• |
ide | kryesore

Vlahutin për Lapsi.al: TV të private nuk mund të financohen me paratë e taksapaguesve

Kryesore, Lajme



Pak ditë më parë Lapsi.al mbajti disa qëndrime të ashpra lidhur me një projektligj që pronarët e TV private në bashkëpunim me Ramën po përpiqeshin të kalonin në parlament dhe që në këndvështrimin tonë përbënte një skandal pasi kërkonte të shtonte taksën që qytetarët shqiptarë paguanin për aparatet televizive që kishin në shtëpitë e tyre në mënyrë që ajo të shkonte në zhepat e katër-pesë familjeve që kontrollojnë mediat më të mëdha të vendit. Duke u nisur nga këto qëndrime që ishin fare episodike në në pjesën më të madhe të mediave tradicionale, ambasadorja e BE në Tiranë, Romana Vlahutin shprehu të dëshirën të prononcohej edhe ajo duke qenë se kjo qe një shpikje alla shqiptarce që nuk e ka asnjë vend tjetër i BE. Lapsi.al e pyeti atë për praktikat europiane që tregojnë absurditetin e kësaj nisme nga e cila me sa duket qeveria shqiptare po zbythet edhe pas presionit ndërkombëtar….

Andi Bushati:   Znj Vlahutin. Parlamenti shqiptar u bë gati të shqyrtojë një ligj që dukej se kishte edhe mbështetjen e kryeministrit Rama që i detyron taksapaguesit shqiptar të paguajnë për televizionet private, cili është mendimi juaj për këtë?

Romana Vlahutin: Me sa kuptojmë nga informacionet prej burimeve të hapura, Ministria e Financave nuk është e gatshme ta marrë në konsideratë këtë mundësi me argumentin se tarifa për televizorët është një nga burimet e financimit për veprimtarinë e RTSH-së, një ent publik jofitimprurës që ofron shërbime audiovizuale në Republikën e Shqipërisë, dhe rrjedhimisht, ndryshimi i destinacionit të tarifës do ta çnatyronte qëllimin e një mbledhjeje të tillë. Për më tepër, tarifa është përcaktuar qartë në nenin 11, pika B, të ligjit 9975/2008, për taksat kombëtare si një masë për të mbuluar kostot e shërbimit të ofruara nga RTSH-ja.

Ne do të pajtoheshim plotësisht me këtë pozicion, pasi praktikat e shteteve anëtare të BE-së tregojnë se asnjë shtet anëtar i BE-së nuk e ndan tarifën e licencës që nga fillimi për të financuar transmetuesit e shërbimit publik nga njëra anë dhe transmetuesit komercialë privatë nga ana tjetër. I vetmi shtet anëtar i BE-së që mbështet mediet private, i subvencionon ato me një maksimum prej 0,1% të të ardhurave totale të tarifës së licencës, dhe ekskluzivisht për kanalet vendore.

Vetëm disa ditë më parë, përfaqësuesi i OSBE-së për lirinë e medias ka shprehur gjithashtu shqetësimet e tij, por ajo që kuptojmë është se ky propozim tani është hedhur poshtë zyrtarisht.

Lexo me tej:

Si po vjedhin pronarët e TV-vë në bashkëpunim me Ramën

A.B. Në ndryshimin e propozuar të ligjit parashihesin dhe përqindjet që do të fitojnë TV private. A nuk ngjan ky më shumë me një pazar?

R. V. Disa nga idetë dhe argumentet janë mjaft të pazakonta. Është e çuditshme që një kompani mediatike private të kërkojë para publike për të pasur një cilësi më të mirë të asaj që përbën biznesin e vet kryesor: të paraqesë informacion në bazë të fakteve që janë hulumtuar siç duhet. Programet që në disa vende marrin subvencione janë ekskluzivisht ato të natyrës jokomerciale, si programet për pakicat ose ato me përmbajtje kulturore apo artistike jokomerciale. Ato ndonjëherë subvencionohen në disa vende, sepse tregu i medias nuk mund dhe nuk duhet të nxitet vetëm nga përmbajtja fitimprurëse.

A.B. Pavarësisht nga modelet e ndryshme ndërkombëtare ku ekzistojnë edhe financime shtetërore për programe edukative këtu, sipas studimeve serioze, mbi 50 % e tregut mediatik kontrollohet vetëm nga 4 familje. Në kundërshtim me apelet e OSBE dhe Këshillit të Evropës, Shqipëria e shfuqizoi ligjin që i kufizonte një pronari të vetëm pasjen e 100% të pronësisë mbi një media kombëtare. Pra pyetja është: edhe nëse ndonjë ditë do të duhen të jepen mbështejte me fonde publike për TV private, a nuk duhet që më parë ato të shndërohen nga biznese familjare në institucione të vërteta?

R. V. Këto janë dy çështje të ndryshme: njëra është përqendrimi i tregut dhe monopoli, dhe rrjedhimisht influenca, dhe tjetra është mbështetja për programet. E para është një çështje që Shqipëria do të duhet ta trajtojë sipas normave të rregullave të pronësisë së tregut mediatik. Subvencionet janë diçka shumë ndryshe. Siç e thashë, në ato shumë pak vende që kanë subvencione të tilla, ato përdoren në një fushë shumë të ngushtë, për të mbështetur medie të vogla dhe të reja ose medie vendore, apo programe jokomerciale, dhe jo për mediet e mëdha dhe shumë të pranishme që tashmë ekzistojnë. Subvencionet përdoren për hir të pluralizmit dhe për të ndihmuar mediet më të vogla apo programet jofitimprurëse për të mbijetuar në një treg të kompanive të mëdha mediatike.

A.B. Ka një perceptim se diplomatët kryesorë në Shqipëri janë omniprezentë në jetën e vendit. Duke folur për politikanët, gjyqtarët, prokurorët, të kërkuarit nga policia, LGBT, gratë e dhunuara etj. E vetmja pikë ku ka një konsensus heshtjeje janë oligarkët e mediave që shpesh marrin vendime dhe ndikojnë edhe mbi qeveritë. Si shpjegohet kjo?

R. V. Nuk pajtohem me këtë. Mediet e lira dhe liria e fjalës janë standarde themelore te të cilat askush nuk duhet të guxojë të ndërhyjë apo të ndikojë, dhe komuniteti ndërkombëtar është shumë i qartë për këtë. Gjithashtu, siç e dini mirë, liria e shprehjes është një pjesë shumë e rëndësishme e Raportit Vjetor të Komisionit Evropian dhe një nga elementët e pesë prioriteteve kyçe për Shqipërinë. Ekziston një monitorim i vazhdueshëm i kushteve të punës dhe sigurisë së gazetarëve, aftësisë së tyre për të raportuar lirisht dhe sipas standardeve më të mira profesionale, vetërregullimit të medieve dhe çdo presioni të mundshëm mbi lirinë e fjalës.

©Lapsi.al



1 Comment

  1. nje fjal e mir nga lavirja e bulevardit numer 2 vllahutin,kjo e din se rama e ka pas vetem loj se gjoja don te financoj edhe me para publike qenef tv turp qanel,klan,vizion miniu e ora ilva tare.keto rama me para kokaine e pallate i financon,por rama si qelb qe esht i thot bushatit te hup vemendjen se gjoja don te financoi me para publike qenefet e tij top,klan,vizion,e ora me simotrat e tyre shqiptarja kom,tema tv,top news,on,abc etj.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *