sterilizoheshin me shume kujdes, ndryshe do ish bere baterdia

  3. Edi Rama e ka gjete nifar kodi interesant te komunikimit me akteret kryesor boteror, duke e shnderru Shqiperine per here te pare ne njefar kryeqendre rajonale.
    Edi Rama eshte i vetmi njeri ne bote qe ka raporte te mira edhe me familjen Soros edhe me familjen Trump. Kjo eshte per liber te Ginisit. Kjo eshte shkathtesi e madhe. Ne Amerike keto dy familje myten me njana tjetren, kurse ne Shqiperi e kane mikun e perbashket. Te dyja keto familje jane me ndikim te jashtezakonshem.

    1. Ti “I paemër18/03/2024 te 22:12” duhet te dish se do vazhdosh te jetosh si mi gjirizesh, duke menduar me ankth per fundin e muajit, ndersa Rama me te tijet fleni mbi miliarda!
      Nejse, vazhdo te lehesh si qen i zgjerbosur per padronin , si vetem vuajtje do kesh!

  4. Kur populli Shqiptar do të çlirohet nga mafia politike, që e vret, e shfrytezon, e vjedh, dhe i helmon ajri, tokën, ujin, ja vret të kalemen, të sotmen dhe të ardhmen. Zef Begeja

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *