• |
ide | kryesore

Video/ Manchester United i Solskjaer shkatërrimtar: “armiqtë” e Mourinhos po i jepin kreditet norvegjezit

F1, Sport, Video



Tre fitore në po aq ndeshje, që kur Ole Gunnar Solskjaer është ulur në pankinën e Djajve të Kuq. I fundit në radhë, i fundit për vitin kalendarik 2018, është Bournemouth, që u rrëzua në goditjet e Pogba, Rashford e Lukaku. Çuditërisht të tre, “armiqtë” e shpallur të Jose Mourinhos, po i japin kreditet teknikut norvegjez, ish-Molde.

Dy gola në fillim të lojës nga Paul Pogba, e çuan kuotën e mesfushorit në katër, në tre ndeshje. E të mendosh që Special One ankohej për rendimentin e francezit në mesfushë, sepse për golat kritikat i adresoheshin të tjerëve.

Duke qenë tek të tjerët, Marcus Rashford, i frustruar aq sa po mendonte largimin nga Old Trafford shënoi golin e tretë për United, pak përpara mbylljes së pjesës së parë, duke u konfirmuar edhe ai nën drejtimin e Solskjaer një lojtar i rilindur. Baby Face Assasin, si quhej norvegjezi kur luante në Old Trafford, i kishte specialitet golat dhe shifrat janë entuziaste: përligjin lojën e kërkuar me zë të lartë nga publiku i Manchester dhe statusin me të cilin vinte tekniku, si ish-sulmues.

12 gola në vetëm tre ndeshje, askush si United në këto tre javë, vetëm se dicka duhet të rishohë me kujdes tekniku: në të treja ndeshjet prapavija e United nuk ka mundur ti mbyllë takimet pa pësuar. 3-1 ndaj Huddersfield dhe 1-5 në transfertën me Cardiff dhe sërisht pëson në goditjen me kokë të Ake, në sfidën e fituar ndaj Bournemouth.

Sinjali tjetër që dëshironte të merrte tekniku, në ndryshim me portugezin që e kishte demoralizuar psikologjikisht, ishte goli i Romelo Lukakut, që nuk mbahet mend kur kishte festuar për herë të fundit në Old Trafford.

35 pikë për Djajtë e Kuq që janë vënë në ndjekje të Arsenal, në vendin e pestë me vetëm 3 pikë më shumë. Zona Champions duket e paarritshme (për momentin) me Chelsea në kuotën e 43 pikëve, por me një ecuri të tillë cdo gjë është e mundshme dhe ajo që është më e rëndësishme është se për momentin në Old Trafford skuadra e Solskjaer po i zbavit të gjithë.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *