• |
ide | kryesore

Hashim Thaçi dhe dhia e Izraelit

Blog



Një mik më befasoi me një porosi. Më shkroi se një stacion televiziv, për të cilin ai kishte shkruar se e favorizon PDK-në, e kishte paditur në gjyq dhe kishte kërkuar një shumë prej qindra mijëra eurosh si dëm komercial. Sipas arsyetimit të paditësit, të përmendurit se ky stacion e favorizon PDK-në e ka dëmtuar në të hyra të reklamave.

Nuk besoj ta ketë marrë seriozisht këtë arsyetim kushdo që di diçka për tregun mediatik, për vetë faktin se më 2008, kur ndodhi ky vlerësim, PDK-ja kishte influencë (dhe po e përdori një term asnjanës) të mjaftueshme në biznese publike e private sa të ndodhte krejtësisht e kundërta, pra që në të lexuar vërtetimin e bindjeve të tyre se ky stacion qenka i afërt me PDK-në afaristët të rrisnin vëllimin e reklamave. Në sistemin klientelist të cilin e perfeksionoi kjo parti, atëbotë e kryesuar nga Hashim Thaçi, të jesh afër PDK-së ishte hyrje për në të arritura më të mëdha afariste. Anasjelltas, të jesh kritik ndaj PDK-së dhe namit të tij mbase të merituar që më shumë u afrohej emrave ekzotikë si Cosa Nostra e N’draghetta sesa partive homologe në Amerikë e Evropë, ishte një thirrje e drejtpërdrejtë që ndërmarrjet publike dhe ato private që varen nga afërsia me PDK-në të mos reklamonin.

Nuk di në ishte ky mendimi i gjykatës, por sidoqoftë, padia e ngritur para tetë vjetësh dhe e hedhur poshtë si e tillë u ripërtëri si padi për shpifje, tashmë me një afat të afërt gjykimi, afat prej ca ditësh.

2.

Nuk më habiti padia e parë. Gjuha kishte shkuar aty ku kishte dhembur dhëmbi. Analisti përshkroi atë që më nuk ishte as sekret publik – pra se ky stacion u ndërtua falë nevojës së PDK-së dhe përkrahjes së kësaj partie – ndërkohë që drejtuesi i televizionit kishte nevojë që ta neutralizojë atë që nuk ishte më sekret publik.

Po më habit padia e dytë. Tetë vjet më pas, kush nuk e mban mend se çka ka shkruar ky apo ai analist; vështirë është të mbahen mend ngjarjet e para tetë ditëve, lëre më të tetë vjetëve. Dhe vështirë është se gjykata, në këtë apo edhe në nivel më të lartë të efikasitetit, të japë drejtësi për paditësin: analisti ka të drejtë të vlerësojë si të dojë, qoftë edhe gabimisht, për nënshtrimin evident të një medie të një partie politike. Në fund, është mendimi i tij, i garantuar me ligj e Kushtetutë.

E vetmja arsye që gjej për këtë padi befasuese ka të bëjë me shfajësimin, njërin prej aktiviteteve më të lashta njerëzore. Ndoshta paditësi beson se në të dalë në gjykatë, pas aq shumë vjetësh, do të përligjë një bindje të re, se stacioni që ai drejton nuk është i afërt me PDK-në (apo Thaçin), madje kurrë nuk ka qenë i tillë, sikundër dëshmohet me padinë e parë.

Këtë bindje – pra për motivacionin e shfajësimit – ma ka përforcuar prej kohësh sjellja e një ish-gazete të krijuar për nevoja të PDK-së, pastaj të shndërruar në portal me të njëjtat nxitje. Ky që ishte portali që do të sulmonte pamëshirë kritikuesit e Thaçit – duke bërë edhe para me këtë falë teknikës së quajtur “clickbait” (karrem klikimesh) – ndërroi anë dhe u bë kritikuesi më i skajshëm i Hashim Thaçit. Sot mund të zhvillohet ndoshta garë mes këtij portali dhe partive më të zëshme opozitare në sulmin kundër Thaçit dhe gjasat janë që portali të dalë i pari.

3.

Konstatimi më i lehtë që mund t’i jepet këtyre dy rasteve – dhe ende nuk dimë a është dukuri apo jo -është ai tradicional se minjtë ikin të parët nga anija që fundoset. Ardhmëria e Hashim Thaçit, mund të kenë vlerësuar drejtuesit e këtyre dy medieve, nuk është e shkëlqyeshme, madje krejtësisht e kundërta dhe tash do të ishte momenti më i mirë për t’u larguar nga ai. Kështu ka ndodhur edhe në shtetet e tjera, e në formë më drastike me Milosheviqin (natyrisht, nuk bëhet fjalë për paralelen e qeverisjes, por për paralelen e braktisjes mediatike), të cilit të gjitha ato medie që sulmonin shoqërinë civile, demokracinë dhe Evropën e Amerikën nuk iu nënshtruan më. Milosheviqi mbeti vetëm me RTS-në, televizionin publik, sikur që mund të mbetet Hashim Thaçi me RTK-në.

Por konstatimi i ikjes nga anija fundosëse mund të jetë edhe i shpejtë, edhe ndoshta joadekuat. Së paku është joaeduat për këtë shkrim, sepse fenomeni që po më intereson është ai i shfajësimit. Atë që bëjnë të dy drejtuesit mediatikë, që shërbyen (apo ndoshta ende shërbejnë) pushtetit të Thaçit është që të mos lidhen me pasojat e këtij pushteti. Gjesti i tyre duhet të krijojë një narracion, i cili thotë se edhe ata kuptojnë se Kosova është si mos më keq, shtet i kapur dhe i kriminalizuar, me tepër pak perspektivë për qytetarët e vet – dhe se ata janë me qytetarët, jo me pushtetin, siç pretendohet prej analistëve.

4.

Do të jetë interesant zhvillimi, qoftë nëse kemi të bëjmë me minj apo me shfajësim. Ndoshta do të dalin këto ditë figura të tjera – regjisore, organizatore festivalesh, prokurorë e policë, profesorë universiteti e drejtorë ndërmarrjesh publike – që do të na bindin se ata nuk ishin me Hashim Thaçin. Në fakt, ishin kritikuesit më të mëdhenj të tij. Dhe se, në fund, të gjitha fajet, siç ditkan të gjithë, i ka Hashim Thaçi.

Hebrenjtë e provuan të parët këtë model. Quhet “dhia e kurbanit”, që më pastaj u mor nga myslimanët si “dashi i kurbanit”. Në besimin fillestar, fiset hebraike e kishin ritualin e spastrimit të Izraelit. Që të gjitha mëkatet ia vishnin dhisë dhe pastaj e lëshonin, së bashku me mëkatet e Izraelit, të bridhte diku në shkretëtirë, sa më larg Jerusalemit.

Ka nja dy mijë e treqind vjet që nuk po u del llogaria. Dhia nuk po i merr mëkatet, ato vazhdojnë të mbesin e të ripërtërihen. Dhe hebrenjtë, njerëzit e parë të librit, kanë vendosur që duhet të shkruajnë për to, sepse mëkatet, po nuk dolën në shesh, nuk do të ikin as me dhinë.
Veton Surroi shkruar për KOHA DITORE



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *