• |
ide | kryesore

Ish-ministri i Drejtësisë: Përndjekja ndaj lapsi.al, e paligjshme, jo sipas Kushtetutës dhe pa logjikë

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani ka bërë një koment të gjatë në faqen e tij në Facebook për skandalin e SPAK dhe GJKKO që kërkojnë të sekuestrojnë serverat, telefonat dhe pajisjet e lapsi.al me justifikimin e marrjes së databazës së patronazhistëve të PS. Manjani ka renditur një sërë konventash dhe dokumentesh ligjore të ratifikuara dhe miratuara nga Shqipëria dhe që mbrojnë të drejtën e medias për të mbrojtur burimin e lajmit.

“●Në zbatim të Kartës Universale të Lirive dhe të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara, janë një mori dokumentesh legalë që e garantojnë MBROJTJEN E BURIMIT gazetaresk.
● Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut, të cilën ne e kemi pjesë të legjislacionit tonë, ka prodhuar një praktikë dokumentare të plotë që garanton MBROJTJEN E BURIMIT.
● Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ka prodhuar praktikë të plotë, të qartë e shteruese sipas të cilës MBROJTJA E BURIMIT është e drejtë e gazetarëve në kuadër të zbatimit korrekt të nenit 10 të Konventës. Vendimet e kësaj gjykate janë pjesë e praktikës ligjore në Shqipëri dhe të detyrueshme për tu zbatuar.
● Këshilli i Ministrave dhe Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës ka prodhuar një seri dokumentesh detyruese legale për shtetet anëtare, përfshi dhe Shqipërinë, sipas të cilave përforcohet qëndrimi i Gjykatës Europiane për të mbrojtur BURIMIN e lajmeve.
● OSBE ka prodhuar gjithashtu dokumente detyruese për vendet anëtare, përfshi Shqipërinë. Nuk e di a e di Prezenca e saj këtu këtë gjë..!?
● Praktika jonë gjyqësore e drejtuar nga Gjykata Kushtetuese e ka ratifikuar qartësisht qëndrimin ligjor të Mbrojtjes së Gazetarëve dhe të drejtës që ata kanë për të mbrojtur sekretin e burimit të informacionit.
●Për herë të fundit shteti ka dënuar gazetarë për përhapje sekreti në vitin 1993, kur u arrestuan Martin Leka dhe Aleksandër Frangaj. Që prej asaj kohe, praktika e ndjekjes penale ndaj gazetarëve për ato që shkruajnë u shua.
● Madje ndjekja penale në tërësi ndaj medias, për shkak të veprimtarisë së saj informuese në dobi të publikut u zbut deri në dekriminalizim. E gjitha kjo si rezultat i ndikimit të dokumenteve ligjore ndërkombëtarë”  – shkruan Manjani që më pas ka bërë edhe një koment.

“Aktualisht përndjekja ligjore penale ndaj LAPSI.AL është E PALIGJSHME, JO NË PËRPUTHJE ME KUSHTETUTËN dhe, KREJT PA SENS LLOGJIK!
Lapsi nuk është autoritet ligjor që ka për detyrë të ruajë të dhënat personale të askujt, por media që kryen detyrën publike duke e informuar atë.
Në kryerjen e kësaj detyre LAPSi dhe gazetarët e tij gëzojnë të drejtën dhe privilegjin të mbrojnë burimin e informacionit.
Ndjekja penale duhet filluar ndaj atyre që paguhen për ti ruajtur këto të dhëna. Pastaj ndaj përdoruesve politikë të tyre.
S’ka punë media fare, po fare fare në këtë proces penal, nëse ende sistemi në fuqi legal quhet demokratik.
Ky është parimi.
Këto janë rregullat.
Kjo është praktika e sistemit demokratik” – e mbyll ish-ministri i drejtësisë. ©LAPSI.al



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *