• |
ide | kryesore

Mungesa e Fair Play e De Biasit, gabimi i Dukës dhe shanset e rikthimit…

Sport



“Panucci, Panucci vaffa…lo”, fraza që nuk ka nevojë për përkthim ishte thirrja e tifozëve që u dëgjua në fundin e disfatës më të rëndë në 25 vjet për kombëtaren shqiptare, që nga ajo e 1993 me Spanjën 1-5. E gjitha kjo nën sytë e njeriut që bëri historinë me kuqezinjtë, Gianni de Biasi, prezent në tribunën e Loro Boricit, në krah të presidentit Armand Duka.

Ish-trajneri i kombëtares, që ka mbetur në zemrat e tifozëve, nuk është sjellë shumë Fair Play me bashkëkombasin e tij Christian Panucci, edhe pse në përfundim të ndeshjes së humbur turpërisht 0-4, të paktën publikisht, i ka dalë në mbrojtje. “Nuk ishte e lehtë, pasi mungonin edhe disa futbollistë si Roshi, Sadiku dhe Hysaj. Unë dal në mbrojtje të trajnerit, pasi bën gjithçka mundet me ata që kishte në dispozicion”.

Por prezantimi i tij, pothuaj në cdo ndeshje të kombëtares, në kohën kur trajnerit aktual rezultatet po i flisnin kundër, është shumë më problematik se një deklaratë difensive e pas ndeshjes. De Biasi u pa në tribunë mes presidentit të FSHF-së Armand Duka, sekretarit të përgjithshëm të FSHF-së, Ilir Shulku dhe presidentit të Federatës skoceze Ian Maxëell. Një vend të tillë, në të gjithë arenën botërore të futbollit do të thotë, emri i ardhshëm i pankinës së skuadrës.

Është e vërtetë që ftesa i është bërë nga Duka, si ish-trajner i kombëtares. Ndoshta është edhe lapsus i presidentit që e vendosi në krah të tij për ta respektuar, por De Biasi e njeh mirë lojën dhe duhet ta kishte shmangur këtë presion mbi Panuccin.

De Biasi në fakt, e ka presionuar trajnerin aktual të kuqezinjve që në daljet e para, duke u prezantuar në seancën stërvitore për ti dhënë “bekimin”, e pastaj rregullisht në tribunë për të ndjekur kombëtaren shqiptare, por jo në kohën kur drejtonte Levante. E ky është një detaj i rëndësishëm…

Hija e tij e ka kompleksuar që në fillim Panuccin, që për ta fshirë u kap me ndryshimet në skuadër, duke bërë ndoshta autogolin më të rëndë. De Biasi ndeshjet i ka parë në tribunë, por mbetet për tu parë, tashmë, në rast shkarkimi të Panuccit, a do ta marrë drejtimin e skuadrës që e “do” aq shumë, pa njohur ende shortin e kualifikueseve të Euro-2020?



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *