• |
ide | kryesore

Zvicra tronditet nga rrëfimi i ish futbollistit-vrasës: “Po e vrava unë, me shkop bejsbolli”

-Instant, Sport
Zvicra



Një lajm tronditës vjen nga Zvicra. Një ish-futbollist ka rrëfyer në polici se ka vrarë një person gati pesë vjet më parë (më 16 qershor 2018). Ai ka rrëfyer se e ka hequr qafe trupin, duke e hedhur në liqenin Lemàno, në kufirin franko-zviceran.

Gazeta “Tribune de Genève” zbulon historinë e pabesueshme. Ish-mesfushori tha se kishte debatuar me viktimën, që mendohet se i përkiste një bande kriminale të Lionit. Sportisti, i dyshuar si i përfshirë në trafikun e drogës, duhej të merrte mallin në Spanjë. Por, në vend të kësaj, sulmoi një figurë të krimit të organizuar në Lion për një cështje borxhesh të papaguara, sipas burimit të cituar më sipër.

Ish futbollisti e ka rrahur për vdekje viktimën, një mafioz 44-vjeçar, me shkop bejsbolli. Më pas, ai e mori trupin në bagazh nga Lioni në Lancy (Gjenevë), ku jetonte. Ai qëndroi atje për disa ditë derisa vendosi ta transferonte këtë herë në Villeneuve, një qytet i vogël në kantonin Vaud, në rrethin Aigle. Autori ka treguar në polici se si ka hequr qafe kufomën e dyshuar, që ende nuk është shfaqur. Sipas tij, ai lundroi me një gomone në liqenin e Gjenevës dhe, kur gjeti rastin, e hodhi trupin.

KUFOMA NUK GJENDET, POR VERSIONI PËRKON

Brigada detare e Gjenevës po përpiqet të gjejë trupin, por nuk ia ka dalë deri tani. Policia tregon, sërish sipas “Tribune de Genève”, se historia e ish-lojtarit është koherente. Agjentët kanë mundur të demonstrojnë se i dyshuari ka blerë një gomone në datat në të cilat, sipas asaj që ai pretendon, ka ndodhur ngjarja fatale. Mediat e sipërpërmendura nuk e bëjnë të ditur emrin e fajtorit të mundshëm, por japin disa pista. Ai e ka filluar karrierën e tij të futbollit në Francë. Pasi bëri debutimin e tij në divizionin e dytë francez, ai luajti për klube zvicerane si FC Lancy ose FC Aigle. Gjyqi për këtë krim të dyshuar do të zhvillohet në maj, nga data 9 deri në 12. Ai do të mbahet në Gjykatën e Assizes të Lionit, qyteti ku dyshohet se kanë ndodhur ngjarjet. Zvicra është tronditur e Franca gjithashtu.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *